
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i cili gjatë takimit me ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, tha se duke nisur nga sot, edhe Finlanda është pjesë e Aleancës së Atlantikut. Ai u shpreh se nga sot neni 5 i NATO-s është i vlefshëm edhe për Finlandën. Neni 5 i NATO-s nënkupton rregullin që kushdo shtet që sulmon Finlandën ushtarakisht, konsiderohet se ka sulmuar të gjithë aleancën dhe të gjithë aleatët do të përgjigjen së bashku ndaj agresionit.
“Nga sot, neni 5 i Traktatit të NATO-s që vendos parimin “të gjithë për një, një për të gjithë” do të zbatohet edhe “për Finlandën”, e cila zyrtarisht po i bashkohet aleancës. Jam i lumtur që jam sekretari i përgjithshëm që mirëpret Finlandën si një anëtare të plotë të NATO-s" dhe "thjesht shikoni hartën për të kuptuar se sa strategjike dhe e rëndësishme është Finlanda për sigurinë e rajonit Baltik", tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg
Anëtarësimi i Finlandës në NATO do të jetë një ngjarje historike dhe rezultat i drejtpërdrejtë i pushtimit rus të Ukrainës, tha shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke shtuar se aleanca do të përpiqet që Suedia të bëhet gjithashtu një anëtare me të drejta të plota.
“Presidenti Putin kishte si qëllim që të pengonte zgjerimin e NATO-s. Por tani po ndodh pikërisht e kundërta. Finlanda sot, dhe së shpejti edhe Suedia do të bëhet një anëtare e plotë e aleancës,” tha ai
Finlanda së bashku me Suedinë janë dy vende që prej vitesh kanë bërë përpjekje për t'u anëtarësuar në NATO, por përpjekjet e tyre u shtuan në momentin që ndodhi agresion rus në Ukrainë, gjë që ngjalli pasiguri nëse Rusia mund të sulmonte edhe vendet nordike në të ardhmen e afërt. Anëtarësimi i Suedisë është i bllokuar aktualisht nga Turqia e cila i ka kërkuar shtetit suedez që të ekstradojë disa persona që i konsideron si terroristë, por një gjykatë e lartë e këtij vendi e ka hedhur poshtë këtë kërkesë.
Sa i takon luftës, Stoltenberg u shpreh se nuk kishte asnjë parashikim të mundshëm lidhur me përfundimin e saj, por për Ukrainën është caktuar një ndihmë ushtarake prej 64 miliardë dollarësh.
Ndërkohë sot, pritet që presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky të vizitojë Varshavën. Ndërsa presidenti francez, Emmanuel Macron do të vizitojë të nesërmen Pekinin së bashku me një grup biznesmenësh për të vendosur marrëdhënie të tjera ekonomike me Kinën.
Lini një Përgjigje