Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka bërë të ditur se nga nesër do të nisë një turne në Serbi.
Vuçiç ka thënë se do të mundohet që të vizitojë 25 rajonet deri në fund të vitit. Ai ka paralajmëruar vizitë edhe në Kosovë, shkruan media serbe Tanjug.
“Kësaj radhe do të mundohem t’i vizitoj të gjitha 25 rajonet deri në fund të vitit. Shpresoj se do të mund të shkoj edhe në Kosovë. Do të flasim me njerëz në disa vende, jam veçanërisht i lumtur që do të shkoj në Bosilegrad si president i Serbisë”, tha Vuçiç në mbledhjen e Bordit Kryesor të Partisë Përparimtare Serbe.
Mediat në Serbi janë duke raportuar se presidenti ka nisur krijimin e Lëvizjes Popullore Shtetërore.
Vuçiç pritet që të nisë vizita mbarë vendit në ditët në vijim në mënyrë që ta shpalosë platformën e re politike.
Sipas raportimeve ai do të kërkojë mbështetjen e qytetarëve për “mbrojtjen e Serbisë”, ndërsa takimet e para do t’i fillojë nga Vranja.
Vuçiç është kryetar i Partisë Progresive Serbe, ndërsa në janarin e këtij viti ka pasur paralajmërime se do të japë dorëheqje që aty.
Ndërkohë ju rikujtojmë se më 18 Mars është parashikuar të mbahet takimi i radhës mes Vuçiç dhe kreut të qeverisë së Kosovës, Albin Kurti në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku në qendër të diskutimeve do të jetë dialogu mes palëve dhe pranimi i planit franko-gjerman.
Komuniteti ndërkombëtar ka pritshmëri të larta për këtë takim. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë temë diskutime mes të Presidentit të SHBA-së, Joe Biden dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von Der Leyen të premten në Washingotn.
Der Leyen pas takimit që ka pasur me Joe Biden ka theksuar se edhe Brukseli edhe Washingtoni e përkrahin plotësisht procesin e negociatave.
E pyetur për propozimin franko-gjerman, politikania gjermane ka thënë se tashmë palët e kanë atë propozim në tavolinë bashkë me udhërrëfyesin e si duhet të implementohet dhe se presin që Kosova dhe Serbia të tregohen konstruktive në këtë proces.
“Propozimi është tashmë në tryezë dhe ka një udhërrëfyes se si të arrijmë atje. Ne presim që të dyja palët të angazhohen në mënyrë konstruktive.” ka thënë von Der Leyen para gazetarëve.
Lini një Përgjigje