
Ashtu si rënia e Basha Al-Assadit, fundi i regjimit të Ajatollahëve do të sillte një përfitim të dukshëm për sigurinë e Lindjes së Mesme. Por nga ana tjetër ngritja e Erdoganit me axhendën e tij islamike, mund të shndërrohet në sfidën tjetër të madhe për këtë rajon të trazuar.
A do të shkaktojë rrëzimit i Assadit nga pushteti në copëtimin e mëtejshëm të Sirisë? Cilat do të jenë pasojat më të mëdha për Lindjen e Mesme? Së pari, është e rëndësishme të njihet dinamika e vërtetë pas kësaj valë gjeopolitike tronditëse.
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, fajëson SHBA-në dhe Izraelin për përmbysjen e Bashar Al-Assadit. Në fakt, presidenti Joe Biden ka marrë me krenari meritat për atë që ndodhi në Siri. Kjo është diçka e mrekullueshme për trashëgiminë e tij, por larg së vërtetës.
Në realitet, Joe Biden u përpoq që ta pengonte fushatën vendimtare të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu kundër Iranit dhe milicive pro-iraniane - sidomos Hezbollahut - që ishte drejtpërdrejt përgjegjës për rënien e Assadit.
Në vend të SHBA-së, “partnerja” e Izraelit në rrëzimin e Assadit ishte Turqia. Nëse ka pasur apo jo ndonjë koordinim midis të dyve, ne vetëm mund të spekulojmë. Por është fakt, që ishte presidenti Racep Tayyip Erdogan, ai që e promovoi dhe mbështeti Hayat Tahrir Al-Sham (HTS), të cilin Turqia e sponsorizon së bashku me Katarin, për të udhëhequr operacionin drejt pushtimit të Damaskut.
Përtej të gjitha forcave të tjera, e ardhmja e Sirisë do të ndikohet kryesisht nga Izraeli dhe Turqia. Të dyja vendet nuk kanë raporte miqësore midis tyre, po kanë në Siri interesa të sigurisë kombëtare. Derisa Netanyahu urdhëroi shkatërrimin e pajisjeve ushtarake të Sirisë javën e kaluar, ky vend kishte përfaqësuar për dekada kërcënimin më të madh konvencional të drejtpërdrejtë për Izraelin.
Po falë Assadit, Siria ishte gjithashtu rruga kryesore e furnizimit nga Irani në Hezbollah në Liban. Në dallim nga Netanyahu, Erdogan ka plane më të gjera për Lindjen e Mesme, duke përfshirë të paktën në sytë e tij ringjalljen e kalifatit osman. Ai mban lidhje të ngushta me Katarin dhe grupimet xhihadiste sunite në rajon, përfshirë Hamasin dhe Xhihadin Islamik, të cilët tani mund të anojnë akoma më tej drejt Ankarasë, ndërsa Irani po përjeton zbehje të ndikimit të tij në rajon.
Teksa po forcohet fuqia rajonale e Erdoganit, kjo përbën një kërcënim në rritje për Izraelin dhe shumë nga vendet arabe. 3.5 milionë refugjatët sirianë që gjenden aktualisht në Turqi, janë politikisht problematikë për Erdoganin, dhe ai dëshiron që ata të rikthehen në shtëpi.
Por prioriteti i tij më i madh, është t’i japë fund idesë së një rajoni autonom kurd në Sirinë Veriore, të cilën ai e sheh si një kërcënim të drejtpërdrejtë për Turqinë, duke pasur parasysh presionet mbi separatizmin kurd në vendin e tij.
Tani ka shenja se Erdogani është duke u përgatitur për një sulm të madh kundër kurdëve sirianë. Pavarësisht rëndësisë që kanë, kurdët janë vetëm një pjesë e një rivaliteti etno-fetar shpeshherë vdekjeprurës, i cili përfshin sunitët, shiitët, alevitët, druzët dhe të krishterët.
Nuk ka gjasa që udhëheqësi i HTS, Al-Jolani, të jetë në gjendje të ribashkojë një vend të përçarë prej kohësh më shumë se sa mundi të bëjë Assadi. Turqia mund të nisë të veprojë për të shtypur Forcat Demokratike Siriane (SDF) të dominuara nga kurdët.
SDF me siguri që do të luftojë, por e ardhmja e tyre do të jetë më e dyshimtë nëse presidenti Trump e realizon qëllimin e tij të dukshëm për të tërhequr trupat amerikane nga Siria Veriore me të cilën ata janë aleatë. SDF ka qenë kontribuesja kryesore e shkatërrimit të kalifatit të Shtetit Islamik në Siri.
Duke luftuar kundër Turqisë për mbijetesën e tyre, kurdët sirianë nuk do të kishin më kapacitete për të luftuar kundër ISIS-it, që në këto kushte mund të rishfaqet më fuqishëm. Rusia bashkë me Iranin e mbajtën në pushtet Assadin. Por tani Moska po bën një rishikim të detyruar të strategjisë së saj ndaj Sirisë.
Duket e pamundur që Putini të jetë në pozicionin e duhur për të ndihmuar në mbrojtjen e aleatëve të tij alevitë. Irani është tërhequr, por nuk do të ketë hequr dorë nga planet e tij keqdashëse ndaj Sirinë, pavarësisht nga kjo pengesë e madhe.
Deri më tani Teherani ka shmangur kritikat e drejtpërdrejta ndaj HTS, dhe mund të jetë duke synuar të kultivojë një marrëdhënie afatgjatë ose të nisë përpjekjet për të destabilizuar qeverinë e re. Dhe asnjë nga këto skenarë nuk është përtej makinacioneve cinike të ajatollahëve.
Por përtej vetë Sirisë, cilat mund të jenë pasojat e largimit të detyruar të Assadit në Rusi? Grupet opozitare islamike në Jordani mund të frymëzohen nga mënyra sesi Al-Jolani e rrëmbeu pushtetin në Siri. Po ashtu, ka të ngjarë që HTS dhe xhihadistët e tjerë në Siri t’ia vënë syrin Mbretërisë Jordaneze.
Qëllimi i tyre është radikalizimi islamik i Levantit. Edhe pse përkohësisht e lënë pezull, teksa ky grupim po përpiqet të tregojë sërish muskuj në Siri, me kalimin e kohës kjo aspiratë ka të ngjarë të kthehet në plan të parë. Por problemet e Amanit nuk mbarojnë këtu.
Irani ka punuar prej kohësh për ta destabilizuar Jordaninë. Dhe pas zhvillimeve të fundit në Siri, do të bëhet një prioritet më i madh. Izraeli, SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë interesa në stabilitetin e Jordanisë. Në veçanti Izraeli, ka qenë një mbështetës i madh, dhe është më shumë se kurrë i fokusuar në parandalimin e rënies së mbretit Abdullah.
Ndërsa Irani po synon të rrëzojë këtë të fundit, vetë Ajatollahët janë bërë më të brishtë. Një nga pengesat kryesore për kryengritjen kundër regjimit ishte lufta e përgjakshme civile 14-vjeçare në Siri, e cila i kushtoi jetën qindra mijëra njerëzve.
Tani opozita në Iran mund të inkurajohet nga një kombinim i dobësisë së Teheranit si pasojë e goditjeve të fundit nga Izraeli dhe frymëzimit me një revolte të suksesshme dhe praktikisht pa gjakderdhje në Siri. Në rast se administrata e ardhshme e Donald Trump do ta lejojë Izraelin që të shkatërrojë programin bërthamor të Iranit në muajt e ardhshëm, atëherë kjo mund të bëhet një pikë kthese që do të sjellë ndryshimin e regjimit në Teheran.
Ashtu si rënia e Basha Al-Assadit, fundi i regjimit të Ajatollahëve do të sillte një përfitim të dukshëm për sigurinë e Lindjes së Mesme. Por nga ana tjetër ngritja e Erdoganit me axhendën e tij islamike, mund të shndërrohet në sfidën tjetër të madhe për këtë rajon të trazuar./Përshtati "Pamfleti" nga “Daily Telegraph”
Lini një Përgjigje