
Kandidati presidencial i Ekuadorit, Fernando Villavicencio, i qëlluar për vdekje gjatë fushatës të mërkurën, njihej si një aktivist i palodhur kundër korrupsionit dhe gazetar investigativ.
Ligjvënësi 59-vjeçar në Asamblenë Kombëtare, kishte folur hapur për korrupsionin dhe dhunën e shkaktuar nga trafiku i drogës në vend, në një prononcim për CNN në maj, ai tha se Ekuadori ishte bërë një "shtet narko" ndërsa premtoi të drejtonte një luftë kundër asaj që ai e quajti "mafia politike".
“Sot Ekuadori kontrollohet nga Jalisco Nueva Generación, karteli Sinaloa – të dy nga Meksika – si dhe mafia shqiptare”, tha Villavicencio në një intervistë me CNN en Español në maj.
Këto deklarata, puna e tij e mëparshme dhe premtimet e ardhshme politike i sollën përball armiq të fuqishëm. Villavicencio kishte deklaruar dhe më parë se kishte marrë kërcënime me vdekje nga grupet e krimit.
Fushata e tij premtoi një goditje ndaj krimit dhe korrupsionit mes një përshkallëzimi vdekjeprurës të dhunës që ka kapluar Ekuadorin vitet e fundit. Vendi i Andeve, një komb relativisht paqësor deri pak vite më parë, tani është i rrënuar nga një luftë në terren midis organizatave kriminale rivale.
Dhuna ka qenë më e theksuar në brigjet e Paqësorit të Ekuadorit, ndërsa grupet kriminale luftojnë për të kontrolluar dhe shpërndarë lëndë narkotike, kryesisht kokainë.
Një 'luftëtar i palodhur'
Megjithatë, Villavicencio ka qenë prej kohësh i njohur për përpjekjet e tij kundër korrupsionit. Në moshën 18-vjeçare ai hapi një gazetë të quajtur Prensa Obrera (Shtypi i Punëtorëve) dhe vazhdoi të punojë për kompaninë shtetërore të naftës EP Petroecuador.
Më vonë, ai do të zbulonte skandale korrupsioni në industrinë e lulëzuar të naftës të Ekuadorit dhe gjithashtu nxiti një hetim për një incident në të cilin ushtria vrau të paktën pesë persona ndërsa liroi Presidentin e atëhershëm Rafael Correa të marrë peng në 2010.
Correa ngriti një padi për shpifje kundër Villavicencio, dhe ai u dënua më vonë me 18 muaj burg si rezultat. Villavicencio shkoi në arrati për të shmangur paraburgimin dhe dha një intervistë me Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) në 2014.
“Presidenti dëshiron që unë të ulem në gjunjë dhe të kërkoj falje. Por unë kurrë nuk do ta bëj këtë", tha ai.
Karriera e tij politike filloi në vitin 2009, kur ai punoi si këshilltar i ligjvënësit Cléver Jiménez. Në vitin 2021 ai u zgjodh vetë në asamblenë kombëtare, duke shërbyer deri në maj të këtij viti, kur asambleja u shpërnda përpara zgjedhjeve që janë planifikuar ende të mbahen më 20 gusht./CNN
Lini një Përgjigje