TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Shkurt 2025, 10:22

Po bien gjithnjë e më shumë tërmete: a duhen fajësuar ndryshimet klimatike?

Shkruar nga Paul Molga

 Po bien gjithnjë e më shumë tërmete: a duhen fajësuar

“Bazuar në modelet tona, ne parashikojmë që zvogëlimi i shtresave të akullit të Grenlandës dhe Antarktidës gjatë ngrohjes globale, do të çojë në një rritje të shpeshtësisë së tërmeteve në këto rajone”

Gjatë periudhës 1900-1950, Toka regjistroi mesatarisht 3.4 tërmete në vit, me një magnitudë më të madhe se 6.5. Kjo shifër u dyfishua në 6.7 në vit deri në fillim të viteve 1970, dhe gati është 5-fishuar që nga fillimi i viteve 2000. Po ashtu është rritur frikshëm edhe intensiteti i tyre.

Sot regjistrohen më shumë se 25 tërmete të mëdha në vit, ose 2 herë më shumë se në periudhat e mëparshme. Kjo sipas bazës së të dhënave të ngjarjeve emergjente EM-DAT, e cila ka përpiluar listën e 22.000 fatkeqësive masive dhe efekteve të tyre në mbarë botën gjatë shekullit XX-të.

Madje po ngrenë shumë pikëpyetje edhe një sërë tërmetesh më të vogla, si ato që po godasin aktualisht ishullin grek të Santorinit. A mund të arrijmë në përfundimin, se ka një lidhje shkakësore me rritjen e aktiviteteve njerëzore, siç po sugjerojnë disa ekspertë?

Kjo ide u hodh për herë të parë për diskutim në vitin 2011 nga një ekip kërkimor australian i udhëhequr nga profesori i gjeologjisë Giampiero Iaffaldano. Në atë kohë, ai pretendoi se kishte zbuluar se intensifikimi i sezonit të Musonit në Indi, pra i shirave të fortë dhe stuhive, e kishte përshpejtuar me 20 për qind lëvizjen e pllakës tektonike indiane gjatë 10 milionë viteve të fundit.

Iaffaldano theksoi se mbyllja dhe hapja e pellgjeve oqeanike, ose shfaqja e maleve të larta si në Ande apo Himalajat në Tibet, janë procese gjeologjike që ndikojnë shumë tek klima. “Ne kemi treguar për herë të parë se e kundërta është e vërtetë, pra që evolucioni i klimës mund të ndikojë tek lëvizja e pllakave tektonike”- nënvizoi ai.

Që nga ai studim, asnjë ekip tjetër studiuesish nuk ka qenë në gjendje të tregojë një lidhje bindëse midis ndryshimeve afatshkurtra klimatike dhe rritjes së numrit të tërmeteve në botë. Megjithatë, shkencëtarët po ngrenë pikëpyetje mbi ndikimin që ka shkrirja e madhe e shtresës akullnajore në mantelin e Tokës.

“Akulli po mban të fiksuar pjesë të mëdha të kores së Tokës”- thotë gjeofizikantja Andrea Hampel. Së bashku me kolegët e saj nga Universiteti Ruhr në Bochum të Gjermanisë, ajo ka zbuluar se pesha e akullnajave të mëdha në tokë, e ngadalëson lëvizjen e pllakave kontinentale.

Ajo ka treguar me ndihmën e simulimeve kompjuterike, se rikthimi i aktivitetit sizmik, të cilin e Skandinavia përjetoi përkohësisht 9.000 vjet më parë, përkoi me shkrirjen e shpejtë të kapakut akulljanor, që deri në atë kohë mbulonte të gjithë rajonin.

Sipas këtij simulimi, presioni vertikal i ushtruar nga akulli, mund të kishte parandaluar rrëshqitjen spontane të pllakave kontinentale përgjatë të çarave të mëdha gjeologjike. Por tensionet mekanike për shkak të lëvizjeve të kores së Tokës vazhduan të grumbulloheshin, dhe u çliruan kur shkrihej akulli, duke shkaktuar tërmete më të shpeshta dhe më forta në Evropën Veriore.

A mund të ndodhë i njëjti fenomen sot dhe akoma më gjerësisht për shkak të ngrohjes globale ? Disa studiues thonë se po, dhe spekulojnë se ky mekanizëm ka filluar tashmë të vihet në lëvizje, veçanërisht në Alaskë. Pikërisht aty gjejmë akullnajat më të mëdha në botë, që shtrihen në sipërfaqe mbi disa qindra kilometra katrorë dhe janë qindra metra të trasha.

Shkrirja e vazhdueshme e shtresave të akullit të Grenlandës dhe Antarktidës, do të çojë  një rritje të frekuencës së tërmeteve. Në 200 vitet e fundit, ata kanë humbur më shumë se 5000 km2 akull.

“Toka ngrihet në mënyrë të njëpasnjëshme dhe kjo ndodh në dy faza. Në fazën e parë ndodh menjëherë për shkak të efektit elastik të humbjes së masës së akullit, dhe në të dytën është më i ngadalshëm, teksa manteli i Tokës po ripozicionohet.

Alaska Jugore është një zonë e kuqe në koren e Tokës, ku ndodhin shumë tërmete për shkak të mbivendosjes së pllakës kontinentale të Amerikës së Veriut dhe pllakës së Paqësorit”- shpjegon Chris Rollins, studiues në Universitetin e Fairbanks në Alaskë.

Kjo është ajo që ndoshta ndodhi në vitin 1958, kur një tërmet me magnitudë 7.8 shkaktoi një rrëshqitje fenomenale. “Bazuar në modelet tona, ne parashikojmë që zvogëlimi i shtresave të akullit të Grenlandës dhe Antarktidës gjatë ngrohjes globale, do të çojë në një rritje të shpeshtësisë së tërmeteve në këto rajone”- thotë Andrea Hampel.

Por jo vetëm kaq. Vullkanologë të njohur si Bill McGuire, që jep mësim në Kolegjin Universitar të Londrës, thonë se shkrirja e kapakut të akullit të Grenlandës, mund të çlirojë presionin që mbante të mbyllura vrimat vullkanike, dhe të shkaktojë rrëshqitje gjigante dheu në shtratin e detit në brigjet e këtij territori që është pjesë e  Danimarkës.

“Këto ngjarje të nxitura nga ndryshimet klimatike, kanë ndodhur disa herë në historinë e Tokës dhe prodhojnë mega-cunami shkatërrues”-paralajmëron ai. Shkencëtarët kanë gjetur gjurmë gjeologjike kur 100.000 vjet më parë, shpërthimi i vullkanit Mauna Loa në Hauai shkaktoi një dallgë gjigante mbi 300 metra të lartë.

Më së afërmi në kohë, më 17 tetor 2015, shkrirja e akullnajës Tyndall në Alaskës shkaktoi rrëshqitjen e 180 milionë tonë gurëve në ujërat e fiordit Taan, duke ngritur një dallgë gjigante 193 metra të lartë, që përmbyti 20 kilometra katrorë tokë përpara se të shuhej në det.

“Më shumë rrëshqitje të tilla, ka të ngjarë të ndodhin teksa akullnajat malore vazhdojnë të tkurren”- shkruan gjeologu amerikan Bretwood Higman, autori kryesor i një studimi botuar në revistën “Nature”. Gjithsesi, moti i ftohtë dhe prania e menjëhershme e akullit, nuk është një parakusht për tërmetet.

Më 2 shkurt, ishulli grek i Santorinit filloi të prekej nga një mori tërmetesh të përmasave mesatare, duke detyruar largimin e mijëra njerëzve. Autoritetet paralajmëruan mbi rrezikun e lartë të rrëshqitjes së tokës. Mbyllën shkollat dhe shpallën gjendjen e jashtëzakonshme në ishullin e famshëm për pushime.

Por paparashikueshmëria e këtij fenomeni është problemi më i madh. Ekspertët janë të ndarë mbi atë nëse tërmeti më i madh, me magnitudë 5.2 ballë, ishte një shenjë e ngadalësimit të tërmeteve, apo një shenjë e tërmeteve më të rënda që do të godasin së shpejti./Përgatiti Pamfleti

termete ndryshime krimatike

Lini një Përgjigje