
Grupi militant palestinez Hamas ka deklaruar se është i gatshëm të bashkëpunojë me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) për të siguruar ushqim dhe ndihma mjekësore për pengjet izraelite të mbajtura në Rripin e Gazës. Megjithatë, ky angazhim vjen me kushte strikte për Izraelin, si hapjen e korridoreve humanitare të përhershme dhe ndalimin e sulmeve ajrore gjatë shpërndarjes së ndihmave.
Deklarata e Hamasit pason publikimin e një videoje tronditëse të pengut izraelit Evyatar David, i cili shfaqet në gjendje të rëndë fizike, i dobësuar nga uria dhe duke gërmuar atë që ai e përshkruan si varrin e tij.Videoja, e publikuar të shtunën, ka nxitur reagime të forta ndërkombëtare. Liderë perëndimorë, përfshirë Francën, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, dënuan ashpër pamjet, duke i quajtur ato dëshmi të “mizorisë së pakufishme” të Hamasit.
Presidenti francez Emmanuel Macron i cilësoi imazhet si “të padurueshme”, ndërsa kancelari gjerman Friedrich Merz theksoi se lirimi i pengjeve është parakusht për çdo armëpushim. Si reagim, Ministria e Jashtme e Izraelit njoftoi se Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë një seancë të posaçme të martën për të diskutuar situatën e pengjeve në Gaza. Sipas autoriteteve izraelite, aktualisht në Gaza mbahen 50 pengje, nga të cilët besohet se vetëm 20 janë ende gjallë.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, në një bisedë me kreun e delegacionit të ICRC-së në rajon, Julien Lerisson, ka kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të Kryqit të Kuq për të ofruar ndihma ushqimore dhe mjekësore për pengjet. ICRC-ja, nga ana e saj, u shpreh “e tmerruar” nga videot që tregojnë kushtet e rënda të pengjeve dhe përsëriti thirrjen për qasje të drejtpërdrejtë për të vlerësuar gjendjen e tyre, për të ofruar ndihmë mjekësore dhe për të lehtësuar kontaktin me familjet e tyre. Deri më tani, Hamas ka penguar çdo qasje të organizatave humanitare tek pengjet, duke lënë familjarët e tyre me informacione minimale për fatin e të dashurve të tyre.Forumi i Familjeve të Pengjeve, që përfaqëson të afërmit e atyre që mbahen në Gaza, e quajti deklaratën e Hamasit një përpjekje për të maskuar realitetin e “kushteve të pamundura” në të cilat mbahen pengjet për më shumë se 660 ditë.
Ndërkohë, kriza humanitare në Gaza vazhdon të përkeqësohet. Ministria e Shëndetësisë në Gaza raportoi se gjashtë persona të tjerë vdiqën nga uria ose kequshqyerja në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin total të viktimave nga uria në 175 që nga fillimi i luftës, përfshirë 93 fëmijë. Agjencitë e OKB-së dhe organizatat humanitare kanë paralajmëruar se kriza e urisë në Gaza ka arritur nivele ekstreme, me dy nga tre pragjet e saj tashmë të përmbushura: rënie drastike e konsumit të ushqimit dhe kequshqyerje akute.
Përballë presionit ndërkombëtar, Izraeli ka premtuar masa për të lehtësuar shpërndarjen e ndihmave, përfshirë pezullime të përkohshme të luftimeve në disa zona, miratimin e dërgesave ajrore dhe krijimin e rrugëve të mbrojtura për karvanet e ndihmave. Sipas COGAT, njësi e ushtrisë izraelite që mbikëqyr politikat në territoret e okupuara, gjatë javës së kaluar në Gaza kanë hyrë mbi 23,000 tonë ndihma humanitare me 1,200 kamionë. Megjithatë, OKB-ja thekson se dërgesat ajrore janë të pamjaftueshme dhe se ndihma tokësore në shkallë të gjerë është e vetmja mënyrë për të parandaluar urinë masive mes 2.2 milionë banorëve të Gazës, shumica e të cilëve janë të zhvendosur mes rrënojave të luftës.
Qeveria e drejtuar nga Hamasi në Gaza raportoi se që nga fundi i korrikut kanë hyrë rreth 1,600 kamionë me ndihma, por dëshmitarët dhe burime të Hamasit thonë se shumë prej tyre janë plaçkitur nga njerëz të dëshpëruar dhe banda të armatosura. Më tej, mungesa e karburantit ka paralizuar shërbimet spitalore, duke detyruar mjekët të fokusohen vetëm te pacientët në gjendje kritike. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të dielën të paktën 80 persona u vranë nga sulmet izraelite, përfshirë disa që po përpiqeshin të arrinin pikat e shpërndarjes së ndihmave.
Lini një Përgjigje