Një shenjë është rënia e dollarit amerikan si rezervë e bankave qendrore. Një tjetër është rënia e saj si mjet tregtimi, kredie dhe investimi.
Provat sugjerojnë se shpeshherë perandoritë reagojnë ndaj periudhave të rënies së tyre duke i vënë në një presion të madh mekanizmat e tyre të përballimit të krizës. Dhe veprimet ushtarake, problemet e infrastrukturës dhe kërkesat e mirëqenies sociale, mund të kombinohen ose përplasen midis tyre, duke grumbulluar kosto dhe efekte të kundërta, të cilat nuk mund t’i menaxhojë dot perandoria në rënie.
Politikat që synonin të forconin perandorinë, tani e dëmtojnë atë. Ndryshimet shoqërore bashkëkohore brenda dhe jashtë perandorisë mund të përforcojnë, ngadalësojnë apo shmangin rënien. Megjithatë, kur rënia i bën udhëheqësit të mohojnë ekzistencën e saj, ajo mund të bëhet vetë-përshpejtuese.
Në vitet e para të perandorive, udhëheqësit mund të mënjanojnë ata që e vënë theksin apo thjesht e përmendin rënien. Problemet sociale mund të mohohen, të minimizohen. Ose edhe nëse pranohen, për to mund të fajësohen të tjerët:emigrantët, fuqitë e huaja ose pakicat etnike. Perandoria e SHBA-së, e shpallur me guxim nga Doktrina Monro, menjëherë pas dy luftërave për pavarësi të fituara kundër Britanisë së Madhe, u forcua shumë gjatë shekujve XIX-XX, dhe e arriti kulmin midis viteve 1945-2010. Zgjerimi i perandorisë amerikane, ndodhi paralelisht me rënien e perandorisë britanike.
Bashkimi Sovjetik përfaqësonte një sfidë të kufizuar politike dhe ushtarake, por asnjëherë ndonjë konkurrencë apo kërcënim ekonomik serioz. Lufta e Ftohtë ishte një garë e njëanshme, rezultati i së cilës ishte paracaktuar që në fillim. Të gjithë konkurrentët apo kërcënimet e mundshme ekonomike të perandorisë amerikane, u shkatërruan nga Lufta e Dytë Botërore.
Gjatë viteve që pasuan Evropa i humbi të gjithë kolonitë e saj. Pozicioni unik global i Shteteve të Bashkuara, me pozicionin e saj shproporcional në tregtinë dhe investimet botërore, ishte anormal dhe me gjasë i paqëndrueshëm. Shtetet e Bashkuara nuk mundën të dominon ushtarakisht mbi të gjithë Korenë në luftën e viteve 1950-1953.
Po ashtu, SHBA-ja i humbi luftërat e saj të mëvonshme në Vietnam, Afganistan dhe Irak. Aleanca e NATO-s nuk mjaftoi për të ndryshuar ndonjë nga këto rezultate. Mbështetja ushtarake dhe financiare e SHBA-së për Ukrainën dhe lufta ekonomike përmes sanksioneve e SHBA-së dhe NATO-s ndaj Rusisë, janë deri më sot dështime dhe ka të ngjarë të mbeten të tilla.
Të dështuara janë edhe sanksionet e SHBA-së kundër Kubës, Iranit dhe Kinës. Ndërkohë, aleanca BRICS po kundërshton politikat e SHBA-së për të mbrojtur perandorinë e saj, përfshirë luftën e saj përmes sanksioneve, me një efektivitet në rritje. Në fushën e tregtisë, investimeve dhe financave, ne mund ta masim ndryshe rënien e perandorisë së SHBA-së.
Një shenjë është rënia e dollarit amerikan si rezervë e bankave qendrore. Një tjetër është rënia e saj si mjet tregtimi, kredie dhe investimi. Së fundi, shihni pak rënien e dollarit amerikan si mjeti i preferuar ndërkombëtar për mbajtjen e pasurisë. Në Jugun Global, vendet, industritë apo kompanitë që kërkonin tregti, kredi ose investime shkonin për dekada të tëra në Londër, Uashington ose Paris.
Tani kanë mundësi të tjera:mund të shkojnë në Pekin, Nju Delhi ose Moskë, ku shpesh sigurojnë kushte më tërheqëse. Perandoria ofron avantazhe të veçanta, të cilat përkthehen në fitime të jashtëzakonshme për kompanitë e vendosura në vendin që dominon perandorinë.
Dhe rënia e çdo perandorie mund të rrisë mundësitë për perandoritë konkurruese. Kjo mund të jetë e ardhmja jonë me këtë shekull që do të bëhet “i Kinës”. Por edhe historia e këtij vendi përfshin perandori të mëparshme që u ngritën dhe u rrëzuan. A ka të ngjarë që e kaluara e Kinës dhe ekonomia e saj hibride, të ndikojnë në Pekini të mos bëhet thjesht perandoria e radhës por një organizate globale realisht multipolare?
A mund të realizohen ëndrrat dhe shpresat pas Lidhjes së Kombeve dhe Kombeve të Bashkuara, nëse dhe kur Kina ta bëjë këtë? Apo kjo e fundit do të bëhet hegjemoni i ardhshëm global kundër rezistencës së shtuar nga SHBA-ja, duke na sjellë më pranë rrezikut të luftës bërthamore?
Një paralele e përafërt historike, mund të hedhë pak dritë shtesë nga një kënd tjetër, se ku mund të na çojë klasa e sotme e perandorive. Lëvizja drejt pavarësisë së kolonisë së saj të Amerikës së Veriut e zemëroi aq shumë Britaninë e Madhe, sa që zhvilloi 2 luftëra (1775-1783 dhe 1812-1815) për ta ndalur atë.
Që të dyja ato dështuan. Kështu Britania e mësoi mësimin e vlefshëm se bashkë-ekzistenca paqësore me disa planifikime dhe akomodime të përbashkëta, do t’u jepte mundësi të dyja ekonomive që të funksiononin dhe rriteshin, përfshirë tregtinë dhe investimet në të dyja anët përtej kufijve të tyre.
Ajo bashkëjetesë paqësore u zgjerua, duke lejuar që synimet perandorake të njërës t’i linin vendin atyre të tjetrës. E përse të mos hipotetizojmë një trajektore të ngjashme për marrëdhëniet SHBA-Kinë gjatë brezit të ardhshëm? Me përjashtim të ideologëve të shkëputur nga realiteti, bota do ta preferonte pikërisht atë ndaj alternativës së një lufte bërthamore.
Ballafaqimi me dy pasoja të mëdha e të padëshiruara të kapitalizmit - ndryshimet klimatike dhe shpërndarjet e pabarabarta të pasurisë dhe të ardhurave - ofron projekte për një partneritet SHBA-Kinë që bota do ta duartrokiste. Kapitalizmi ndryshoi shumë si në Britani ashtu edhe në SHBA pas vitit 1815. Ka të ngjarë që të ndryshojë sërish pas vitit 2025. Mundësitë për këtë janë shumë tërheqëse./ Përshtati "Pamfleti" nga “Asia Times”
Shënim: Richard D.Wolff, profesor i ekonomisë në Universitetin e Masaçusets, Amherst, SHBA.
Lini një Përgjigje