
Vala e sulmeve të paprecedentë të nisura nga Irani drejt Izraelit, zgjati përreth pesë orë.
Presidenti i SHBA, Joe Biden do të takohet me udhëheqësit e G7 këtë dielën për të koordinuar një përgjigje të bashkuar diplomatike ndaj Iranit, pas sulmit të paprecedent ndaj Izraelit.
Në një deklaratë të Biden të shpërndarë nga Shtëpia e Bardhë thuhej, se deri më tani nuk ka pasur kërcënime mbi objektet e SHBA-së dhe se situata po mbahet në monitorim.
“Ekipi im do të angazhohet me homologët e tyre në të gjithë rajonin. Dhe ne do të qëndrojmë në kontakt të ngushtë me udhëheqësit e Izraelit. Dhe ndërsa nuk kemi parë sulme ndaj forcave apo objekteve tona sot, ne do të mbetemi vigjilentë ndaj të gjitha kërcënimeve dhe nuk do të hezitojmë të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për të mbrojtur njerëzit tanë”, thuhet në deklaratën e Biden.
Zyrtarët izraelit thanë se SHBA, së bashku me Izraelin, monitoruan breshërinë e sulmeve me dronë dhe raketa që nisën të shtunën në mbrëmje dhe vazhduan deri në mëngjesin e hershëm të së dielës. Numri i lëshimeve duket se ka rënë gjatë orëve të para të së dielës.
Forcat amerikane në të gjithë rajonin ishin pozicionuar për të ofruar mbështetje mbrojtëse për Izraelin përpara sulmit dhe SHBA synonte të kapte sa më shumë nga lëshimet që të mundej. Forcat amerikane kapën një numër dronësh të destinuar për Izraelin si pjesë e një përpjekjeje të koordinuar mbrojtëse.
Megjithatë, edhe pse numri i lëshimeve me dron dhe raketa iraniane ka rënë, përfaqësuesi iranian i Hezbollahut në Liban lëshoi një breshëri raketash në veri të Izraelit të dielën herët në mëngjes.
Sistemi i mbrojtjes ajrore izraelite
Vala e sulmeve të paprecedentë të nisura nga Irani drejt Izraelit, zgjati përreth pesë orë, thanë dy zyrtarë amerikanë.
Aktualisht nuk ka raportime për lëndime të pësuar drejtpërdrejt nga sulmet iraniane, sipas shërbimit të urgjencës të Izraelit.
Megjithatë, shërbimi i urgjencës Magen David Adom (MDA) tha se ishte thirrur për të trajtuar gjithsej 31 persona që pësuan lëndime të lehta ndërsa po shkonin për në strehimore dhe që pësuan sulme paniku gjatë sulmeve me dron dhe raketa.
Një zyrtar i lartë i administratës Biden tha se Izraeli duhet ta konsiderojë sonte një fitore sepse vlerësimi aktual i SHBA-së është se sulmet e Iranit kishin qenë kryesisht të pasuksesshme dhe demonstruan aftësinë ushtarake superiore të Izraelit,
“Vlerësimi i SHBA-së sonte ishte se pothuajse të gjithë dronët dhe raketat – duke përfshirë më shumë se 100 raketa balistike – të lëshuara nga Irani ishin rrëzuar nga qielli. Asnjë raketë lundrimi nuk goditi dhe asgjë me "vlerë" nuk u godit”, tha zyrtari.
Sekretari amerikan i mbrojtjes, Lloyd Austin ka thënë se forcat amerikane kapën “dhjetëra raketa dhe UAV në rrugë për në Izrael.
Ai shtoi se ato u nisën nga Irani , Iraku, Siria dhe Jemeni, duke shtuar se forcat amerikane mbeten të gatshme për të ofruar mbështetje për mbrojtjen e Izraelit.
“Unë fola me Ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant për herë të dytë sot për të përsëritur mbështetjen e hekurt të SHBA për mbrojtjen e Izraelit në dritën e sulmit të paprecedentë të Iranit nga territori iranian. Ne rishikuam masat e jashtëzakonshme mbrojtëse dhe bashkëpunimin e fortë të ndërmarrë për të mposhtur këtë sulm iranian kundër Izraelit”, tha Ausitin.
Austin i ka kërkuar homologut të tij izraelit, Yoav Gallant, të njoftojë SHBA-në përpara çdo përgjigjeje të mundshme ndaj sulmit iranian.
Biden foli gjithashtu me kryeministrin izraelit Netanyahu pas sulmit të së shtunës për të riafirmuar angazhimin e hekurt të Amerikës për sigurinë e Izraelit.
Por sipas një zyrtari të lartë të Shtëpisë së Bardhë, Biden i ka bërë të qartë Netanyahut se SHBA nuk do të marrë pjesë në asnjë operacion sulmues kundër Iranit.
“I thashë se Izraeli demonstroi një kapacitet të jashtëzakonshëm për të mbrojtur dhe mposhtur edhe sulme të paprecedentë – duke u dërguar një mesazh të qartë armiqve të tij se ata nuk mund të kërcënojnë efektivisht sigurinë e Izraelit”, shkroi presidenti.
Në komentet e tij të para publike që nga fillimi i sulmit, Benjamin Netanyahu postoi një deklaratë të shkurtër për X, duke thënë: “Ne pritëm dhe zmbrapsëm. Së bashku do të fitojmë”.
Ndërkohë që aktualisht situata duket më e qetë dhe intensiteti i sulmeve ka rënë. Madje pak minuta më parë, Izraeli njoftoi hapjen e hapësirës së saj ajarore.
“Izraeli rihapi hapësirën e tij ajrore që nga ora 7:30 e mëngjesit me orën lokale të së dielës”, tha autoriteti i aeroporteve të vendit.
Ndërkohë Irani ka paralajmëruar se do të përgjigjet me më shumë forcë nëse Izraeli hakmerret mbi sulmet e kësaj fundjave, për të cilat Teherani tha se ishin vetëm një përgjigje ndaj një sulmi izraelit në fillim të këtij muaji në kompleksin e ambasadës së tij në kryeqytetin e Sirisë, Damask./Pamfleti
Lini një Përgjigje