
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump tha se do të vendosë masa ndaj Kolumbisë, pasi refuzoi të pranonte dy avionë ushtarakë amerikanë me emigrantë që po deportoheshin, në kuadër të goditjes së emigracionit të paligjshëm.
Sipas Trump, vendosja e tarifave, sanksioneve dhe ndalimi i udhëtimeve është një kundërpërgjigje ndaj vendit të Amerikës së Jugut.
Presidenti Trump u shpreh se veprimi i Presidentit kolumbian Gustavo Petro rrezikoi sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, ndërsa shtoi se ka udhëzuar administratën amerikane që të marrë masa si kundërpërgjigje.
Ato përfshijnë vendosjen e tarifave urgjente prej 25 për qind për të gjitha mallrat që hyjnë në Shtetet e Bashkuara, të cilat do të shkojnë deri në 50 përqind brenda një jave; ndalim udhëtimi dhe heqje vizash për zyrtarët e qeverisë kolumbiane dhe aleatët e saj; sanksione emergjente bankare dhe financiare dhe kontroll të zgjeruar në kufi të shtetasve kolumbianë.
"Këto masa janë vetëm fillimi. Ne nuk do të lejojmë që qeveria kolumbiane të shkelë detyrimet e saj ligjore në lidhje me pranimin dhe kthimin e kriminelëve që ata dërguan në Shtetet e Bashkuara!", shkroi Trump në rrjetin Truth Social.
Refuzimi i Kolumbisë për të pranuar fluturimet është rasti i dytë i një vendi të Amerikës Latine që nuk pranon luturimet e dëbimit të ushtrisë amerikane.
Lini një Përgjigje