Udhëheqësi i ardhshëm i Teheranit do të duhet të vendosë nëse do të kërkojë marrëveshje apo një betejë deri në fund me SHBA-në dhe Izraelin
Në ditët ose javët në vijim, klerikët iranianë do të vendosin nëse Republika Islamike do të kërkojë ulje të tensioneve apo do të thellohet më tej në një përballje që analistët e cilësojnë si “vetëshkatërruese” me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.
Disa figura janë shfaqur si kandidatë për ta nxjerrë vendin nga rrënojat e sulmeve ajrore që vranë Udhëheqësin Suprem Ali Khamenei të shtunën. Sipas mediave ndërkombëtare, shumë nga kandidatët e mëparshëm u vranë që në ditën e parë të luftës. “Nuk do të jetë asnjë nga ata që mendonim, sepse janë të gjithë të vdekur”, pranoi Donald Trump.
Kush janë pretendentët kryesorë për pushtetin pas vrasjes së ajatollahut?
Alireza Arafi
Strategjia e mundshme: Armëpushim
Rruga drejt uljes së tensioneve kalon nga Alireza Arafi, kleriku 67-vjeçar i përzgjedhur për t’u bashkuar me këshillin e përkohshëm. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, i deklaroi homologut të tij nga Omani se Irani ishte “i hapur për çdo përpjekje serioze” për të ndalur përshkallëzimin, sinjali i parë diplomatik që Teherani mund të kërkojë një dalje nga lufta.
Nëse klerikët zgjedhin Arafi si Udhëheqës Suprem, kjo do të sinjalizojë gatishmëri për t’u rikthyer në këtë kornizë diplomatike. Arafi kontrollon seminaret dhe infrastrukturën e arsimit fetar në Iran, çka i jep kredenciale të forta klerikale. Udhëtimi i tij i diskutueshëm në Moskë në vitin 2023, ku u takua me zyrtarë rusë dhe foli për dëshirën e Iranit për “bashkëpunim të zgjeruar me Rusinë”, sugjeron se ai gëzon mbështetjen e Kremlinit.

Megjithatë, zgjedhja e tij ka të ngjarë të nënkuptojë se ai do të shërbejë si figurë simbolike, ndërsa pushteti real do të qëndrojë te familja Larijani. Në këtë skenar, Arafi do të siguronte legjitimitet fetar, ndërsa vëllezërit Larijani, Ali dhe Sadegh, të dy figura kyçe në rrethin e ngushtë të Khomeinit, do të ushtronin kontrollin real, duke përdorur ndërmjetësimin e Omanit për të negociuar një armëpushim që mbron interesat thelbësore të regjimit: ndalimin e sulmeve, ruajtjen e një kapaciteti të caktuar bërthamor dhe shmangien e ndryshimit të regjimit.
Rusia do të garantonte marrëveshjen. SHBA-ja do të pranonte një pasurim të kufizuar bërthamor iranian në këmbim të kufizimeve të verifikuara që do të pengonin zhvillimin e armëve. Ky opsion përballet me pengesa: linja e ashpër që e sheh negociatën si tradhti, komandantët e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) që kërkojnë hakmarrje për shokët e vrarë dhe klerikët që kanë lëshuar fetva për hakmarrje ndaj vdekjes së Khameneit.
Mohammad Mehdi Mirbagheri
Strategjia e mundshme: Përshkallëzim “vetëshkatërrues”
Mohammad Mehdi Mirbagheri është një klerik 66-vjeçar, teologjia apokaliptike dhe politika absolutiste e të cilit përfaqësojnë rrymën më radikale ideologjike në Iran. Ai deklaroi në televizion se “për të arritur qëllimin e afërsisë hyjnore, edhe nëse vritet gjysma e njerëzimit, ia vlen. Prandaj, vrasja e 42.000 njerëzve në Gaza nuk ka rëndësi krahasuar me këtë qëllim madhor.”
Kjo logjikë, se dhjetëra mijëra vdekje janë kosto e pranueshme për objektiva teologjikë, ka të ngjarë të zbatohet si në politikën e brendshme ashtu edhe në atë të jashtme. Nëse klerikët zgjedhin Mirbagherin, kjo do të sinjalizojë refuzimin e çdo negociate dhe angazhimin për luftë totale, pavarësisht pasojave.
Ai e sheh Republikën Islamike si pjesë të “planit të madh të Zotit” dhe konfliktin mes “besimtarëve dhe jobesimtarëve” si të pashmangshëm. Modeli i tij ideal i qeverisjes është “velayat-e faqih maksimalist”, që drejton të gjitha aspektet e shoqërisë drejt “konsolidimit të monoteizmit”, pa u kufizuar nga kufijtë gjeografikë.

Në këtë skenar, Irani do të vazhdonte “Operacionin True Promise 4” me sulme të vazhdueshme ndaj bazave amerikane në rajon, qyteteve izraelite dhe shteteve të Gjirit që strehojnë forca amerikane. Si udhëheqës suprem, Mirbagheri do të urdhëronte sulme të pandërprera ndaj aeroplanmbajtëseve, infrastrukturës së naftës në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe do të mbante të mbyllur Ngushticën e Hormuzit, nga ku kalon 20% e naftës botërore.
SHBA-ja do të përgjigjej me forcë dërrmuese, duke goditur infrastrukturën e mbetur qeveritare dhe qytetet iraniane, duke vendosur bllokadë të plotë ekonomike dhe duke mbështetur operacione për ndryshim regjimi. Ky skenar do të çonte në shkatërrimin e Iranit, por teologjia e Mirbagherit e paraqet martirizimin si fitore.
“Modeli i përparimit duhet të bëjë shumë gjëra, që gratë të respektojnë hixhabin dhe të mos mbështetemi vetëm te bindja”, ka thënë ai, duke lënë të kuptohet se vizioni i tij për qeverisjen shkon përtej mbijetesës së thjeshtë, drejt transformimit të plotë ideologjik. Nëse Republika Islamike nuk arrin ta realizojë këtë transformim, sipas tij, shkatërrimi bëhet një rezultat i pranueshëm.
Sadegh Larijani
Strategjia e mundshme: Mbijetesë pragmatike
Rruga drejt një pasardhjeje të menaxhuar kalon nga Sadegh Larijani, 64-vjeçari që kryeson Këshillin e Përshtatshmërisë, ndërsa vëllai i tij Ali ka kaluar vite duke u përpjekur ta pozicionojë si kandidat që mund të ruajë konsensusin mes fraksioneve në kohë krizash.
Sadegh Larijani drejtoi pushtetin gjyqësor gjatë shtypjes së dhunshme të Lëvizjes së Gjelbër në vitin 2009, duke fituar kredenciale të forta konservatore. Ai ka kritikuar herë pas here korrupsionin, edhe pse vetë përballet me akuza për korrupsion, dhe ka mbështetur reforma të kufizuara ligjore, duke ruajtur mjaftueshëm besueshmëri për t’u pranuar nga fraksione të ndryshme.
Më e rëndësishmja, ai ka shmangur përplasjet polarizuese që dëmtuan kandidatë të tjerë asnjë deklaratë televizive për numra të pranueshëm viktimash, asnjë kërcënim për ngritje flamujsh në Baku, asnjë udhëtim të dyshimtë në Moskë që të sugjerojë mbështetje të huaj.
Në këtë skenar, Asambleja e Ekspertëve do ta zgjidhte drejtpërdrejt Sadegh Larijanin në vend që të promovonte Arafi si figurë udhëheqëse. Kjo do të sinjalizonte përparësi për vazhdimësinë institucionale mbi pastërtinë ideologjike. Ai do të ndiqte politikat e Khameneit pa karizmën e tij, duke ruajtur përballjen me Perëndimin, por duke shmangur përshkallëzimin vetëshkatërrues; duke mbajtur programin bërthamor ndërsa eksploron kufizime diplomatike; duke shtypur kundërshtimin, por duke lejuar reforma të kufizuara ekonomike.

Dekadat e ndërtimit të rrjeteve nga familja Larijani, martesat strategjike me familje klerikale dhe pozicionimi në institucione kyçe do të përktheheshin në një koalicion qeverisës. Ali Larijani vazhdon të menaxhojë krizat si sekretar i këshillit të sigurisë kombëtare. Sadegh kryeson Këshillin e Përshtatshmërisë që miraton vendime madhore. Studentët dhe aleatët e familjes mbajnë poste kyçe në sistem. Ky skenar përfaqëson shansin më të mirë të Republikës Islamike për mbijetesë, jo përmes fitores, por përmes menaxhimit të kohës, shfrytëzimit të ndarjeve rajonale dhe demonstrimit të mjaftueshëm të vetëpërmbajtjes për të shmangur operacione për ndryshim regjimi, duke ruajtur një nivel përballjeje që kënaq linjën e ashpër.
Mojtaba Khamenei
Strategjia e mundshme: Grusht shteti ushtarak dhe instalim si figurë e mbështetur nga IRGC, nëse është gjallë
Një diktaturë ushtarake mund të marrë pushtetin përmes Mojtaba Khameneit, djalit të dytë të Udhëheqësit Suprem të vrarë, i cili ka vepruar për vite në hije si zëvendësues jozyrtar i të atit dhe pasardhës i mundshëm. Nëse ai ka mbijetuar sulmeve dhe Asambleja e Ekspertëve përçahet për pasardhësin, pa arritur marrëveshje për Arafi, Mirbagherin, Larijanin apo kandidatë të tjerë, Garda Revolucionare mund ta imponojë Mojtaban përmes forcës ushtarake.
Si djali i Khameneit, ai gëzon legjitimitet. Si person që ka menaxhuar për vite zyrën dhe rrjetet e të atit, ai njeh mekanizmat e sistemit. Si figurë e pranueshme për komandantët e IRGC-së që kërkojnë hakmarrje, ai do të kishte mbështetje ushtarake.
Në këtë skenar, Irani do të shndërrohej në një diktaturë të qartë ushtarake, jo më në një teokraci me tipare ushtarake. Qeverisja klerikale do të vazhdonte formalisht, por pushteti real do të mbetej te komandantët e IRGC-së, të cilët do ta paraqisnin Khamenein e ri si simbol, ndërsa vendimet do të merreshin nga këshilla ushtarake.

Këshilli i përkohshëm drejtues do të bëhej i përhershëm, me komandantë ushtarakë që do të zëvendësonin zyrtarët civilë. Irani do të ndiqte atë që komandantët e IRGC-së e përshkruajnë si “goditje të forta ndaj trupit të lodhur ushtarak të armikut”, ndërsa do të konsolidonte kontrollin e brendshëm përmes shtypjes intensive.
Vakumi i pushtetit dhe rreziku i luftës civile
Një grusht shteti i IRGC-së i drejtuar nga Mojtaba do të nxiste pikërisht atë që skenarët e tjerë përpiqen të shmangin: luftë civile dhe shpërthim lëvizjesh separatiste që do të shfrytëzonin dobësimin e qeverisë qendrore.
Rajonet kurde në veriperëndim, që prej kohësh kërkojnë autonomi, ka të ngjarë të shpallin pavarësi ose të intensifikojnë rezistencën e armatosur nëse perceptojnë rënien e qeverisë qendrore në diktaturë ushtarake.
Popullsia arabe në provincën Khuzestan, ku ndodhet një pjesë e madhe e infrastrukturës së naftës, ka ankesa historike dhe mund të nisë lëvizje autonomiste. Grupet baluche në juglindje, pranë kufirit me Pakistanin, prej vitesh kryejnë sulme dhe do të shfrytëzonin kaosin për të zgjeruar operacionet e tyre.
Në një skenar të tillë, Irani do të ndahej në zona rivale kontrolli, bërthama persiane rreth Teheranit nën dominimin e IRGC-së, rajone autonome kurde në veriperëndim, zona me shumicë arabe në jugperëndim dhe territore baluche në juglindje.
Republika Islamike e themeluar nga Ajatollah Ruhollah Khomeini do të mbijetonte si një shtet i cunguar, që kontrollon ndoshta gjysmën e territorit të mëparshëm, ndërsa do të zhvillonte disa fushata kundër kryengritjeve njëkohësisht. /Përshtati Pamfleti/
Që ti biem shkurt. Për postin e liderit të ri të Iranit, rivalizojnë djali i Kameneit të vrarë dhe nipi i Komeinit lider i revolucionit që përmbysi Shah Pahlevin. Në çdo rast, dhe kushdo që të zgjidhet nuk ka shans për ti dhënë fund konfliktit. Dhe ae dini se pse? Sepse Netanjahut(Izraeli)i volit vetëm një zgjidhje. Lufta civile në Iran , shpërbërja e Iranit dhe kullufitja e gjithë vëndeve të gjirit:Arabi Saudite- Oman, Kuvajt, Katar, E.B.A , Bahrejn, Siri, Liban, Jordani, Irak dhe qershia mbi tortë Turqia. Në fund kur ëndrra tu bëhet realitet, do falënderojnë SHBA për shërbimin. Me ndërmjetësimin e Turqisë, SHBA duhet të ulen për bisedime me drejtuesin e ri të Iranit dhe ti japin fund konfliktit.