TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota30 Tetor 2025, 21:09

 Mbretëria e Bashkuar nuk "ndjek" SHBA-në: Millorad Dodik mbetet i sanksionuar nga Britania 

Shkruar nga Pamfleti

 Mbretëria e Bashkuar nuk "ndjek" SHBA-në: Millorad

Mbretëria e Bashkuar ka deklaruar se Millorad Dodik dhe Zhelka Cvijanoviç do të vijojnë të jenë persona të sanksionuar nga ana e saj, pavarësisht veprimeve të fundit të SHBA-ve.

Reagimi i Mbretërisë së Bashkuar vjen një ditë pasi Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja e Departamentit amerikan të Thesarit (OFAC), i hoqi nga lista e sanksioneve Dodikun, Cvijanoviçin, si dhe 48 anëtarë të tjerë të familjes së Dodikut, kompanitë e tyre dhe bashkëpunëtorët e afërt.

Në përgjigjen e Ministrisë së Jashtme thuhet se regjimi i sanksioneve të Mbretërisë së Bashkuar mundëson vendosjen e sanksioneve ndaj atyre që minojnë ose rrezikojnë sovranitetin, integritetin territorial, subjektivitetin ndërkombëtar ose rendin kushtetues të Bosnjë dhe Hercegovinës.

“Millorad Dodik dhe Zhelka Cvijanoviç vazhdojnë të jenë nën sanksione për shkak të veprimeve të tilla. Sanksionet kanë qëllimin e tyre. Shpresojmë që Dodik dhe Cvijanoviç do të ndryshojnë kursin e tyre të deritanishëm dhe do të tregojnë përkushtim thelbësor ndaj respektimit të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit dhe institucioneve shtetërore të Bosnjë dhe Hercegovinës”, thuhet në përgjigjen për REL-in.

Siç thuhet në vendimin e autoriteteve britanike, të inkurajuar nga përpjekjet ruse për të minuar sistemin ndërkombëtar, Dodik dhe Cvijanoviç kanë shfrytëzuar pozitat e tyre të pushtetit për të shtyrë përpara një shkëputje de facto të Republikës Sërpska, gjë që është drejtpërdrejt në kundërshtim me Kushtetutën e shtetit.

“Millorad Dodik ka ndërmarrë veprime për ta shkëputur Republikën Sërpska nga institucionet kyç shtetërore, duke përdorur retorikë përçarëse, të rrezikshme dhe nacionaliste, duke cenuar paqen e brendshme dhe rajonale dhe duke nxitur urrejtje etnike e mohimin e gjenocidit. Ndërkaç, në tetor të vitit 2021, Zhelka Cvijanoviç e ka përdorur postin e saj për të paraqitur në Republikën Sërpska projektligje që synonin të transferonin kompetencat shtetërore në nivelin e entitetit. Cvijanoviç ka lavdëruar publikisht kriminelë lufte dhe ka mohuar gjenocidin në Srebrenicë”, thuhet në dokumentin e Qeverisë britanike.

Lini një Përgjigje