TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota27 Shtator 2024, 08:30

A po ecën bota drejt vetë-shkatërrimit?

Shkruar nga Jonathan Power
A po ecën bota drejt vetë-shkatërrimit?
Ish presidenti i SHBA, Donald Trump dhe presidenti i Kinës Xi jinping

Kandidati për president të SHBA-së, Donald Trump, kërcënon se do të përballet fort me Kinën në lidhje me praktikat tregtare, teksa i paralajmëron evropianët që të ndjekin kursin e Uashingtonit nëse duan të vazhdojnë të kenë marrëdhënie të mira me të.

Një mijë e njëqind vite më parë Evropa kishte mbetur në vendnumëro. Nuk kishte qytete madhështore, përveç Kordobës në Spanjë, e cila ishte e dominuar nga myslimanët. Lindja e Mesme ishte shumë më e përparuar, duke u frymëzuar ende nga kënaqësitë intelektuale dhe sfidat e shkencës, mjekësisë dhe arkitekturës së Greqisë së Lashtë, të cilat evropianët i kishin harruar.

Në Kinën Jugore po përparonte bujqësia dhe lulëzonte tregtia e çajit, porcelanit dhe mëndafshit.

Në vitin 1914, kishte një botë krejtësisht tjetër. Evropianët sundonin 84 për qind të botës dhe  kishin kudo koloni. Po si ishte e mundur që Evropa dhe pasardhësit e saj, Shtetet e Bashkuara, të bëheshin forca dinamike dominuese e botës, dhe mbeten ende sot në krye në shumicën e gjërave?

Nëse shëtit nëpër rrugët e qytetin tim universitar në Suedi, ndaloj 10 studentët e parë që ndesh  dhe i pyes se përse ndodhi kështu, ata mund të përmendin ndoshta Revolucioni Industrial. Por në vitin 1800, kur Revolucioni Industrial sapo kishte filluar, evropianët sundonin tashmë 35 për qind të botës, dhe kishin anije të armatosura në çdo oqean dhe koloni në çdo kontinent.

Por ajo ishte mënyra se si evropianët përhapën sëmundjet e tyre fatale, linë dhe fruthin, ndaj të cilave ata vetë kishin fituar goxha imunitetit, dhe kjo u dha mundësinë të nënshtronin më lehtë popujt vendas. Por të gjitha qytetërimet kryesore të Lindjes së Mesme dhe Azisë kishin të njëjtin avantazh.

Në Afrikë, ishin sëmundjet lokale ato që prekën më shumë evropianët, sesa anasjelltas.

Ndoshta ndonjëri nga 10 studentët do të thoshte se kjo ndodhi sepse evropianët ishin shumë përpara në zhvillimin e teknologjisë së barutit. Tek e fundit, revolucioni ushtarak i parapriu Revolucionit Industrial.

Por unë dyshoj nëse ai mund ta shpjegojë arsyen. Baruti u shpik në Kinë, dhe në shekullin XVI osmanët po krijonin me të artileri të cilësisë së lartë. Por ata nuk mund ta mbanin dot ritmin e zhvillimit teknologjik evropian. Evropa kishte konkurrencë ushtarake, ndaj risitë ishin më të mëdha.

Pastaj, ndryshe nga Perandoria Osmane apo Kina, Evropa ishte një rajon shumë i përçarë. Që nga rënia e Karlit të Madh, kontinenti nuk kishte parë ndonjë udhëheqës aq të fortë sa ta mbante Evropën të bashkuar. Për më tepër, Papët preferuan qasjen “përça dhe sundo”, dhe nuk donin që një lider i vetëm i fortë evropian ta zvogëlonte fuqinë e tyre.

Në Evropë dhjetëra shtete dhe principata të vogla, shpeshherë secila në garë për të qenë e para, u stimuluan për të ushqyer instinktet e tyre konkurruese. Kjo e shtyu përpara kërkimin dhe teknologjinë e barutit përpara me një ritëm shumë më të shpejtë se kudo tjetër në botë.

Ndërsa Kina ishte një hegjemone e madhe, Japonia dhe Perandoria Osmane ishin fuqi të konsiderueshme. Një hegjemon, arrin në mënyrë të pashmangshme të besojë se duke qenë se është politikisht tejet dominues, nuk ka nevojë të lodhet aq shumë për të prodhuar armë superiore. Por kur flitej për teknologjinë e barutit dhe përshtatjen e saj me anijet luftarake, fuqitë më të vogla evropiane, ku secila kërkonte që t’ia kalonte njëra-tjetrës, mund të përgatiteshin të vepronin kundër hegjemonëve të Azisë.

Pse Evropa e pushtoi botën?

Philip Hoffman, profesor në Institutin e Teknologjisë në Kaliforni, SHBA, argumenton në librin e tij “Pse Evropa pushtoi botën?”, se ritmi i shpikjeve teknologjike në Evropë u nxit nga një formë e veçantë e konkurrencës ushtarake, që në kushtet e duhura, mund t’i nxitë garuesit të bëjnë përpjekje të mëdha me shpresën e fitimit të ndonjë shpërblimi.

Kështu ndodhi në Evropë, por jo gjetkë. Sundimtarët evropianë i rritën taksat dhe shpenzuan shumë burime për ushtritë, marinat, teknologjinë e barutit dhe e çuan përpara kërkimin shkencor. Për më tepër, në dallim nga Azia, sipërmarrësit privatë u përballën me pak pengesa ligjore, financiare apo politike për nisjen e ekspeditave pushtuese dhe eksploruese.

Për këtë arsye, Kompania Britanike e Indisë Lindore, mundi të pushtonte pjesën më të madhe të Indisë. Luftërat që çuan në dominimin e Evropës dhe veçanërisht të Britanisë mbi botën, bënë të mundur (ndonëse kishte edhe faktorë të tjerë të rëndësishëm) Revolucionin Industrial, dhe jo anasjelltas.

Fitorja në beteja, i dha Britanisë së Madhe monopolin mbi një pjesë të madhe të tregtisë ndërkontinentale të Evropës. Ajo krijoi shumë vende pune në qytetet britanike. Rriti pagat dhe kërkesën për krahë pune në bujqësi. Pagat e larta, stimuluan shpikjen e makinerive të kursimit të energjive fizike të njerëzve, si për shembull makinat tjerrëse dhe energjia me avull.

Pastaj ishin depozitat e mëdha të qymyrit, tek të cilat u bazua Revolucioni Industrial. Disa historianë përfshijnë në këtë analizë edhe përfitimet e mëdha nga tregtia e skllevërve të Karaibeve dhe Amerikës së Veriut, të cilat siguruan pjesën më të madhe të kapitalit të nevojshëm për të ndërtuar makineri dhe fabrika.

Të tjerë shtojnë edhe traditën e gjatë evropiane të ndarjes së Kishës nga shteti. Vetë Hoffman e vë theksin tek rëndësia e madhe që pati sistemi uniform ligjor dhe fiskal i Britanisë së Madhe dhe kontrollit të buxhetit të shtetit nga parlamenti.

Një luftë e re për dominim

Ajo që përmenda më lart është histori. Ndërsa sot kemi një luftë të re për dominim global. Kandidati për president të SHBA-së, Donald Trump, kërcënon se do të përballet fort me Kinën në lidhje me praktikat tregtare, teksa i paralajmëron evropianët që të ndjekin kursin e Uashingtonit nëse duan të vazhdojnë të kenë marrëdhënie të mira me të.

Do të ishte mirë të mendohej se shoqëria njerëzore ka përparuar mjaftueshëm, sa që një debat i vogël mund të jetë diçka e mirë, nëse ai do të mund të mbetej kuadrit ligjor të Organizatës Botërore të Tregtisë. Por shenjat nuk janë të mira.

Trump vazhdon të bazohet tek vizioni i tij MAGA (Ta bëjmë Amerikën sërish madhështore), duke paralajmëruar se po kandidon në zgjedhjet e vendit të tij, që të mund t’i diktojë pjesës tjetër të botës se çfarë duhet të bëjë. Në anën tjetër të planetit, presidenti XI Jinping nuk ka ndërmend të lëshojë.

Sipas tij Kina është së paku e barabartë me SHBA-në në fuqinë që zotëron. Kështu, bota duhet të përgatitet për një hap tjetër të madh përpara në evolucionin e saj politik dhe ekonomik. Fillimet e saj po i shohim që tani. Për mua ekzistojnë të gjitha kushtet e ecjes drejt një vetë-shkatërrimi afatgjatë./Përshtati "Pamfleti", nga “Eurasia Riview”

vete-shkaterrim bota

Lini një Përgjigje