TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota24 Qershor 2025, 16:57

Kush është Thomas Fugate, 22-vjeçari me CV kopshtari të cilit Trump i ka besuar luftën kundër terrorizmit?

Shkruar nga Pamfleti

Kush është Thomas Fugate, 22-vjeçari me CV kopshtari të

Pa asnjë përvojë në fushën e sigurisë, por me stazh në një think tank konservator dhe besnikëri politike, Fugate zëvendëson një ekspert me 20 vite përvojë në luftën kundër terrorizmit. SHBA, në prag të një përballjeje të re me Iranin, e lë frontin e brendshëm në duar të paprovuara...

Ndërsa bombardon Iranin, duke rrezikuar hakmarrje nga Teherani kundër bazave amerikane në Lindjen e Mesme, por edhe sulme terroriste në territorin amerikan, Administrata Trump emëron 22-vjeçarin Thomas Fugate si drejtor të CP3, njësia e Departamentit të Sigurisë Kombëtare që merret me parandalimin e terrorizmit.

Fugate, i cili zëvendëson Bill Braniff, një veteran i ushtrisë me 20 vite përvojë në luftën kundër terrorizmit, nuk ka asnjë përvojë në këtë fushë. Aktivitetet e tij të mëparshme janë mjaft të kufizuara, kuptueshëm për shkak të moshës së re, si kopshtar dhe shpërndarës në një supermarket.

Më pas, vitin e kaluar, gjërat ndryshuan, fillimisht me një praktikë në Heritage Foundation dhe më pas me angazhim në fushatën elektorale të Trump. Kështu u bë pjesë e ushtrisë së “besnikëve” të parashutuar në administratën e re republikane.

U punësua në Departamentin e Sigurisë Kombëtare, por në seksionet që merren me luftën kundër emigracionit të paligjshëm. Tani është emëruar në vend të Braniff, i cili dha dorëheqjen për shkak të vendimit të qeverisë për të shkurtuar tre të katërtat e buxhetit të agjencisë që drejtonte.

Fugate nuk do të jetë në vijën e parë të përballjes me kërcënimet e brendshme, por rasti është domethënës për qasjen ideologjike dhe mjaft sipërfaqësore të Administratës së re përballë rreziqeve në rritje, në një epokë kur siguria e brendshme e Shteteve të Bashkuara kërcënohet njëkohësisht nga sulme terroriste fizike dhe, gjithnjë e më shumë, nga sulme kibernetike ndaj rrjeteve jetike për vendin.

Veçanërisht shqetësuese janë vendimi i Trump për të shkurtuar me 20 për qind fondet, tashmë të kufizuara, për CISA, agjencia përgjegjëse për mbrojtjen e infrastrukturave strategjike amerikane nga sulmet e jashtme, si dhe refuzimi i Kongresit për t’i zgjeruar kompetencat ekzekutivit për të zbuluar dhe shkatërruar dronë në zona të ndjeshme të vendit, propozim i rrëzuar nga senatori Rand Paul, kryetar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, republikan libertarian, me arsyetimin se nuk ka kërcënime të menjëhershme.

Një vit më parë, drejtoresha e CISA-s, Jen Easterly, kishte raportuar në Kongres mbi kapacitetet e reja të fituara nga Kina përmes një strukture infiltrimi në rrjetet kompjuterike të quajtur Salt Typhoon, e aftë të shkaktojë dëme të mëdha në rast konflikti, për shembull për Tajvanin, mbi rrjetet amerikane, si bllokimi i gazsjellësve, ndotja e ujësjellësve, paraliza e shpërndarjes së energjisë elektrike, e sistemeve të telekomunikacionit dhe e rrjeteve të transportit, përfshirë sistemet e kontrollit të trafikut ajror.

Këto janë rreziqe veçanërisht të mëdha në një vend ku shumë prej këtyre rrjeteve janë në pronësi private, ku pronarët nuk janë të prirur të heqin dorë nga fitimet për të investuar në siguri kombëtare. Rreziqe që po nënvlerësohen dukshëm nga Administrata e re, e cila, përveç se ka shkarkuar Easterly-n, po çmonton pjesërisht një agjenci të krijuar vetë nga Trump në vitin 2018, por që kishte rënë në shënjestër të tij që në vitin 2020, kur drejtori i emëruar prej tij, Kris Krebs, refuzoi të vinte në dyshim integritetin e zgjedhjeve presidenciale të fituara nga Biden. I zemëruar dhe i etur të tregojë vendosmëri, Trump edhe sot kërkon nga Departamenti i Drejtësisë të ndjekë penalisht Krebs për atë refuzim, ndërsa CISA goditet me akuza se ndjek politika të punësimit që bazohen në “diversitet, barazi dhe përfshirje”, tashmë të ndaluara.

Në realitet, me urdhër të Trump po çmontohen tani programet e sigurisë kibernetike për monitorimin e ndikimit të huaj në rrjet, për dezinformimin zgjedhor të ardhur nga jashtë, si dhe për tentativat për të goditur infrastrukturat jetike, përfshirë rrjetin elektrik dhe integritetin e sistemeve të votimit. Që nga 20 janari, dita e inaugurimit të Trump, fokusi i plotë i luftës kundër terrorizmit të huaj është përqendruar në betejën kundër emigracionit të paligjshëm, e cila kulmoi me thirrjen për të aktivizuar ligjin “Alien Enemies Act”, një ligj i vitit 1798 që lejon dëbimin e të dyshuarve si armiq gjatë kohës së luftës, për të deportuar drejt Salvadorit qindra venezuelianë të dyshuar si pjesë e bandës kriminale Tren de Aragua, tashmë shpallur nga Trump organizatë terroriste e huaj. Vështirë të besohet, megjithatë, se nëse në SHBA ndodhen qeliza terroriste iraniane të fshehura, ato do të neutralizohen me bastisjet e ICE, policisë anti-emigracion. /Corriere Della Sera

Lini një Përgjigje