TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota11 Qershor 2024, 15:30

Perëndimit i kushton më pak t'i ndihmojë emigrantët përpara sa të largohen nga vendi i tyre

Shkruar nga Mark Gongloff
Perëndimit i kushton më pak t'i ndihmojë emigrantët
Emigrantë /

Gardi Sugdub është një ishull i vogël në brigjet e Karaibeve dhe përballë Panamasë. Ai ka si emergjence strehimin e rreth 1300 anëtarëve të popullit indigjen Guna. Ishulli po fundoset si pasojë e rritjes së nivelit të detit, ndërsa planeti po vazhdon të ngrohet. Në këto kushte, Panamaja ka zbatuar një projekt për sistemimin e tyre në brendësi të pjesës kontinentale.

Banorët indigjenë do të zhvendosen në shtëpitë e tyre të reja brenda këtij muaji. Sikur i gjithë migrimi për shkak të ndryshimeve klimatik të ishte kaq i thjeshtë! Presidenti amerikan Joe Biden nënshkroi një urdhër ekzekutiv javën e kaluar, që do t’ua bëjë më të vështirë njerëzve të kërkojnë azil në kufirin SHBA-Meksikë.

Ky është hapi i fundit në një luftë politike shumë të ashpër mbi emigracionin, që e ka përçarë vendin për dekada me radhë. Por, si me shumë efekte të një klime në ndryshim, një ditë mund të kthehemi pas në epokën që na shkaktoi panik nga karvani i emigrantëve gjatë një vitit zgjedhor dhe tek muri i madh i Donald Trump dhe të qahemi për “kohët e mira të së shkuarës”.

Ndërsa temperaturat po rriten në mbarë globin, po kështu do të ndodhë edhe me valët e të nxehtit ekstrem, thatësirat, përmbytjet, pandemitë dhe fatkeqësitë e tjera natyrore, së bashku me mungesën e ushqimit dhe ujit dhe konfliktet mbi burimet.

Sipas logjikës së makthit të ndryshimit të klimës, vendet më pak përgjegjëse për pompimin e gazeve serrë në atmosferë dhe ngrohjen e planetit, do të mbajnë peshën kryesore të këtyre ndikimeve. Dhe vende të tilla priren të kenë më pak pasuri, infrastrukturë dhe strukturë sociale për të mbrojtur qytetarët e tyre.

Në fakt, pas vetëm 1.3 gradë Celsius ngrohje globale mbi mesataren para-industriale, vendet me më shumë refugjatë, azilkërkues dhe njerëz të tjerë të larguar nga shtëpitë e tyre tashmë, priren të pësojnë dëmet më të mëdha nga ndryshimet klimatike.

Dhe ato janë të grumbulluara kryesisht në Afrikën Sub- Sahariane, Azinë Jugore dhe Amerikën e Jugut, përgjatë një brezi ekuatorial që ka përjetuar më shumë nxehtësi ekstreme të shkaktuar nga ndryshimet klimatike sesa pjesa tjetër e planetit gjatë dekadave të fundit. Me siguri, shumica e emigrantëve nuk do të thonë se po ikin prej ndryshimeve klimatike.

Ata po i ikin luftës, pasigurisë ekonomike, paqëndrueshmërisë sociale etj. Por ndryshimi i klimës i shumëfishon këto kërcënime. Ndoshta nuk është një rastësi që sipas Komisionit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, 95 për qind e refugjatëve që ikën nga konfliktet në vitin 2020, vinin nga zonat më problematike të ngrohjes globale.

Me kaq shumë faktorë të ndryshëm që ndikojnë tek arsyet pse lëvizin njerëzit, mund të jetë e vështirë të veçosh klimën. Megjithatë, ka disa të dhëna konkrete. Një rishikim i kohëve të fundit i literaturës shkencore nga studiuesit në Universiteteve të Vermontit në SHBA dhe Otagos në Zelandën e Re, zbuloi se temperaturat e larta dhe katastrofat e lidhura me motin, shkaktojnë vazhdimisht migrim në mbarë globin.

Dhe një studim i vitit 2021 nga studiues në Universitetin Kombëtar Autonom të Meksikës, zbuloi se lëvizja e fermerëve me të ardhura të ulëta nga Meksika në SHBA, jo vetëm që u 3-fishua gjatë periudhave të thatësirës, ​​por përbënte ndoshta 1/3 e të gjithë migracionit ndërkufitar.

Duke pasur parasysh të gjitha kompleksitetet dhe mungesën e të dhënave, është edhe më e vështirë të modelosh në të ardhmen tendencën e migrimit të nxitur nga ndryshimet e klimës. Algoritme të ndryshme kanë nxjerrë të dhënat globale që flasin për një numër nga 50 milionë në 1.2 miliardë. Banka Botërore vlerëson se deri në vitin 2050, mund të ketë 216 milionë njerëz të zhvendosur brenda kufijve kombëtarë. Dhe migrimi i brendshëm - le të themi nga fshati në qytet - është zakonisht hapi i parë në migrimin ndërkufitar.

Sipas një studimi të Universitetit Princeton të vitit 2010, deri në 6.7 milionë njerëz mund të largohen nga Amerika Latine për në SHBA për shkak të ndryshimeve klimatike deri në vitin 2080. Por përpjekja për të matur me saktësi numra të tillë nuk ka ndonjë dobi të madhe.

Mjafton të dimë se ndoshta do të jenë shumë të larta, sidomos duke marrë parasysh reagimin ekstrem që ka shkaktuar tashmë edhe vëllimi relativisht e vogël e migrimit ndërkufitar dekadat e fundit. Ne në SHBA flasim vazhdimisht për “krizën në kufi”, por siç ka vënë në dukje kolegu im i Bloomberg Opinion, Justin Fox, kalimet ilegale të kufirit jugor, nuk janë më keq tani sesa ishin dikur, të themi në vitet 1980-1990.

Përballjet midis emigrantëve dhe zyrtarëve të kufirit, janë në kulmin e të gjitha kohërave, por këta zyrtarë janë bërë shumë më të aftë në kapjen e emigrantëve të paligjshëm vitet e fundit. Rezultati është një problem i vërtetë, por jo domosdoshmërisht më madhor. Ose të paktën ende jo.

Është e lehtë të imagjinohet reagimi politik në këtë vend, kur 2-fishohet apo 3-fishohet numri i të kapurve. Por shtimi i mureve më të larta dhe i më shumë telave me gjemba, nuk mund të jetë e vetmja përgjigje ndaj këtij fenomeni. Së pari, kjo është imorale.

Sepse SHBA-ja dhe vende të tjera të zhvilluara, janë përgjegjëse për pjesën më të madhe të gazeve serrë që e kanë ngrohur atmosferën e Tokës, dhe kanë dëmtuar jetën e miliona njerëzve në mbarë botën. Pra janë ata që mbajnë një përgjegjësi të madhe për pastrimin e rrëmujës që kanë shkaktuar.

Të presësh që ta luftosh problemin e emigracionit kur ai të shfaqet në kufi, është një qasje jo-praktike dhe e rrezikshme. Bllokimi i qindra miliona njerëzve në kushte të pa jetueshme, vetëm sa do të krijojë presione të jashtëzakonshme, të cilat do të nxisin edhe më shumë kaos dhe konflikte.

Do të jetë kushtojë shumë pak në dollarë dhe jetë njerëzish, nëse këta njerëz mbështeten përpara se të largohen nga shtëpitë e tyre. Sidomos nëse ndihmohen vendet e tyre që të zbusin dhe përshtaten me ndryshimet klimatike. Politikat për ta bërë këtë janë vërtet të vështira tani, por nuk do të bëhen më të lehta në të ardhmen.

Sigurisht, në lojë është një shumë prej rreth 70 miliardë dollarë në vit. Kjo është kostoja vjetore e shërbimit të borxhit të vendeve në zhvillim, e cila mund të anulohet ose të shlyhet përmes shkëmbimeve të borxhit me burime në natyrë, për të lehtësuar barrën e vendeve më të cenueshme.

Po ashtu, vendet e zhvilluara duhet të vazhdojnë të përmbushin premtimin e tyre të vonuar për shpenzimin e 100 miliardëve dollarë në vit për ndihmën ndaj pasojave të ndryshimeve të klimës, pa përdorur truke të tilla si sigurimi i shumicës së “ndihmave” në formën e më shumë borxheve, apo duke kërkuar që të ardhurat të kthehen një ditë tek vendet donatore.

Emigrantët që lëvizin nga shtëpitë e tyre për shkak të klimës, meritojnë mbrojtje të plotë sipas ligjit ndërkombëtar, së bashku me pranimin se largimi në ‘kullota më të gjelbra’ nuk është ndonjë krim, por një mjet mbijetese dhe përshtatjeje që njerëzit e kanë përdorur që nga fillimet e njerëzimit. Ndërsa numri i strehëve të sigurta për klimën po zvogëlohet, ky fakt na ndihmon të kujtojmë se emigrantët e klimës mund të jemi një ditë edhe ne të tjerët./Përshtati Pamfleti nga  “Bloomberg”

perëndimi emigrantët ndihma

Lini një Përgjigje