
Korridori është një shprehje e qartë e strategjisë së krahut jugor të NATO-s, që synon nxitjen e qëndrueshmërisë midis vendeve aleate, duke forcuar lidhjet ekonomike dhe përmirësuar mbështetjen logjistike për operacionet e mbrojtjes.
Korridori VIII është një nga projektet pan-evropiane të krijuara gjatë Konferencave Pan-Evropiane të Transportit, të mbajtura në Pragë në vitin 1991, Kretë (1994) dhe Helsinki (1997).
I parashikuar fillimisht si një sistem transporti gjithëpërfshirës dhe multimodal, Korridori VIII synon që të lidhë bregdetin e Adriatiku Jugor me atë të Detit të Zi.
Ky korridor përfshin një rrjet të gjerë infrastrukture, duke përfshirë portet detare dhe lumore, aeroportet, qendrat e transportit multi-modal, rrugët dhe hekurudhat, me 1270 kilometra hekurudhë dhe 960 kilometra rrugë. Itinerari i tij nis në portet jugore italiane të Barit dhe Brindisit.
Më pas shtrihet në porteve shqiptare të Durrësit dhe Vlorës, dhe kalon përmes kryeqyteteve të Tiranës, Shkupit dhe Sofjes, duke arritur përfundimisht në Plovdiv dhe portet bullgare të Burgasit dhe Varnës në bregun e Detit të Zi. Korridori VIII është një projekt infrastrukturor vendimtar që lidh Detin Adriatik me Detin e Zi, dhe shumë i rëndësishëm për lëvizjen dhe rritjen ekonomike të vendeve të NATO-s dhe BE-së në Ballkan.
Pavarësisht mbështetjes së madhe që ka nga NATO, BE, SHBA-ja dhe vendet e rajonit, ky projekt përballet me sfida të mëdha, siç janë pengesat politike dhe ato të infrastrukturës që kërcënojnë përparimin e saj. Korridori VIII është strategjikisht i rëndësishëm për NATO-n, pasi ofron një rrugë transporti që e rrit lëvizshmërinë ushtarake në të gjithë Evropën Juglindore.
Ai shërben si shtyllë logjistike, duke lidhur bregdetin e Adriatikut në Shqipëri me atë të Detit të Zi në Bullgari, duke mundësuar kështu vendosjen e shpejtë të forcave dhe burimeve nga Perëndimi në Lindje, nëse do të jetë e nevojshme. Siç e theksoi Lordi Stuart Peach, kjo lidhje është thelbësore për të siguruar gatishmërinë operacionale dhe reagimin e NATO-s në rajon. Sidomos tani në mesin e tensioneve në rritje në krahun lindor të Evropës. Lëvizja efikase e aseteve ushtarake midis dy brigjeve, e forcon strategjinë e mbrojtjes kolektive të NATO-s, e cila është shumë e rëndësishme duke pasur parasysh shqetësimet në rritje mbi sigurisë nga veprimet e Rusisë në Ukrainë, por edhe në rajonin e Detit të Zi në përgjithësi.
Korridori VIII, integrohet me rrjetet trans-evropiane si Korridori i Mesëm, duke e zgjeruar lidhjen midis Evropës dhe Azisë Qendrore. Duke u përafruar me projekte të tilla si Rrjeti Trans-Evropian i Transportit, TEN-T, ai forcon kapacitetin logjistik të NATO-s, logjistikën ushtarake dhe qëndrueshmërinë e zinxhirit të furnizimit, dhe mbështet integrimin ekonomik dhe autonominë strategjike të Evropës Juglindore.
Bllokadë dhe dobësi
Marrëdhëniet e diskutueshme midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, e ndërlikojnë jo pak dimensionin gjeopolitik të Korridorit VIII. Bullgaria e ka bllokuar për momentin përparimin e Maqedonisë së Veriut në negociatat e pranimit në BE, duke kërkuar njohjen kushtetuese të një numri të vogël qytetarësh bullgarë brenda vendit.
Kjo këmbëngulje, perceptohet kryesisht si një levë politike për të pretenduar ndikim mbi politikën identitare të Shkupit. Në këtë mënyrë, Bullgaria e dëmton kohezionin e projekteve rajonale që janë jetike për zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin rajonal.
Dhe dështimi i Brukselit për t’i dhënë fund politikat penguese të Sofies, tregon dobësimin e lidershipit të saj në Evropën Juglindore, i nxitur edhe nga sfidat e brendshme që e pengojnë një veprim vendimtar. Balancimi i interesave të shteteve anëtare, ndërkohë që favorizon konsensusin diplomatik mbi imponimin, e ndërlikon më tej aftësinë e tij për të kërkuar ndikim në rajon.
Në aspektin ekonomik, Korridori VIII premton të jetë një katalizator i rritjes ekonomike rajonale, duke lidhur Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë përmes një rrjeti transporti multimodal që përfshin rrugë, hekurudha, porte dhe rrjete telekomunikacioni.
Ky korridor, pritet që t’i kapërcejë pabarazitë ekonomike, duke nxitur një lidhje më të mirë midis këtyre kombeve dhe duke lehtësuar flukset tregtare me Italinë, Rumaninë dhe Turqinë.
Shkëmbimet ekonomike midis Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë mbeten modeste, pjesërisht për shkak të sfidave infrastrukturore dhe integrimit të kufizuar të shërbimeve të transportit.
Sipas Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim, Sofja dhe Shkupi mbetet ndër të paktat kryeqytete evropiane pa një lidhje hekurudhore të drejtpërdrejtë midis tyre. Megjithatë, destabiliteti politik dhe mungesa e fondeve të qëndrueshme, i sabotojnë shpesh investimet në infrastrukturën e transportit.
Paqëndrueshmëria e vazhdueshme politike e vendeve, është një mangësi e madhe, e cila paraqet rreziqe të konsiderueshme për suksesin e Korridorit VIII. Për shembull, Shqipëria ka ende nevojë për më shumë infrastrukturë përgjatë vijës së saj bregdetare të Adriatikut, që të mund të lidhet me efektivitet me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.
Maqedonia e Veriut përballet me sfidën e dyfishtë të tejkalimit të pengesave politike të vendosura nga Bullgaria dhe modernizimit të infrastrukturës së saj të transportit. Duket se Banka Evropiane për Kërkim dhe Zhvillim (BERZH), si investitori kryesor në projektet e infrastrukturës në rajon, nuk i ka shfrytëzuar dot kapacitetet e saj.
Një ndikim rajonal më i gjerë Korridori VIII, është një projekt infrastrukturor rajonal që simbolizon ambicien më të gjerë të Evropës për lidhje dhe integrim. Ai plotëson Rrjetin Trans-Evropian të Transportit të BE-së (TEN-T), si një bosht i rëndësishëm për integrimin ekonomik dhe stabilitetin gjeopolitik në Ballkan.
Korridori është një shprehje e qartë e strategjisë së krahut jugor të NATO-s, që synon nxitjen e qëndrueshmërisë midis vendeve aleate, duke forcuar lidhjet ekonomike dhe përmirësuar mbështetjen logjistike për operacionet e mbrojtjes.
Për më tepër, përfundimi i këtij korridori ka të ngjarë të përforcojë rolet e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë në arkitekturën më të gjerë evropiane të sigurisë, pasi këto vende janë edhe anëtare të NATO-s. Pjesëmarrja e fondeve të BE-së dhe e institucioneve financiare perëndimore, si Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (ËBIF), është jetike për ecjen përpara të projektit dhe për sigurimin e zhvillimit të gjithanshëm të infrastrukturës. Megjithatë, sigurimi i investimeve të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse nga donatorët ndërkombëtarë mbetet një betejë e vështirë, shpeshherë e varur nga stabiliteti politik dhe bashkëpunimi rajonal, që nganjëherë mungon në Ballkanin Perëndimor.
Suksesi i Korridorit VIII, varet nga tejkalimi i pengesave politike dhe infrastrukturore. Nga pikëpamja e sigurisë, rëndësia e tij mbi kapacitetin logjistik të NATO-s në rajon, nënvizon urgjencën e përfundimit sa më shpejt të këtij korridori. Nga pikëpamja ekonomike, ai premton një lidhje të zgjeruar rajonale dhe mundësi për një rritje ekonomike më të madhe.
Dimensioni gjeopolitik, dhe veçanërisht vetoja e Bullgarisë kundër integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE, është një kujtesë shqetësuese, se sa thellë mund të ndikojë politika tek projektet infrastrukturore vendimtare për zhvillimin rajonal./Përshtati "Pamfleti" Nga “Daily Sabah”
Shënim:Zoran Ivanov, studiues dhe këshilltar në Institutin RINK në Ljubljanë të Sllovenisë, dhe lektor në Universitetin Shtetëror të Arizonës, SHBA.
Lini një Përgjigje