
Presidenti argjentinas Javier Milei ka dalë fitues me diferencë të madhe në zgjedhjet e mesmandatit të së dielës, duke forcuar pushtetin e tij pas dy vitesh në detyrë të karakterizuara nga masa ekstreme shkurtime shpenzimesh dhe reforma radikale të tregut të lirë.
Partia e tij “La Libertad Avanza” (Liria Përparon) fitoi rreth 41% të votave, duke siguruar 13 nga 24 ulëset në Senat dhe 64 nga 127 mandatet e Dhomës së Ulët që ishin në garë. Një fitore që e vendos Milein në pozicion të fuqishëm për të kaluar pa pengesa agjendën e tij ekonomike, shkurtime drastike të buxhetit të shtetit dhe deregulim të tregut.
Para këtyre zgjedhjeve, Milei kishte vetëm 7 senatorë dhe 37 deputetë, çka e detyronte të përballej me opozitën për çdo nismë ligjore. Ligjet që synonin rritjen e fondeve për universitetet shtetërore, kujdesin ndaj fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuara, shpesh kalonin mbi veton e tij. Por pas kësaj fitoreje, situata politike në Buenos Aires ndryshon rrënjësisht.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e përshëndeti publikisht fitoren e Mileit në rrjetet sociale, duke e quajtur atë “një udhëheqës që po na bën të gjithëve të dukemi mirë”. Para zgjedhjeve, Trump kishte paralajmëruar se një paketë ndihme prej 40 miliardë dollarësh nga SHBA për Argjentinën do të varej nga suksesi elektoral i Mileit, deklaratë që kritikët e quajtën ndërhyrje të hapur në procesin demokratik argjentinas.
Në shenjë mirënjohjeje ndaj aleatit të tij nga veriu, Milei iu drejtua mbështetësve me një thirrje që tingëllon e njohur për amerikanët: “Duhet të forcojmë rrugën e reformës që kemi nisur, për ta kthyer historinë e Argjentinës njëherë e mirë... për ta bërë Argjentinën përsëri të madhe!”
Jashtë hotelit në Buenos Aires ku Milei priste rezultatet, mijëra përkrahës brohorisnin. “Milei nuk kishte as 15% të Kongresit në anën e tij. Tani do ta ndryshojë vendin brenda një viti”, tha një votues i ri, Dionisio. Një tjetër, Ezequiel, shtoi: “Qeveritë e mëparshme e shkatërruan provincën tonë. Tani, falë Zotit, fitoi liria.”
Që nga marrja e pushtetit në vitin 2023, Milei ka zbatuar politikën e tij të “sharrës elektrike” ndaj shpenzimeve publike, një simbol që ai e valëviti vetë në fushatë. Ai ka shkurtuar buxhetet për arsimin, pensionet, shëndetësinë, infrastrukturën dhe subvencionet, duke pushuar dhjetëra mijëra punonjës publikë.
Mbështetësit dhe investitorët e huaj, përfshirë edhe presidentin Trump, e lavdërojnë për frenimin e inflacionit trefish, reduktimin e deficitit buxhetor dhe rritjen e besimit të tregjeve. Por kundërshtarët e tij flasin për papunësi në rritje, rënien e fuqisë blerëse, mbyllje fabrikash dhe kolaps të shërbimeve publike.
Një punonjëse sociale nga Tucumán, Juliana, tha për median lokale: “Ligji për fondet e personave me aftësi të kufizuara që Milei e bllokoi, tani rrezikon të zhduket plotësisht. Pagat tona mbeten të ulëta, çmimet rriten. Nuk shohim ende ndryshim.” Ndërsa Veronica, ish-police në pension, e përshkroi situatën kështu: “Ka shumë varfëri. Është e vështirë për pensionistët, për prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara, për të rinjtë. Fabrikat po mbyllen çdo muaj.”
Fitorja e Mileit është një kthesë e madhe në politikën e Amerikës Latine: një fitore e populizmit libertarian që përzihet me frymën “trumpiste”. Por ajo mbetet edhe një eksperiment i rrezikshëm ekonomik, një ndërmarrje që mund të sjellë stabilitet fiskal, ose varfëri të thellë për shtresat e mesme e të ulëta. Argjentina është futur tashmë në rrugën e “terapisë së shokut”, dhe bota po e ndjek me ankth: a do të arrijë Milei ta “bëjë Argjentinën të madhe sërish”, apo do të jetë ky kapitulli i fundit i një ekonomie që shkurton vetveten për të shpëtuar? /BBC
Lini një Përgjigje