
Autoritetet turke arrestuan nëntë gazetarë, të cilët po raportonin protestat mbrëmjen e djeshme në disa qytetet kundër arrestimit të kryetarit të Stambollit, Ekrem Imamoglu. Ende nuk dihet arsyeja e ndalimit të gazetarëve.
Një gjykatë turke urdhëroi të dielën burgosjen e Imamoglut, rivalit kryesor të presidentit Recep Tayyip Erdogan, në pritje të gjykimit nën akuzat për korrupsion.
Arrestimi i Imamoglut javën e kaluar nxiti protestat më të mëdha në vend në dekadën e fundit.
Megjithëse në shumë qytete protestat në rrugë u ndaluan nga autoritetet, për 5 ditë radhazi qytetarët kanë mbajtur protesta, kryesisht paqësore, kundër Qeverisë.
Partia kryesore opozitare, Partia Republikane Popullore (CHP), ka bërë thirrje për protesta kundër vendimit të gjykatës për Imamoglun, duke e cilësuar si vendim të politizuar dhe jodemokratik.
Qeveria mohon se hetimet janë të motivuara politikisht dhe thotë se gjykatat janë të pavarura.
Imamoglu ka hedhur poshtë akuzat, duke i quajtur shpifje të papërfytyrueshme dhe ka bërë thirrje për protesta në mbarë vendin.
Në një fjalim gjatë demonstratës në Stamboll, para selisë së bashkisë, lideri i CHP-së, Ozgur Ozel, tha të dielën se ata do të vazhdojnë protestat derisa Imamoglu të lirohet.
Një fotograf i stafit të Agence France Presse (AFP) është mes gazetarëve të ndaluar, tha sindikata në një postim në X.
Lini një Përgjigje