
Agjencia franceze e lajmeve AFP raportoi se u deshën pesë kamionë për të transportuar të gjitha kurorat drejt varrezave, shumica e të cilave ishin dërguar në mënyrë anonime.
Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho” dhe një nga figurat më të kërkuara të krimit të organizuar në Meksikë, u varros të hënën nga familja e tij në një arkivol me ngjyrë ari.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, ai humbi jetën pasi u plagos gjatë një përplasjeje me armë mes truprojave të tij dhe forcave speciale meksikane, të cilat kishin ndërmarrë një operacion për arrestimin e tij në fund të shkurtit. Oseguera ishte 59 vjeç.
Si themelues i Kartelit të Gjeneratës së Re të Jalisços (CJNG), ai konsiderohej personi më i kërkuar në Meksikë. Shtetet e Bashkuara kishin ofruar një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për informacione që do të çonin në arrestimin e tij.

Vdekja e tij nxiti dhunë hakmarrëse në disa pjesë të vendit. Anëtarë të kartelit dogjën automjete dhe bllokuan rrugë në 20 shtete meksikane.
Autoritetet vendosën masa të forta sigurie gjatë ceremonisë mortore pranë Guadalajarës, në shtetin Jalisco, bastion i kartelit. Forcat e Gardës Kombëtare patrulluan zonën për të parandaluar përshkallëzim të ri të situatës.
Para ceremonisë, në shtëpinë funerale u dërguan kurora dhe kompozime të shumta me lule. Një prej tyre kishte formën e një gjeli, në referencë ndaj interesit të Oseguerës për ndeshjet e gjelave. Agjencia franceze e lajmeve AFP raportoi se u deshën pesë kamionë për të transportuar të gjitha kurorat drejt varrezave, shumica e të cilave ishin dërguar në mënyrë anonime.

Procesioni mortor u shoqërua nga një orkestër që interpretoi muzikë ranchera dhe narcocorridos, këngë që shpesh lavdërojnë figura të botës së narkotikëve. Sipas mediave lokale, kënga tradicionale “El Muchacho Alegre” u interpretua në momentin kur arkivoli me ngjyrë ari mbërriti në një kapelë brenda kompleksit të varrezave.
Ceremonia zgjati rreth një orë. Më pas, pjesëmarrësit, shumë prej të cilëve mbanin maska për të fshehur identitetin, shoqëruan arkivolin deri në varr.
Mediat meksikane vunë në dukje se varri ishte relativisht i thjeshtë në krahasim me ata të disa trafikantëve të tjerë të drogës, të cilët shpesh ndërtojnë mauzoleume të mëdha.

Nën drejtimin e Oseguerës, CJNG u shndërrua në një organizatë të fuqishme kriminale me shtrirje ndërkombëtare, duke zgjeruar aktivitetin nga Jalisco në shumë shtete të tjera të Meksikës, ku merrej me prodhimin dhe trafikimin e drogës.
Vrasja e tij nga forcat speciale meksikane konsiderohet nga analistë si një sukses për qeverinë e presidentes Claudia Sheinbaum. Administrata e saj është përballur me presion në rritje nga presidenti amerikan Donald Trump për të intensifikuar luftën kundër trafikut të drogës.
Lini një Përgjigje