TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota29 Dhjetor 2024, 11:14

Midis Kievit, Trumpit, Libisë dhe Iranit, cilat janë planet e Putinit pas ndryshimeve në Siri?

Shkruar nga Paolo Rossetti

Midis Kievit, Trumpit, Libisë dhe Iranit, cilat janë planet e Putinit

Marco Bertolini, gjeneral i Brigadës Folgore në ushtrinë italiane, dhe komandant i operacioneve të shumta speciale në Liban, Somali, Kosovë dhe Afganistan, thotë se ka shumë pritshmëri mbi negociatat SHBA-Rusi...

Presidenti rus Vladimir Putin e cilësoi së fundmi si një “opsion të pranueshëm” propozimin e Sllovakisë për të mirëpritur negociatat për dhënien fund të luftës në Ukrainë. Deklaratat e presidentit rus u bënë gjatë vizitës së kryeministrit sllovak Robert Fico në Moskë.

Ndërkaq shefi i Kremlinit mbetet i gatshëm për të biseduar edhe me Donald Trumpin. Marco Bertolini, gjeneral i Brigadës Folgore në ushtrinë italiane, dhe komandant i operacioneve të shumta speciale në Liban, Somali, Kosovë dhe Afganistan, thotë se ka shumë pritshmëri mbi negociatat SHBA-Rusi, e nxitur kjo nga vetë deklaratat e Trump.

Por sipas tij nuk do të jetë aq e lehtë të negociohet me Kremlinin, dhe një refuzim i mundshëm nga Moska i propozimeve amerikane, mund të çojë në një reagim të papritur edhe nga presidenti amerikan. Ndërkohë, Rusia po kërkon hapësira të reja ​​në Mesdhe, dhe konkretisht në Libi, pasi nuk mund të mbështetet më tërësisht tek bazat e saj në Siri.

-Pasi takoi kryeministrin sllovak Fico, Putini legjitimoi bazën e negociatave që ofron. A mund të zgjerohet ky front alternativ evropian, i përbërë nga Fico dhe Orbán?

Afrimi i këtyre liderve me Putinin, është pasojë e një situate të zvarritur prej 3 vitesh, për të cilën Evropa po paguan kostot, nga pikëpamja ekonomike dhe energjetike. Orbán dhe Fico e kanë lënë të hapur derën e dialogut, edhe pse nuk ka shumë të tjerë që e ndjekin këtë kurs.

Ndoshta mund të jetë Erdogan, që vazhdon të ketë marrëdhënie me Putinin, pavarësisht se i përket NATO-s, dhe pavarësisht se kohët e fundit është protagonist i rrëzimit të Assadit në Siri, që nuk është në interesin e Rusisë. Turqia është disi pjesë e dialogut, nëse mos e Evropës, atëherë e Perëndimit. Por besoj se nuk ka gjasa që kësaj dysheje t’i shtohet dikush tjetër.

-Çfarë nënkuptojnë qëndrimet zyrtare?

Të gjitha vendet, përfshirë Italinë, vazhdojnë të konfirmojnë mbështetjen për Ukrainën. Kjo edhe pse mund jetë afër një ndryshim i qasjes me rikthimin e Trump në krye të SHBA. Po unë nuk besoj, që të paktën në një periudhë afatshkurtër, të ketë mundësi të tjera për një dialog të drejtpërdrejtë me të gjithë. Por ka pasur një sinjal ndryshimi, dhe kjo nuk përjashton mundësinë që një periudhë afatmesme, pasi të nisë detyrën presidenti i ri amerikan, të ketë lajme të reja.

-Pra lufta në Ukrainë po e vë në vështirësi Evropën, dhe ka ndikuar tek krizat politike aktuale në Francë dhe Gjermani. A nuk mjaftojnë Orbán dhe Fico për të ndryshuar qasjen e BE-së?

Sllovakia dhe Hungaria janë shumë të vogla dhe udhëhiqen mbi të gjitha nga interesat e tyre specifike. Ato vazhdojnë të furnizohen me gaz nga Rusia, që kalon tranzit përmes Ukrainës. Por  që nga fillimi i konfliktit, Evropa ka pasur probleme të mëdha ekonomike.

-Ndërkohë Trump vazhdon të thotë se dëshiron t’i japë fund kësaj lufte. Dhe Putini përgjigjet gjithmonë se është gati ta takojë. A po lëviz diçka?

Mendoj se ka tashmë një lloj dialogu. Por po ashtu besoj se ka shumë pritshmëri. Duhet të mos harrojmë se arsyet e luftës së Rusisë ndaj Ukrainës, nuk janë të një rëndësie vetëm territoriale, por të një karakteri ekzistencial. Rusia ndihet e kërcënuar nga hyrja e mundshme e Ukrainës në NATO, sepse ajo e percepton aleancën atlantike si një realitet armik.

Unë besoj se propozimi për të ndaluar luftën në linjën aktuale të frontit, ndoshta duke e ngrirë procesin e anëtarësimit të Ukrainës në NATO, mund të mos konsiderohet i mjaftueshëm nga Putin. Ai synon diçka tjetër, dëshiron që Kievi të mos i bashkohet fare aleancës, ashtu si edhe Gjeorgjia.

Propozimi i Trump për t’i dhënë fund luftës, pa i dhënë Putinit siguri formale se NATO do të ndalë zgjerimin në lindje, mund të mos mjaftojë. Dhe duke pasur parasysh karakterin e Trump, kjo mund të sjellë reagimin e tij: Ai dëshiron të sjellë paqe, duke u mbështetur tek forca e Amerikës.

-Por Zelensky këmbëngul se Ukraina duhet të hyjë në NATO...

Në këtë luftë ekzistojnë dy nevoja ekzistenciale, por të kundërta midis tyre. Ukraina e di se nuk mund të kënaqet duke u bërë një vend neutral. Për Kievin, anëtarësimi në NATO është thelbësor. Nëse nuk e bën këtë në të ardhmen, nuk do të jetë më si tani, jo vetëm në kufijtë e saj, por edhe si shoqëri. Putin pranon të bisedojë me Zelensky vetëm nëse ai rizgjidhet në detyrë, duke qenë se mandati i tij ka skaduar. Pra ka gjithmonë “nëse” dhe “por”, që e bëjnë të vështirë fillimin e negociatave.

-Njëkohësisht, Rusia përpiqet gjithnjë të forcojë aleancat. Po mbërrijnë më shumë ushtarë nga Koreja e Veriut, ndërsa në janar pritet nënshkrimi i një partneriteti strategjik me Iranin. A po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm fronti anti-perëndimor?

Koreano-veriorët janë të parëndësishëm në këtë luftë. Aleanca është më e rëndësishme për Korenë e Veriut sesa për Rusinë. Por fakti që Rusia dëshiron marrëdhënie më të ngushta me Iranin është i rëndësishëm. Një aleancë de facto midis tyre ekziston tashmë, dhe ajo ishte aktive në Siri.

Por Moskën kjo është thelbësore, pasi Rusia është e brishtë përgjatë kufijve të saj jugorë, duke pasur parasysh krizën në Kaukaz, Gjeorgjinë por edhe Armeninë. Nga ky këndvështrim, pasja e një aleancë më të strukturuar me Iranin është shumë e rëndësishme, ashtu siç është për Teheranin, që nuk ka më aleancë me Sirinë dhe është e shkëputur nga Mesdheu.

-Pas rrëzimit të Assadit, situata ka ndryshuar nga pikëpamja gjeopolitike dhe rusët po përforcojnë frontin jugor, duke u përpjekur të zhvendosin bazat dhe të paktën një pjesë të armatimit që kishin nga Siria në Libi. Me përparimin e madh në Ukrainë dhe bazat e reja në Libi, a po bëhet më i rrezikshëm pozicioni i tyre në raport me Evropën?

Ne evropianët nuk jemi të rrethuar. Për këtë mjafton të shihni se ku janë bazat e NATO-s rreth Rusisë, si në Evropë ashtu edhe në Azi. Sigurisht, Moska ka një strategji që po përpiqet ta zbatojë prej disa kohësh: asaj i duhet një bazë në Mesdhe. Sepse një nga 5 flotat e saj, ajo e Detit të Zi, duhet të ketë një dalje në Mesdhe, që aktualisht është plotësisht nën kontrollin e NATO-s.

Rusia po kërkon baza të tjera në Mesdhe, pikërisht sepse sheh rrezikun e humbjes së bazës së Tartusit në Siri. Ka vite që është fokusuar tek Libia, ku ndodhet aleati i saj Haftar, por është një kthim prapa. Rusia ka humbur në Siri një aset shumë të rëndësishëm strategjik.

-Çfarë domethënie do kishte për Moskën humbja e të gjitha bazave në Mesdhe?

Do të ishte një humbje strategjike shumë e rëndësishme. Rusia ka gjithsej 5 flota, nga të cilat 3 janë në Detin Kaspik, Detin e Zi dhe Detin Baltik. Që të gjitha këto janë dete të mbyllura. Për më tepër, Baltiku është tërësisht nën kontrollin e NATO-s. Për Rusinë, qasja në Detin e Zi nuk ka ndonjë vlerë, nëse nuk ka dalje edhe në Detin Mesdhe.

-Por a duhet të veprojë NATO për të frenuar planet e Rusisë në Libi?

Mendoj se ky është një problem në kontekstin e përballjes midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. SHBA-së nuk i pëlqen kjo, sidomos në një kohë kur Rusisë i ishte penguar përdorimi i portit në bregdetin sirian. Kur Mali i Zi u shkëput nga Serbia, u bë një përpjekje e menjëhershme për ta futur në NATO, sepse ndoshta mund të kishte qenë një opsion për praninë e rusëve në Adriatik. /Përshtati "Pamfleti" nga “Il Sussidiario”

Lini një Përgjigje