
Ndërkohë kjo elitë ndërkombëtare në rritje, po krijon diçka shumë të ndryshme: një shoqëri, në të cilën bestytnitë mposhtin arsyen dhe logjikën, transparenca zhduket, dhe veprimet e liga të liderëve politikë, fshihen pas një reje marrëzie dhe shpërqendrimi.
Pisha të ngrira buzë një liqeni të akullt. Bie borë dhe në sfond dëgjohet një muzikë. Një burrë me flokë të thinjur me një fytyrë simpatike po qëndron pranë liqenit. Ai zhvishet dhe nis të notojë, për të treguar besimin dhe kundërshtimin e tij ndaj shkencës, teknologjisë dhe modernitetit.
“Unë nuk kam nevojë për Facebook; s’kam nevojë për internet; unë nuk kam nevojë për askënd. Më duhet vetëm zemra ime!”- thotë ai. Pasi noton deri në skajin tjetër të liqenit, në dukje i pa shqetësuar nga i ftohti i madh, ai shton: “Unë i besoj sistemit tim imunitar, sepse kam besim dhe besim të plotë tek krijuesi i tij, Zoti. Imuniteti im është pjesë e sovranitetit të qenies sime!”.
Burri quhet Călin Georgescu, njeriu që i tronditi bashkatdhetarët e tij kur fitoi raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale rumune më 24 nëntor të vitit të kaluar, pavarësisht se mezi figuronte në sondazhe, dhe që e zhvilloi fushatën e tij pothuajse tërësisht në TikTok, ku rregullat e platformës, në dukje të dizajnuara për të kufizuar apo rregulluar mesazhet politike, duket se nuk e kanë frenuar aspak.
Përkundrazi, ai përdori taktika të ngjashme me shumë influencues të mediave sociale për t’iu drejtuar algoritmit TikTok. Ndonjëherë përdorte në sfond një muzikë të qetë, melankolike për piano, duke iu lutur njerëzve që të “votonin me shpirtin e tyre”. Apo titra të veçanta, ndriçim të fortë, ngjyra fluoreshente dhe muzikë elektronike, duke bërë thirrje për një “rilindje kombëtare”, dhe duke kritikuar forcat sekrete që dyshohet se kanë synuar të dëmtojnë rumunët.
“Urdhri për të shkatërruar punët tona erdhi nga jashtë!”- thotë ai në një video. Në një tjetër, ai flet për “mesazhe të nënkuptuara” dhe për kontrollin e mendimit. Zëri i tij shoqërohet me imazhet e një dore që mban telat që lëvizin kukullat. Në muajt para zgjedhjeve, këto video grumbulluan më shumë se 1 milion shikime.
Diku tjetër, ky mistik i epokës moderne ka lavdëruar Ion Antonescu, diktatorin rumun të kohës së Luftës së Dytë Botërore që bashkëpunoi me Hitlerin dhe u dënua me vdekje për krime lufte, përfshirë rolin e tij në Holokaustin rumun. Ai i ka quajtur heronj kombëtarë si Antoneskun ashtu edhe udhëheqësin e Gardës së Hekurt të paraluftës, një lëvizje e dhunshme antisemite.
Georgescu është takuar dy herë me Alexander Dugin, ideologun fashist rus, i cili postoi në platformën X deklaratën (që më pas u fshi) se “Rumania do të jetë pjesë e Rusisë”. Në të njëjtën kohë, Georgescu vlerëson cilësitë shpirtërore të ujit. “Ne nuk e dimë se çfarë është uji. Formula H2O nuk do të thotë asgjë”- thekson ai.
Gjithashtu ai pretendon se “uji ka një kujtesë, dhe ne e shkatërrojmë shpirtin e tij përmes ndotjes”, apo se “uji është i gjallë dhe na dërgon mesazhe, por jemi ne që nuk dimë t’i dëgjojmë ato”. Ai beson se pijet e gazuara, përmbajnë çipa të vegjël që “hyjnë në trupin tuaj njëlloj si në një laptop”.
Bashkëshortja e tij, Cristela, prodhon video në YouTube mbi shërimin alternativ, duke përdorur terma të tillë si acidoza limfatike dhe metabolizmi i kalciumit për t’i shpjeguar recetat e saj. Të dy bashkëshortët promovojnë “paqen”.
Sipas tyre Rumania, e cila kufizohet me Ukrainën dhe Moldavinë, duhet të ndalojë së ndihmuari Ukrainën të mbrohet kundër pushtuesve rusë. “Lufta nuk mund të fitohet me luftë!”- shkroi Cristela Georgescu në Instagram disa javë para fillimit të votimit.
As ajo dhe as burri i saj nuk përmendin kërcënimet e sigurisë ndaj Rumanisë, që do të rriteshin në mënyrë eksponenciale pas fitores së Rusisë në Ukrainë, dhe as kostot ekonomike, krizën e refugjatëve dhe paqëndrueshmërinë politike që do të pasonte.
Megjithëse Călin Georgescu pretendoi se nuk kishte shpenzuar para në këtë fushatë, qeveria rumune thotë se dikush u ka paguar në mënyrë të paligjshme përdoruesve të TikTok qindra mijëra dollarë për të promovuar Georgescun, dhe se të huaj të panjohur kanë koordinuar aktivitetin e dhjetëra mijëra llogarive të rreme, përfshirë të disa institucioneve të imituara shtetërore.
Hakerët, të dyshuar si rusë, kryen më shumë se 85,000 sulme kibernetike ndaj infrastrukturës zgjedhore rumune. Më 6 dhjetor 2024, në përgjigje të gjetjeve të qeverisë rumune mbi sulmet “agresive” ruse dhe shkeljet e ligjit zgjedhor, Gjykata Kushtetuese e Rumanisë anuloi zgjedhjet dhe rezultatet e raundit të parë.
Po kush janë saktësisht këta njerëz? Si t’i klasifikojmë? Edhe pse është joshëse t’i përshkruajmë si “ekstra e djathta”, kjo terminologji e vjetër nuk tregon kë apo çfarë përfaqësojnë. Termat e djathtë dhe e majtë vijnë nga Revolucioni Francez, kur fisnikëria që synonte të ruante statuskuonë, u ul në anën e djathtë të Asamblesë Kombëtare,
Ndërkohë revolucionarët, të cilët donin ndryshime demokratike, u ulën në të majtë. Këto përkufizime filluan të humbin vlerën një dekadë më parë, kur një pjesë e së djathtës, si në Evropë ashtu edhe në Amerikën e Veriut, filloi që të mbrojë jo kujdesin dhe konservatorizmin, por shkatërrimin e institucioneve ekzistuese demokratike.
Dhe në mishërimin e saj të ri, e djathta ekstreme filloi që t’i ngjante ekstremit të majtë të dikurshëm. Në disa vende, të dyja filluan që të bashkohen. Kur teoritë e konspiracionit dhe kurat e pakuptimta mjekësore pranohen gjerësisht nga popullata, gabimet madhe edhe krimet zhduken shpejt.
Filozofët e Iluminizmit, besimi i të cilëve në mundësinë e krijimit të shteteve demokratike të bazuara tek ligji, na dhanë si Revolucionin Amerikan ashtu edhe atë Francez. Ata ishin kundër asaj që ata e quanin obskurantizëm: errësirë, turbullim, mungesë arsyeje.
Por profetët e asaj që ne mund ta quajmë tani Obskurantizmi i Ri ofrojnë pikërisht ato gjëra: zgjidhje magjike, një atmosferë shpirtërore, bestytni dhe kultivim të frikës. Midis tyre ka influencues në çështjet e shëndetit që kanë shprehur edhe ambicie politike; tifozët e lëvizjes gati-fetare QAnon dhe propagandistët e saj ë formë Pizzagate; dhe anëtarë të partive të ndryshme politike, në të gjithë Evropën, që janë pro Rusisë dhe kundër vaksinës dhe në disa raste edhe promovues të nacionalizmit mistik.
Mbivendosje të çuditshme vërehen kudo. Si politikania gjermane e krahut të majtë Sahra Wagenknecht, ashtu edhe partia e krahut të djathtë Alternativa për Gjermaninë, promovojnë skepticizmin ndaj vaksinave dhe ndryshimeve klimatike, nacionalizmin e gjakut dhe tokës dhe ndërprerjen e mbështetjes së Gjermanisë për Ukrainën.
Në të gjithë vendet e Evropës Qendrore, një magjepsje e re pas magjisë po përputhet me ksenofobinë e krahut të djathtë dhe paganizmin e krahut të majtë. Udhëheqësit shpirtërorë po bëhen politikë, dhe aktorët politikë janë rikthyer tek okultizmi. Tucker Carlson, ish-prezantuesi i Fox News, i cili është bërë një avokat i zëshëm i agresionit rus, ka deklaruar se u sulmua nga një demon që la “gjurmë kthetrash” në trupin e tij.
Ky Obskurantizëm i Ri, ka prekur tani nivelet më të larta të politikës amerikane. Të huajt ashtu si amerikanët, e kanë qenë të vështirë të shpjegojnë ideologjinë prapa disa prej emërimeve të para të kabinetit të Donald Trump. I tillë është rasti i Tulsi Gabbard si drejtore e re e inteligjencës kombëtare.
Gabbard është një ish-demokrate progresiste me lidhje të përjetshme me Fondacionin Science of Identity, një sekt i shkëputur nga Hare Krishna. Ashtu si Carlson, ajo është mbështetëse publike e diktatorit rus Vladimir Putin dhe e diktatorit sirian tashmë të rrëzuar, Bashar Al-Assad.
Asgjë “konservatore” nuk mund të gjendet as tek Kash Patel, kandidati i Trump për drejtor i FBI-së, që ka paralajmëruar se synon të ndjekë penalisht një listë të gjatë të zyrtarëve aktualë dhe të mëparshëm të qeverisë, përfshirë shumë njerëz që shërbyen në administratën e parë të Trump.
Duke emëruar Rober Keneddy në kabinetin e tij, Trump ka siguruar përhapjen e mëtejshme të skepticizmit ndaj vaksinave të fëmijërisë në mbarë botën. Nga ana tjetër kjo do të përhapë më tej sëmundjet. Dhe siç kemi mësuar kohët e fundit, epidemitë priren që t’i bëjnë njerëzit të frikësuar dhe më të gatshëm për të përqafuar zgjidhje magjike.
Qytetërime të tjera kanë përjetuar momente të tilla. Kur perandoria e tyre filloi të bjerë në shekullin XVI, venedikasit filluan t’i drejtoheshin magjisë dhe të kërkonin mënyra të shpejta për t’u pasuruar. Misticizmi dhe okultizmi u përhapën me shpejtësi në ditët e fundit të perandorisë ruse.
Sektet fshatare promovuan besime dhe praktika ekzotike, përfshirë anti-materializmin, vetë-fshikullimin dhe vetë-kastrimin. Aristokratët në Moskë dhe Shën Petersburg iu kthyen teozofisë, një përzierje e feve botërore, shpikësja e së cilës, mistikja me origjinë ruse Helena Blavatsky, solli në SHBA besimin e saj hinduisto-budisto-kristiano-neoplatonik.
E njëjta atmosferë emocionale që prodhoi këto lëvizje e nxiti Rasputinin, një fshatar rus që pretendonte se kishte fuqi magjike shëruese, të shkonte në pallatin perandorak. Pasi e bindi perandoreshën Alexandra se mund të kuronte hemofilinë e djalit të saj, ai u bë këshilltar politik i Carit.
Ndikimi i Rasputin prodhoi një histeri akoma më të madhe. Kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore, shumë rusë ishin të bindur se forcat e errëta - tyomnye sily - kontrollonin vendin në fshehtësi. Zëvendësojini forcat e errëta me Shtetin e Thellë, dhe sa e ndryshme është ajo histori nga e jona sot?
Ashtu si rusët në vitin 1917, edhe ne jetojmë në një epokë ndryshimesh të shpejta: ekonomike, politike, demografike, arsimore, sociale, dhe mbi të gjitha informative. Edhe ne jetojmë në një kakofoni të përhershme, ku mesazhet kontradiktore, djathtas dhe majtas, të vërteta dhe të rreme, shfaqen gjatë gjithë kohës nëpër ekranet tona.
Fetë tradicionale kanë hyrë në një rënie afatgjatë. Institucionet e besuara duket se po dështojnë. Tekno-optimizmi i ka lënë vendin tekno-pesimizmit, pra frikës se tani teknologjia na kontrollon në mënyra që nuk mund t’i kuptojmë. Dhe në duart e Obskurantistëve të Rinj - të cilët promovojnë në mënyrë aktive frikën nga sëmundjet, lufta bërthamore, frikën nga vdekja - frika dhe ankthi janë armë shumë të fuqishme.
Për amerikanët, shkrirja e pseudo-spiritualitetit me politikën, përfaqëson një largim nga disa prej parimeve tona më të thella: që logjika dhe arsyeja çojnë tek qeverisja e mirë; se debati i bazuar në fakte, çon në një politikë të mirë; se qeverisja përparon falë transparencës; dhe se rendi politik është i trashëguar në rregulla, ligje dhe procese, dhe jo tek karizma mistike.
Mbështetësit e Obskurantizmit të Ri, i kanë shkelur idealet e Themeluesve të Amerikës, të cilët të e konsideronin veten si njerëz të Iluminizmit. Benjamin Franklin nuk ishte vetëm një mendimtar politik, por një shkencëtar dhe një avokat i guximshëm i vaksinimit kundër lisë.
George Washington ishte pro refuzimit të monarkisë, kufizimit të pushtetit të ekzekutivit dhe vendosjes së shtetit të së drejtës. Udhëheqësit e mëvonshëm amerikanë - Lincoln, Roosevelt, King - cituan Kushtetutën dhe autorët e saj për të forcuar argumentet e tyre.
Ndërkohë kjo elitë ndërkombëtare në rritje, po krijon diçka shumë të ndryshme: një shoqëri, në të cilën bestytnitë mposhtin arsyen dhe logjikën, transparenca zhduket, dhe veprimet e liga të liderëve politikë, fshihen pas një reje marrëzie dhe shpërqendrimi. Nuk ka kontrolle dhe ekuilibra në një botë ku ka rëndësi vetëm karizma, dhe nuk ka sundim të ligjit në një botë ku emocionet e mposhtin arsyen./Përshtati Pamfleti nga “The Atlantic”
Lini një Përgjigje