TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Mars 2025, 20:30

Kushëriri im J.D.Vance po sillet si një idiot i dobishëm për Putinin

Shkruar nga Albert Lores

Kushëriri im J.D.Vance po sillet si një idiot i dobishëm për

Ajo që i bënë Zelenskyt me Trumpin, ishte një kurth i shëmtuar.

Ish-marinsi teksan ka luftuar për 2 vite e gjysmë në krah të ukrainasve dhe kundër rusëve. Ai shpreh keqardhjen që politika e ka deformuar aq shumë familjarin e tij të afërt.

Kur Nate e dëgjoi kushëririn e tij të parë, zv/presidentin e SHBA-së J.D.Vance, të sulmonte presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, u tërbua nga inati. Ishte duke udhëtuar me furgonin e tij të kampingut në pjesën perëndimore të SHBA-së, teksa është rikthyer në janar të këtij viti.

U ndje shumë i zhgënjyer nga kushëriri i tij më i vogël. J.D është disa vite më i ri se Nate, që është 47 vjeç. “J.D është një djalë i mirë, inteligjent. Kur e kritikoi ndihmën për Ukrainën, i thashë vetes se po e bënte sepse duhej të kënaqte një elektorat të caktuar, dhe se ishte në kuadër të një lojë politike. Por ajo që i bënë Zelenskyt me Trumpin, ishte një kurth i shëmtuar”- thotë ai.

Nate dhe J.D.Vance kanë gjyshër të përbashkët. Nëna e J.D, Beverly, është motra e babait të Nate, James. Të dy burrat i kanë kaluar shpesh pushimet së bashku, me familjen e J.D në Middletown, Ohio, ose në Kaliforni, ku familja e Nate ka jetuar për një kohë të shkurtër.

J.D.Vance pati ngritje të karrierës së tij në vitin 2016 kur botoi romanin “Hillbilly Elegy”, që rrëfen fëmijërinë e tij kaotike si një “djalë i vogël i bardhë” nga Apalashet. Në vitin 2023, u zgjodh senator në Ohio. Një vit më pas, u bë zëvendëspresidenti i 50-të i Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë, Nate zgjodhi të shkonte Ukrainë për të luftuar kundër rusëve në llogoret me baltë. “Jemi vërtet një familje, por kjo s’do të thotë që unë do ta pranoj që ai të ndikojë në vrasjen e shokëve të mi”- thotë Nate Vance i irrituar.

Ushtaraku i kundërpërgjigjet argumentit të kushëririt të tij, duke nxjerrë në pah përfitimet e mëdha të SHBA-së nga përfshirja në këtë luftë, përdorimin e mirë të pajisjeve amerikane në vijën e frontit, etj. Nate është përpjekur disa herë të kontaktojë me kushëririn e tij.

“Të arrish të kontaktosh që nga Ukraina me një senator nuk është e lehtë. Por kam lënë vazhdimisht mesazhe telefonike në zyrën e tij. Nuk më është përgjigjur”- thekson ai. Teksani ka marrë pjesë në betejat më vdekjeprurëse të luftës: Kupiansk, Bakhmut, Avdiivka, Pokrovsk…

Në ato pak fotografi që tregojnë 3 vitet e kaluara në Ukrainë, fytyra e Nate tregon besimin e matur të një ushtari profesionist. Ai zgjodhi të largohej në fillim të janarit, pak ditë para inaugurimit të kushëririt të tij si zëvendëspresident.

Deri në atë moment, kishte qëndruar në heshtje për lidhjen e tij familjare me kandidatin e Donald Trump. “Qëndrimi im atje po bëhej më i vështirë. Nuk mund të rrezikoja të më kapnin rusët”-deklaron ai. Asgjë në të kaluarën e Nate Vance nuk sugjeronte se ai një ditë do të regjistrohej në një batalion vullnetarësh ukrainas për të luftuar kundër ushtrisë ruse.

Ai ishte vërtet 4 vjet marins, por kjo 20 vjet më parë, kur ishte 18 vjeç. Gjatë viteve 2001-2022, bëri jetën e qetë të një amerikani të zakonshëm në San Antonio, Teksas. Me kalimin e viteve, ngjiti me durim shkallët e hierarkisë në një kompani nafte.

Kur shpërtheu lufta në vitin 2022, Nate e kuptoi se ky konflikt ishte ndryshe nga të tjerët. “Doja të shkoja nga kurioziteti, por dhe për aventurë. Nuk është një gjë e nderuar ta pranosh, por kjo është e vërteta”- thekson ai. Në marsin e vitit 2022, 3 javë pas fillimit të pushtimit, shkoi në Lviv në Ukrainën Perëndimore, e cila ishte bërë qendra e ndihmës humanitare ndërkombëtare gjatë muajve të parë të luftës.

“Doja të ndihmoja në një farë mënyre, në logjistikë apo mbështetje mjekësore. E shihja që historia po shkruhej para syve të mi dhe doja të isha pjesë e saj”- rrëfen më tej ai. Një mëngjes, ish-marinsi takoi në një hotel një vullnetar britanik që kërkonte të huaj me përvojë ushtarake. Çdo javë ushtria ukrainase rekrutonte mijëra luftëtarë të rinj, të cilët duhej të trajnoheshin përpara se të niseshin në vijën e frontit.

Ata po kërkonin këdo që kishte mbajtur ndonjëherë armë në duar. Ishte një trajnim shumë elementar. Nën drejtimin e tij, punëtorë, banakierë dhe mësues u stërvitën vetëm për një javë. “Shumica ishin të vegjël, gati fëmijë. Ishte e frikshme”- kujton ish-ushtari.

Dhe kur një grup vullnetarësh të rinj, por shumë të motivuar iu ofruan që ta shoqëronin në front, Nate pranoi. U rikthye në SHBA për disa javë përpara se të kthehej në Ukrainë në qershor 2022. Këtë herë, shkoi në Donbass në Ukrainën Lindore, ku zhvilloheshin luftimet më të ashpra.

Nate iu bashkua “Honor”, një grupimi nacionalistësh ukrainas, që ishin në vijën e frontit që në vitin 2014 gjatë Revolucionit Maidan. Pavarësisht pengesës gjuhësore, Nate kontribuoi në profesionalizimin e kësaj njësie vullnetare, e cila ende nuk ishte integruar zyrtarisht në ushtrinë e rregullt.

Duhet ta pranoj, që nuk ishte njëlloj si misionet e mia me marinsat në Evropë”- thotë Nate. Veterani rrëfen me modesti llogoret dhe vdekjet, baltën e gjakun, shokët e rënë dhe armiqtë që vrau. “Të vrasësh dikë nuk diçka e vogël. Por nuk ka shumë për të treguar. E ndan mendjen që në fillim, dhe nuk shqetësohesh aq shumë”- shton ai.

Nate është një luftëtar i shkëlqyer, me një gjakftohtësi të jashtëzakonshme”- kujton Serhii Filimonov, komandanti aktual i batalionit. Në qendrën e tij komanduese pranë Pokrovsk, ku njësia e tij mban ende krahun jugor të qytetit, 30-vjeçari përpiqet të numërojë herët kur mendoi se do të vdiste përkrah Nate Vance.

“15 herë duhet të kishim vdekur dhe 15 herë ia dolëm!”- thotë ai me një buzëqeshje të hidhur. Serhii përmend një rast në rajonin Bakhmut, ku dy burrat u gjendën të bllokuar për orë të tëra në vitin 2023 nën goditjet metodike të artilerisë ruse.

Tani që e ka mbyllur me luftën, Nate po kërkon një botues për të publikuar kujtimet e tij. “Shpresoj të vazhdoj ta mbroj Ukrainën në një mënyrë tjetër. Ajo ka vërtet nevojë për këtë”- thotë ai me modesti.

Një republikan i përjetshëm, Nate tani e gjen veten në përplasje edhe me familjen e tij. Ai është i dëshpëruar për ndryshimet më të fundit në front dhe me sjelljen e SHBA-së me Ukrainën.

“Donald Trump dhe kushëriri im, mendojnë se mund të flasin ëmbël me Vladimir Putinin. Ata e kanë gabim. Rusët nuk ka gjasa të harrojnë mbështetjen tonë për Ukrainën. Ne jemi idiotët e dobishëm të Vladimir Putinit”- përfundon ai./Përshtati "Pamfleti" nga  “Le Figaro”

Lini një Përgjigje