TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota18 Shtator 2025, 08:08

Lajkat dhe joshja për Trump, Britania merr "çekun" 150 miliardë paundë nga SHBA

Shkruar nga Pamfleti

Britania bëri të pamundurën për të joshur dhe për të lajkatuar presidentin e paparashikueshëm të SHBA-së me një shfaqje të jashtëzakonshme pompoziteti dhe madhështie, ndërsa përpiqet ta mbajë atë në krah gjatë një sërë krizash ndërkombëtare.Mikpritja ushtarake ishte edhe më e madhe se sa kur Mbretëresha Elizabeta e II, mirëpriti Trumpin në vizitën e tij të parë shtetërore, në vitin 2019.

Lajkat dhe joshja për Trump, Britania merr "çekun" 150
Trump dhe Mbreti Charles i III

Një pako investimesh prej 150 miliardë paundësh nga Shtetet e Bashkuara u shpall dje, në kuadër të vizitës shtetërore të presidentit Donald Trump në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo është marrëveshja më e madhe e këtij lloji, sipas qeverisë britanike, e cila e cilësoi si një zhvillim historik në marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve, raporton BBC.

Sipas autoriteteve britanike, marrëveshja pritet të sjellë 7,600 vende të reja pune “me cilësi të lartë” në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Kryeministri Keir Starmer deklaroi se kjo është një dëshmi e përmbushjes së premtimit të tij për “vende pune, rritje dhe mundësi”.

Megjithatë, shifra mbetet ende modeste në krahasim me 160 mijë vendet e humbura të punës gjatë vitit të kaluar.

Kjo marrëveshje vjen menjëherë pas një tjetër lajmi të madh nga sektori i teknologjisë, ku gjigandët si Microsoft dhe Google njoftuan investime të reja në miliarda paund për ekonominë britanike, gjithashtu në kuadër të vizitës së Trump.

Trump dhe bashkëshortja e tij Melania u mirëpritën nga mbreti Charles i III, mbretëresha Kamila, Princi William dhe princesha e Uellsit, Kate, në Kështjellën Winsdor teksa zbritën nga helikopteri Marine One.

Ndërsa presidenti shtrëngoi duart me Mbretin, një përshëndetje me 41 te shtëna u dëgjua njëkohësisht nga gjashtë topa të epokës së Luftës së Parë Botërore në lëndinën lindore të kështjellës, ndërsa një shfaqje e ngjashme ndodhi në Kullën e Londrës, në qendër të kryeqytetit.

Rreth 120 kuaj dhe 1,300 anëtarë të ushtrisë britanike morën pjesë në ceremoni, për të cilën, zyrtarët e Mbretërisë së Bashkuar thonë se shënoi pritjen më të madhe ceremoniale ushtarake për një vizitë shtetërore në Britani që mbahet mend ndonjëherë.

Çifti Trump dhe familja mbretërore u nisën më pas në një procesion me karroca drejt kështjellës gati 1,000-vjeçare të Winsdor. Britania bëri të pamundurën për të joshur dhe për të lajkatuar presidentin e paparashikueshëm të SHBA-së me një shfaqje të jashtëzakonshme pompoziteti dhe madhështie, ndërsa përpiqet ta mbajë atë në krah gjatë një sërë krizash ndërkombëtare.

Mikpritja ushtarake ishte edhe më e madhe se sa kur Mbretëresha Elizabeta e II, mirëpriti Trumpin në vizitën e tij të parë shtetërore, në vitin 2019. Por teksa presidenti vizitonte Windsor, protestuesit mbushën rrugën e Londrës në shenjë proteste për vizitën e tij.

1600 efektivë u angazhuan për tu marrë me vetëm një prej demonstratave në Londër, ndërsa 4 persona u arrestuan pasi projektuan imazhet e Trump dhe Epstein pranë kështjellës. Momenti kulmor i vizitës do të jetë banketi spektakolar në Sallën e Saint George, me fjalime nga mbreti Charles dhe Trump, e po ashtu menyja do të jetë një përfaqësim kulinar i marrëdhënies së veçantë.

E gjithë kjo është ideuar për të fituar zemrën e liderit amerikan, i cili këtë vit, u vetëshpall mbret në një postim në rrjetet sociale, ku shkroi “rroftë mbreti’’ poshtë një foto-je që e shfaqte me kurorë. 

trump dhe mbreti charles i iii

Lini një Përgjigje