Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ka paralajmëruar se Evropa duhet të forcojë sigurinë dhe kapacitetin e saj të reagimit, në një kohë kur SHBA-ja sinjalizon mundësinë e reduktimit të pranisë ushtarake në kontinent.
Duke folur në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Jerevan, Meloni theksoi se diskutimet për një shkëputje më të madhe të SHBA-së nga Evropa kanë kohë që zhvillohen, ndaj vendet evropiane duhet të rrisin autonominë e tyre në fushën e sigurisë.
“Nuk mund t’ju them se çfarë do të ndodhë. SHBA-të kanë kohë që diskutojnë për shkëputjen e tyre nga Evropa, prandaj mendoj se duhet të forcojmë sigurinë tonë dhe të rrisim kapacitetin tonë të reagimit”, u tha Meloni gazetarëve kur u pyet për komentet e Trump.
“Është një zgjedhje që nuk varet nga unë dhe me të cilën personalisht nuk do të pajtohesha”, shtoi ajo.
Komentet e saj vijnë pasi Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi tërheqjen e 5,000 trupave nga Gjermania, në një klimë marrëdhëniesh të tensionuara me aleatët e NATO-s. Ai ka kritikuar gjithashtu vendet evropiane për barrën e sigurisë dhe për mungesë mbështetjeje në operacione ndërkombëtare.
Meloni u shpreh se nuk pajtohet me një reduktim të pranisë amerikane, por theksoi se vendimi nuk varet nga Italia. Ajo shtoi se Roma i ka përmbushur angazhimet e saj ndërkombëtare dhe kundërshtoi disa kritika të drejtuara ndaj vendit të saj.
Kryeministrja italiane pritet të takohet me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në Romë, në një përpjekje për të diskutuar zhvillimet e fundit dhe marrëdhëniet dypalëshe.
Lini një Përgjigje