
Pyes veten, a mendoni vërtet se mund të ndërtoni një botë më të mirë në këtë mënyrë? A mendojmë vërtet se mund të arrijmë paqen?
Papa Françesku në meshën e kësaj të diele, në sheshin e Shën Pjetrit ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës.
Duke marrë shkas nga vdekja e mijëra njerëzve që nga nisja e konfliktit më 7 tetor, të vitit të kaluar, Papa tha se nuk mund të ndërtohet një botë më e mirë në këtë mënyrë. Ai bëri thirrje që t’i jepet fund vuajtjes në rripin e Gazës dhe të mendohet për arritjen e paqes.
“Unë mbaj në zemrën time me dhimbje çdo ditë vuajtjet e popullatës në Palestinë dhe Izrael për shkak të armiqësive të vazhdueshme. Mijëra të vdekur e të plagosur, të shpërngulur, shkatërrime të pamasë që shkaktojnë dhimbje me pasoja të tmerrshme për fëmijët. Pyes veten, a mendoni vërtet se mund të ndërtoni një botë më të mirë në këtë mënyrë? A mendojmë vërtet se mund të arrijmë paqen? Jo më ju lutem, të gjithë themi 'jo më ju lutem'. Stop”, tha Papa Françesku.
Më tej, Papa ju bëri thirrje Hamasit dhe Izraelit që të arrijnë një dakordësi për armëpushimin dhe lirimin sa më shpejt të pengjeve, si dhe dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza.
"I inkurajoj negociatat që të vazhdojnë për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe në të gjithë rajonin, në mënyrë që pengjet të lirohen menjëherë dhe të kthehen te të dashurit e tyre që i presin dhe popullata civile të ketë akses të sigurt në ndihmën humanitare", shtoi ai.
Kujtojmë se më shumë se 30.000 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës prej fillimit të luftës mes Izraelit dhe Hamasit më 7 tetor të vitit 2023. Që prej nisjes së kundërpërgjigjes së Izraelit, palestinezët e ndodhur në rripi e Gazës, janë përballur me tmerre nga më të ndryshmet, që nga vrasjet në masë të familjarëve të tyre e deri te mungesa e ushqimit dhe ujit të pijshëm. Situata kulmoi pak ditë më parë, ku së paku 104 njerëz u vranë nga ushtria izraelite në turmën ku palestinezët u rreshtuan për të marrë ndihmë.
Që prej atij momenti, qëndrimi i SHBA-së ka ndryshuar dhe presioni ndaj izraelit është rritur për të pranuar një marrëveshje paqeje me Hamasin. Pak orë më parë, një delegacion i Hamasit ka mbërritur në Kajro për të biseduar mbi përpjekjet për ndërmjetësimin e një armëpushim në Gaza./Pamfleti
Lini një Përgjigje