TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota15 Maj 2024, 16:10

Nga komunisti i epokës sovjetike te populisti i sotëm, kush është kryeminsitri sllovak që ju bë atentat?!

Shkruar nga Alessandra Muglia

Nga komunisti i epokës sovjetike te populisti i sotëm, kush

Ai u bë deputet në moshën njëzet e tetë vjeçare në vitin 1992, në radhët e partisë së majtë të lindur nga hiri i Partisë Komuniste

Pesë vjet më parë ai dukej si një njeri i kapitulluar politikisht. Pas vrasjes së gazetarit investigativ Ján Kuciak dhe të dashurës së tij, mijëra njerëz dolën në rrugë për të protestuar kundër korrupsionit të shfrenuar në qeverinë e tij, duke e detyruar atë të japë dorëheqjen.

Ai dukej i “rrënuar”, partia e tij më pas u nda dhe nuk arriti të fitonte zgjedhjet e 2020, për herë të parë që nga viti 2006. Në vend të kësaj, Robert Fico u kthye në modë dhe fitoi sfidën për mandatin e tij të katërt me tonet pro-ruse dhe ksenofobike.

Është historia e politikanit më me ndikim dhe më kontrovers në historinë moderne të Sllovakisë: ai u bë deputet në moshën njëzet e tetë vjeçare në vitin 1992, në radhët e partisë së majtë të lindur nga hiri i Partisë Komuniste. Themeluesi i atëhershëm i SMER, një parti socialdemokrate që aderon në grupin S&D në Bruksel (duke turpëruar socialistët e Evropës), u zgjodh kryeministër tre herë në 2006, 2012 dhe 2016. Mandati i fundit u ndërpre nën presionin e protestave pas vrasjes së gazetarit Ján Kuciak.

Arsyet e rilindjes së tij janë pjesë e shëmbëlltyrës së guximshme politike: nga komunisti i epokës sovjetike te populisti i sotëm. “Në realitet, Fico nuk ka ndryshuar kurrë, ai ka qenë gjithmonë një njeri pragmatik, cinik, i etur për pushtet. Ai është një njeri me një mijë fytyra, një për çdo rast. Në të kaluarën ai u tregua pro-evropian dhe në minutën tjetër kundër Evropës”, thotë Peter Bárdy, drejtor i "Aktuality".

Disa shembuj: në vitin 2013 ai shkoi në Shtëpinë e Bardhë, por kur u kthye në Atdhe tha se SHBA nuk ishin partnerët më të afërt të Sllovakisë dhe se NATO nuk ishte aleati i vetëm, atje ishin edhe rusët.

Pas pushtimit të Krimesë, në vitin 2014, ministri i tij i Jashtëm votoi në Bruksel në favor të sanksioneve kundër Rusisë, ndërsa në Sllovaki përsëriti se sanksionet nuk funksionojnë: “Ai ka qenë i dyfishtë gjatë gjithë karrierës së tij. Kjo ishte strategjia e tij cinike për të qëndruar në pushtet”.

Gjatë raundit të fundit elektoral, Fico theksoi tonet e tij agresive dhe despotike. "Pas vrasjes së Kuciak, e kishte të qartë se votuesit e tij nuk janë liberalë, socialdemokratë, kështu që ai nuk ka më nevojë t'u bëjë më sy, prandaj tani nëse shkon në qeveri do të bëhet një Orban i vogël". Në fund të fundit, dy liderët kanë disa kohë që bashkëpunojnë.

Vitin e kaluar kriza e emigrantëve shpërtheu në Sllovaki falë ndihmës së Orbanit, i cili hapi portat në kufi për të lejuar Fico të justifikonte një nga pikat kyçe të fushatës së tij elektorale. Dhe në të kaluarën kur BE-ja sulmoi Orbanin, ai e mbrojti atë”, sqaron Bárdy.

Kur një politikan kërkon vota është si të shkosh në një supermarket: pas vrasjes së Kuciakut, Fico i gjeti raftet bosh, kishte vetëm mollë të kalbura”, vijoi ai.

Në kuptimin që ai mund të fitonte vetëm konsensus midis anti-sistemit të zemëruar dhe të frustruar. Por këto ndjenja janë rritur gradualisht në Sllovaki vitet e fundit, të nxitura nga paaftësia e populistit të qendrës së djathtë Igor Matoviç, fitues i zgjedhjeve të fundit në 2020, dhe nga betejat e brendshme të koalicionit properëndimor (kanë qenë tre qeveri në tre vjet).

Një paqëndrueshmëri që ka sjellë rritjen e kostos së jetesës. Kështu, pakënaqësia e përhapur dhe një fushatë dezinformuese agresive e kanë kthyer Fico-n në pole position.

Disa analistë thonë se fytyra e fundit e Ficos është më autentike. “Ai, me origjinë modeste, u rrit i fiksuar pas pushtetit – vëren Bardy –. Babai i tij ishte shofer kamionçinë në një fabrikë dhe vdiq herët, ai u rrit me nënën e tij, shitëse dyqani dhe në moshën 19-vjeçare u bashkua me Partinë Komuniste, e cila në vitet 1980 ishte një mënyrë për të bërë karrierë. Ai u martua me Svetlana Ficová , vajza e një gjyqtari të fuqishëm komunist, por ata nuk kanë jetuar së bashku për një kohë të gjatë. Dashuria e tij e vërtetë është Maria Troskova, ish e dashura e kalabrezit Antonino Vadalà dhe këshilltare e kryeministrit Fico përpara dorëheqjes së tij në 2018. Kuciak po hetonte lidhjet e Vadala dhe 'Ndrangheta' me autoritetet sllovake kur u vra. Vrasja e gazetarit shënoi fundin e marrëdhënies mes Ficos dhe Maria Troskovës”, tha Bárdy. / Përshtati "Pamfleti" nga "Corriera Della Sera"

Lini një Përgjigje