Lideri i ardhshëm hungarez kërkon të rifillojë marrëdhëniet me BE-në pas largimit të Orbanit dhe të sigurojë fondet e bllokuara për shkak të shqetësimeve mbi sundimin e ligjit
Lideri i ardhshëm hungarez, Peter Magyar, u drejtua të mërkurën për në Bruksel për vizitën e tij të parë tek drejtuesit e Bashkimit Europian që pas fitores në zgjedhje, duke kërkuar të hapë një kapitull të ri pas marrëdhënieve të tensionuara gjatë qeverisjes nacionaliste të Viktor Orbanit.
Udhëheqësit e BE-së e mirëpritën fitoren e tij këtë muaj, e cila i dha fund 16 viteve në pushtet të Orbanit, i konsideruar i afërt me Kremlinin. Edhe pa marrë ende zyrtarisht detyrën, Magyar ka tentuar të nisë një epokë të re bashkëpunimi me Brukselin, me shpresën për të zhbllokuar miliarda euro për Budapestin.
“Një autorizim i jashtëzakonshëm, një mandat i fortë, një përgjegjësi e madhe,” shkroi Magyar në rrjetet sociale ndërsa nisej nga Budapesti, duke shtuar “ne e dimë çfarë duhet të bëjmë: të sjellim në shtëpi fondet e BE-së që u takojnë hungarezëve.”
Të dyja palët kanë lëvizur shpejt për të lënë pas pengesat dhe përplasjet e epokës Orban, të cilat bllokuan iniciativa kyçe të BE-së, veçanërisht në mbështetje të Ukrainës në luftën kundër pushtimit rus të vitit 2022.
Magyar synon të tregojë se premtimi i tij për rivendosjen e marrëdhënieve mund të sjellë përfitime të shpejta dhe dëshiron të bindë Brukselin të lirojë rreth 18 miliardë euro fonde të ngrira për shkak të shqetësimeve mbi sundimin e ligjit gjatë qeverisjes së Orbanit.
Ndërsa Magyar do të bëhet kryeministër vetëm muajin e ardhshëm, ekipi i tij ka zhvilluar tashmë dy raunde bisedimesh me zyrtarë të lartë të BE-së, duke synuar rikthimin e Hungarisë në linjën kryesore të bllokut.
Koha është e kufizuar: qeveria e ardhshme ka afat deri në fund të gushtit për të nisur reformat e nevojshme për të siguruar 10 miliardë euro të mbetura nga fondet e rimëkëmbjes pas pandemisë, përndryshe ato do të humbasin përfundimisht.
Takimet e së mërkurës me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe Presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, synojnë të çojnë përpara këtë proces, ndërsa Brukseli përcakton ndryshimet që pret nga Magyar.
Zyrtarët e BE-së shpresojnë se shumica e fortë parlamentare e fituar nga Magyar do ta ndihmojë atë të miratojë shpejt reformat e kërkuara.
“Ne nuk kemi parë kurrë një nivel të tillë angazhimi nga një qeveri që ende nuk ka marrë detyrën,” tha eurodeputeti Daniel Freund, një kritik i fortë i Orbanit, për AFP, duke shtuar “është pothuajse sikur Hungaria po ribashkohet me Bashkimin Europian.”
Sipas zyrtarëve, mënyra më e shpejtë që Brukseli t’i japë një sukses të hershëm Magyar mund të jetë miratimi i rreth 16 miliardë eurove kredi të favorshme për mbrojtjen, të cilat ishin bllokuar ndërsa përplasjet me Orbanin u përkeqësuan para zgjedhjeve hungareze.
“Prisni dhe shihni”
Ndërsa BE-ja përcakton detajet e reformave që kërkon nga Magyar, liderët europianë do të kërkojnë gjithashtu një qasje të re ndaj Ukrainës. Lideri i ardhshëm dha një sinjal pozitiv të martën, duke thënë se synon të takohet me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në qershor për të “hapur një kapitull të ri”.
Edhe para marrjes së detyrës nga Magyar, humbja e Orbanit ka ndihmuar tashmë në zhbllokimin e disa çështjeve kryesore. Javën e kaluar, BE-ja miratoi një kredi të madhe për Ukrainën dhe një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë, të cilat Hungaria i kishte bllokuar për muaj të tërë.
Partnerët europianë të Hungarisë tani presin që Magyar të zhbllokojë fondet e BE-së për armatimin e Ukrainës dhe të heqë veton e vendosur nga Orban që pengon Kievin të kalojë në fazën tjetër të procesit të anëtarësimit në BE.
Zyrtarët theksojnë se Ukraina meriton të ecë përpara në këtë proces kompleks, megjithëse nuk ka gatishmëri nga fuqitë kryesore të BE-së për të përshpejtuar anëtarësimin e plotë të saj në afat të shkurtër.
Në Bruksel ekziston shpresë se Magyar, i cili më parë ka shërbyer nën Orbanin përpara se të distancohej prej tij, do të hapë realisht një kapitull të ri në marrëdhënie.
Megjithatë, zyrtarët mbeten të kujdesshëm dhe kërkojnë veprime konkrete përtej deklaratave pozitive.
“Deri tani, qëndrimi është të presim dhe të shohim,” tha një diplomat i BE-së në kushte anonimiteti për AFP, duke shtuar “por kjo mund të ndryshojë, duke parë të gjitha gjërat e mira që ai thotë dhe bën.” /Pamfleti/
Lini një Përgjigje