TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota27 Shtator 2024, 08:58

Plani i fitores së Zelenskyt nuk bind SHBA: Ka dështuar, nuk ka asgjë të re për të mposhtur Rusinë!

Shkruar nga Pamfleti
Plani i fitores së Zelenskyt nuk bind SHBA: Ka dështuar, nuk ka
Joe Biden dhe Volodymyr Zelensky

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ka pritur në Shtëpinë e Bardhë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky më 26 shtator, pasi njoftoi për ndihma ushtarake për Kievin në vlerë prej mbi 8 miliardë dollarë, duke këmbëngulur përsëri se Rusia "nuk do të triumfojë" në pushtimin e saj të Ukrainës.

Zelensky i prezantoi Bidenit atë që ai e ka quajtur "planin e fitores" dhe përsëri kërkoi që Shtetet e Bashkuara të heqin kufizimet për përdorimin e armëve me rreze të gjatë veprimi, që i ka ofruar Kievit, për të goditur thellë brenda Rusisë për të shënjestruar objektivat ushtarake.

"Rusia nuk do të triumfojë. Ukraina do të triumfojë, dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë jush në çdo hap të rrugës," tha Biden ndërsa priti Zelenskyn në Zyrën Ovale dhe pasi e falënderojë për paraqitjen e planit.

"Ne e vlerësojmë thellësisht që Ukraina dhe Amerika kanë qëndruar krah për krah," tha Zelensky, i veshur me një uniformë të stilit ushtarak ngjyrë jeshile të errët.

Ndërkohë plani për fitoren i Volodymyr Zelenskyt nuk e ka bindur administratën amerikane shrkuan e përditshmja “Wall Street Journal”, që citon burime nga Shtëpia e Bardhë.

Sipas gazetës prestigjioze, administrata Biden është e shqetësuar se planit të liderit ukrainas i mungon një strategji globale dhe nuk është gjë tjetër veçse një kërkesë për më shumë armatime dhe heqjen e kufizimeve për përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi.

“Nuk kam mbetur i impresionuar. Ky plan nuk ka asgjë të re”, ka deklaruar një funksionar i lartë i administratës amerikane.

Zelensky gjithashtu u takua gjithashtu me nënpresidenten Kamala Harris, kandidaten e Partisë Demokratike për presidente, më vonë në Shtëpinë e Bardhë dhe ndau me të "planin e tij të fitores".

Harris i tha Zelenskyt se mbështetja e saj për popullin e Ukrainës ishte e palëkundur.

"Populli ukrainas po mbron me guxim shtëpitë dhe atdheun e tyre, lirinë dhe demokracinë e tyre kundër një diktatori brutal", tha Harris në Shtëpinë e Bardhë.

Ajo gjithashtu tha se thirrjet për Ukrainën që t’i japë territor Rusisë ishin "të rrezikshme dhe të papranueshme". Ajo shtoi se sugjerimet e kandidatit republikan Donald Trump dhe kanditatit të tij për nënpresident, senatorit J.D. Vance, që Ukraina të arrijë një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës, nuk ishin propozime për paqe, por "propozime për dorëzim".

Trump ka thënë se Ukraina duhet të kishte bërë lëshime ndaj Putinit në muajt para pushtimit të Rusisë. Në një tubim elektoral në Karolinën e Veriut më 25 shtator, ai tha: "Çdo marrëveshje – marrëveshja më e keqe – do të kishte qenë më e mirë se ajo që kemi tani".

Më herët më 26 shtator, Biden njoftoi për paketën e ndihmës usharake në vlerë mbi 8 miliardë dollarë dhe përsëriti se Shtetet e Bashkuara do t'i "ofrojnë Ukrainës mbështetjen që i nevojitet për të fituar këtë luftë".

“Përmes këtyre veprimeve, mesazhi im është i qartë: SHBA-ja do t’i japë Ukrainës mbështetjen që i duhet për ta fituar këtë luftë”, tha Biden përmes një deklarate.

Paketa përfshin për herë të parë një sistem, që është një bombë precize rrëshqitëse me rreze prej 130 kilometrash, e që lëshohet nga një avion luftarak. Po ashtu, në paketë përfshihen bateri shtesë të sistemeve Patriot dhe raketa AMRAAM.

Biden, që përfundon mandatin në janar, tha se trajnimi i pilotëve ukrainas për avionët F-16 do të zgjerohet, përfshirë trajnimi i 18 pilotëve shtesë vitin e ardhshëm.

Ai tha se Uashingtoni dhe partnerët e tij po ndërmarrin hapa për të penguar rrjetin e kriptovalutave që po përdoret nga Rusia për të shmangur sanksionet dhe për të shpërlarë para, por nuk elaboroi më shumë.

Lini një Përgjigje