Një "kingmaker" i papritur...
Polonia ndodhet në orët e fundit të një beteje presidenciale që mund të ridrejtojë kursin e vendit, jo vetëm politikisht por edhe gjeopolitikisht. Balotazhi mes kandidatit liberal dhe pro-evropian Rafał Trzaskowski dhe nacionalistit konservator Karol Nawrocki, është kthyer në një duel ku nuk vendosin vetëm votuesit tradicionalë, por edhe, ndoshta sidomos, votuesit e ekstremit të djathtë.
Sławomir Mentzen, lideri i partisë Konfederacja, nuk e fitoi garën, por ka fituar fuqinë. Me 14.8% të votave në raundin e parë, ai është kthyer në "kingmaker", duke i detyruar dy rivalët të negociojnë me të, nëse duan mbështetjen e 2 milionë votuesve që ai kontrollon.
“Do të kaloni nga unë nëse doni votat tona”, u shpreh Mentzen me arrogancën e një negociatori të vetëdijshëm për peshën e vet, duke e kthyer fushatën në një serial ku ekstremi i djathtë po shkruan skenarin.
Trzaskowski në kufirin e shpresës
Fytyra e kampit liberal, kryebashkiaku i Varshavës Trzaskowski, ka dëshmuar që mund të fitojë, por jo pa kosto. Me 31.4% të votave, ai doli i pari, por jo aq fort sa të ndjehet i sigurt. Qeveria e Tusk po sheh në të mundësinë për të zhbllokuar reformat që presidenti aktual Andrzej Duda (PiS) i ka sabotuar me veto e obstruksione.
Një fitore e Trzaskowski-t do të sillte një president aleat, që mund të miratonte ligje të bllokuara prej vitesh: nga liberalizimi i pilulës kundër shtatzanësisë, tek njohja e gjuhëve rajonale dhe reforma e Gjykatës Kushtetuese, gurëthemeli i krizës me BE-në.
Por që kjo të ndodhë, duhet fituar mbi ekstremizmin populist të Mentzenit dhe mbi një qendër konservatore që po lëkundet.
8 kushte, 1 shantazh dhe miliona vota
Mentzen nuk e fsheh planin e tij: ka paraqitur një listë prej tetë kushtesh që, sipas tij, janë baza e një "paktimi" politik. Lista përmban pika si refuzimi i anëtarësimit të Ukrainës në NATO, ruajtja e vetos polake në BE, mbrojtja e parasë fizike dhe ulja e taksave.
Kjo platformë, e përzier mes nacionalizmit klasik dhe ekonomisë ultra-liberale, është një mjet presioni. E quajnë shantazh politik, por funksionon. Analistët pohojnë që kjo pjesë e elektoratit, veçanërisht të rinjtë dhe qytetarët e zhgënjyer, nuk identifikohen me askënd, veç Mentzenit. Prandaj përpjekjet për tërheqjen e tyre janë të vështira.
Zgjedhje apo referendum pro ose kundër Evropës?
Balotazhi i 1 qershorit është më shumë se një votim presidencial: është referendum për orientimin e Polonisë. Trzaskowski do një Poloni brenda qendrës së BE-së dhe aktive në NATO. Nawrocki ndjek vijën trumpiane, euroskeptike, duke premtuar politikë të jashtme të pavarur dhe armatime vendore.
Brukseli po e ndjek me ankth: një fitore e Nawrockit do të nënkuptejë tensione të reja, dobësim të mbështetjes për Ukrainën dhe bllokim në reformimin e BE-së. Ndërsa për Tusk, kjo është mundësia e fundit për të konsoliduar pushtetin qeveritar pa u penguar nga presidenca.
Një garë, shumë pasoja
Rruga e Polonisë për në Evropë kalon nga vota e votuesve të ekstremit të djathtë. Dhe këtu qëndron ironia e madhe: fati i reformave liberale, europiane dhe demokratike mund të vendoset nga një votë proteste, që e sheh BE-në si armik dhe Brukselin si kolonizator.
Kjo është Polonia e vitit 2025: e ndarë mes progresit dhe nostalgjisë, mes Brukselit dhe Trumpit. Dhe të gjithë po presin të shohin se kush do ta fitojë zemrën e Mentzenit./Pamfleti
Lini një Përgjigje