Sekretari i Ushtrisë Amerikane, Daniel Driscoll dhe gjenerali më i lartë i ushtrisë janë dërguar në Ukrainë nga administrata Trump për t'u takuar me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskyy për të rinisur diskutimet rreth bisedimeve të mundshme të paqes me Rusinë.
Driscoll do të takohet me Zelenskyn, kryeministrin e Ukrainës dhe zyrtarë të tjerë të lartë ushtarakë ukrainas për të diskutuar një proces të mundshëm paqeje dhe për të diskutuar qëndrimin e Shteteve të Bashkuara mbi mundësinë e bisedimeve të paqes.
Sekretari Driscoll dhe ekipi mbërritën këtë mëngjes në Kiev në emër të administratës në një mision faktmbledhës për t'u takuar me zyrtarët ukrainas dhe për të diskutuar përpjekjet për t'i dhënë fund luftës, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Sipas Reuters SHBA ka sinjalizuar Presidentin Volodymyr Zelensky se Ukraina duhet të pranojë një kornizë të hartuar nga SHBA-të për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, e cila propozon që Kievi të heqë dorë nga territori dhe disa armë, thanë të mërkurën dy persona të njohur me çështjen.
Burimet, të cilat kërkuan të mos identifikoheshin për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, thanë se propozimet përfshinin, ndër të tjera, edhe zvogëlimin e madhësisë së forcave të armatosura të Ukrainës. Ata thanë se Uashingtoni dëshiron që Kievi të pranojë pikat kryesore.
Një plan i tillë do të përfaqësonte një pengesë të madhe për Kievin, ndërsa përballet me përfitime të mëtejshme territoriale ruse në Ukrainën lindore dhe me Zelenskyn që po përballet me një skandal korrupsioni në të cilin parlamenti shkarkoi ministrat e energjisë dhe të drejtësisë të mërkurën.
Një zyrtar i lartë ukrainas i tha më parë Reuters se Kievi kishte marrë “sinjale” në lidhje me një sërë propozimesh të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës që Uashingtoni i ka diskutuar me Rusinë. Ukraina nuk ka pasur asnjë rol në përgatitjen e propozimeve, tha burimi.
Zelensky, i cili zhvilloi bisedime në Turqi të mërkurën me Presidentin Tayyip Erdogan, do të takohet me zyrtarë të Ushtrisë Amerikane në Kiev të enjten.
Shenjat e një përpjekjeje të ripërtërirë të udhëhequr nga SHBA-të për t’i dhënë fund luftës shkaktuan të mërkurën rritjen më të madhe të çmimeve të obligacioneve qeveritare të Ukrainës në muaj të tërë.
Nuk janë zhvilluar bisedime ballë për ballë midis Kievit dhe Moskës që nga një takim në Stamboll në korrik dhe forcat ruse kanë vazhduar luftën gati katërvjeçare të Moskës në Ukrainë , duke vrarë 25 persona në sulmet ajrore gjatë natës.
Përpjekjet për të ringjallur negociatat e paqes duket se po fitojnë vrull, megjithëse Moska nuk ka treguar shenja se do të ndryshojë kushtet e saj për t’i dhënë fund luftës.
Presidenti rus Vladimir Putin i ka kërkuar prej kohësh Kievit të heqë dorë nga planet për t’u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s të udhëhequr nga SHBA-të dhe për të tërhequr trupat e saj nga katër provinca që Moska i pretendon si pjesë të Rusisë. Moska nuk ka dhënë asnjë shenjë se ka hequr dorë nga ndonjë nga këto kërkesa dhe Ukraina thotë se nuk do t’i pranojë ato.
Lini një Përgjigje