
Një burim shqetësimi në rritje për Kinën, është paqëndrueshmëria e madhe në Lindjen e Mesme.
Viti 2024 ka qenë jo pak sfidues për Kinën. Ndërsa qeveria kineze është përballur me problemet ekonomike në vend, në skenën ndërkombëtare është marrë me pasojat komplekse të aleancës së saj me Rusinë. Dhe ndërsa ka vazhduar të luajë një rol të rëndësishëm në ekonominë globale, 5 janë faktorët e mundshëm që mund të prishin planet e saj gjatë vitit 2025.
1. Rivaliteti i ri me SHBA-në
Shqetësimi më i madh për Pekinin, do të jetë rindezja e një politike ultra-agresive të SHBA-së ndaj Kinës, pasi Donald Trump të marrë detyrën e presidentit më 20 janar. Trump e ka kërcënuar tashmë Kinën dhe disa vende të tjera me tarifa deri në 60 për qind, gjë që sugjeron një vazhdim të luftës tregtare, të cilën ai e nisi që gjatë presidencës së tij të mëparshme.
Një marrëdhënie më e diskutueshme me SHBA-në, do të përbënte një sfidë të rëndësishme për Kinën. Por Pekini nuk është i papërgatitur për këtë, pasi ka mësuar shumë nga lufta e mëparshme tregtare e SHBA-së. Kjo mund të shihet tek mënyra se si kompanitë kineze si Huawei, janë përpjekur të zvogëlojnë varësinë e tyre nga tregjet dhe teknologjitë amerikane, duke u zgjeruar në fusha të tjera.
Po kështu, Kina ka qenë më e gatshme të përdorë masa ndëshkuese kundër SHBA-së, siç u pa kohët e fundit nga kufizimi i saj në eksportin e mineraleve të rrallë (të përdorur për bateritë dhe konvertuesit katalitikë). Ndaj, Pekini është në një pozicion më të mirë për të zhvilluar një luftë tregtare se sa në vitin 2017.
2. Luftërat globale të teknologjisë
Ndërsa tarifat do të tërheqin padyshim vëmendjen më të madhe, ka gjasa të shohim një betejë tjetër mbi zhvillimin teknologjik të Kinës, që do të përbënte një sfidë të dukshme për supremacinë tregtare të SHBA-së. Teknologjia është bërë një element gjithnjë e më i rëndësishëm në planet e Kinës.
Pekini po synon të shtojë vendet e punës dhe prodhimin në këtë sektor, pjesërisht duke rritur eksportet e tij. Po ashtu, kufizimi i saj është bërë një prioritet për SHBA-në. Në këtë kuadër, janë edhe përpjekjet për të kufizuar qasjen e Kinës në teknologjinë e gjysmë-përçueseve.
Po ashtu ka edhe një konkurrencë për vendosjen e standardeve për teknologjinë. Kjo dëshmohet nga ajo që është etiketuar si “efekti i Pekinit”, ku Kina synon të vendosë standarde për infrastrukturën dixhitale, ashtu siç vepron BE-ja për menaxhimin e të dhënave dhe privatësinë përmes legjislacionit të saj, GDPR. Një veprim i tillë, mund t’i garantojë Kinës udhëheqjen strategjike në botën e teknologjisë.
3. Tarifa nga BE-ja
Kina ka një konflikt tregtar po aq sfidues me Evropën, në formën e një serie tarifash të vogla. Për shembull, Pekini ka vendosur tarifa importi për pijet alkoolike franceze, në kundërpërgjigje të kufizimeve të BE-së ndaj importit të makinave elektrike kineze nga shtetet anëtare të BE-së.
Kjo ndodh në një kohë kur Kina ka nisur të depërtojë në teknologji, që ishin dikur pronë e kombeve të tjera. Donald Trump e ka ftuar presidentin Xi të marrë pjesë në inaugurimin e tij. Një luftë tregtare me BE-në, e shoqëruar me diskutimet e fundit për zgjerimin e rolit të NATO-s në Azi, mund të përbëjë një problem serioz për Pekinin, sidomos nëse kjo çon në një harmoni më të madhe midis Brukselit dhe Uashingtonit.
4. Aleanca me Rusinë
Në pamje të parë, Rusia është bërë gjithnjë e më jetike për Kinën si një burim për lëndën ë parë dhe tregjet, ndërsa Kina është një burim kyç i mbështetjes ekonomike për Moskën. Por kjo mbështetje ka ndikuar negativisht në marrëdhëniet e Kinës me shtetet evropiane, disa prej të cilave e kanë parë Pekinin si një mbështetës të luftës së Rusisë në Ukrainë.
Po kështu, pushtimi rus i Ukrainës dhe lufta ende në vazhdim, mund të vazhdojnë të jenë një shpërqendrim i dobishëm për Pekinin, duke e mbajtur vëmendjen e SHBA-së larg Kinës. Nëse do të jetë i suksesshëm, plani i paqes i Trump për luftën në Ukrainë, mund ta lejojë SHBA-në të përqendrohet sërish tek Kina. Zgjidhja e atij konflikti, mund të sigurojë edhe një mënyrë për afrimin midis Uashingtonit dhe Moskës, gjë që do të ishte kundër Pekinit.
5. Konfliktet në Lindjen e Mesme
Një burim shqetësimi në rritje për Kinën, është paqëndrueshmëria e madhe në Lindjen e Mesme. Ashtu si me Rusinë, edhe ky rajon është bërë një burim kryesor për lënët e para dhe tregjet për Pekinin. Një shqetësim tjetër për Pekinin, ka qenë potenciali për një konflikt rajonal midis Iranit dhe Izraelit.
Teherani është një burim kyç i naftës për Kinën. Në rastin e një lufte, këto furnizime mund të pakësohen apo të ndërpriten plotësisht, gjë që do të krijonte probleme ekonomike të mëtejshme për Pekinin. Po kështu, rindezja e luftës civile në Siri përbën një shqetësim tjetër për presidentin Xi Jinping.
Ujgurët kinezë (një grupim etnik kryesisht mysliman), ishin pjesë e forcave që e përmbysën presidentin sirian Bashar Al-Assad, sidomos si pjesë e partisë islamike të Turkestanit (TIP). Disa anëtarë të TIP, kanë kërcënuar se do të përdorin armët e blera në Siri në betejën e gjatë për një shtet të pavarur në rajonin Xinjiang të Kinës Perëndimore, ku janë vendosur ujgurët./Përshtati "Pamfleti" nga “The Conversation”
Lini një Përgjigje