TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Shkurt 2025, 11:16

Kremlini zbardh detaje nga biseda Putin-Trump: E ftuam të vijë në Moskë

Shkruar nga Pamfleti
Kremlini zbardh detaje nga biseda Putin-Trump: E ftuam të vijë në
Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin

Moska ka zbuluar detaje të reja mbi bisedën 90-minutëshe midis presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin, ku u diskutua mundësia e një marrëveshjeje për paqe në Ukrainë.

Sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, Trump bëri thirrje për një ndalim të shpejtë të armiqësive dhe arritjen e një marrëveshjeje. Nga ana e tij, Putin theksoi rëndësinë e adresimit të “shkaqeve rrënjësore” të konfliktit, megjithëse Peskov nuk dha detaje specifike mbi këtë çështje.

“Presidenti Putin theksoi nevojën për të trajtuar shkaqet rrënjësore të konfliktit dhe ra dakord me Trump se një zgjidhje afatgjatë mund të arrihet përmes negociatave për paqe,” deklaroi Peskov për gazetarët.

Gjithashtu, presidenti rus ka shprehur mbështetjen për një qasje të re në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke theksuar se “ka ardhur koha që Rusia dhe SHBA të punojnë së bashku.” Putin ftoi Trump për një vizitë në Moskë dhe shprehu gatishmërinë për të pritur zyrtarë amerikanë për diskutime mbi çështje me interes të përbashkët, përfshirë konfliktin në Ukrainë.

Ndërkohë, shefi i inteligjencës së jashtme të Rusisë, Sergei Naryshkin, e cilësoi bisedën mes dy liderëve si “të thellë dhe kuptimplotë”, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve RIA.

Takimi më i fundit Trump-Putin u zhvillua në vitin 2018 në Helsinki, Finlandë. Biseda e tyre telefonike e djeshme ka ndodhur një ditë pas lirimit të amerikanit Mark Fogel, i dënuar në Rusi për posedim droge. Në këmbim, SHBA ranë dakord të lironin rusin Alexander Vinnik, i cili ishte dënuar për krime të lidhura me kriptovalutat.

Të mërkurën, Uashingtoni njoftoi gjithashtu lirimin e tre të burgosurve në Bjellorusi, duke përfshirë një amerikan.

Presidenti Donald Trump diskutoi për luftën në Ukrainë të mërkurën në telefonata të veçanta me Presidentin rus Vladimir Putin dhe Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, hapi i parë madhor diplomatik i presidentit amerikan për një luftë të cilën është zotuar se do ta ndalë.

Pasi bisedoi me Putin për më shumë se sa një orë, Trump tha se udhëheqësi rus, i cili nisi sulmin në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës në 2022, mbështet dhënien fund të luftës dhe se ata kishin diskutuar për “arritjen e një armëpushimi në një të ardhme jo shumë të largët”.

“Ai do që lufta të marrë fund. Ai nuk do që lufta të ndërpritet dhe luftimet të rikthehen sërish pas 6 muajsh”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

“Mendoj se jemi në rrugën drejt arritjes së paqes. Mendoj se Presidenti Putin do paqe, Presidenti Zelenskiy do paqe, unë dua paqe. Thjesht dua që të mos shoh më njerëz të vriten”, shtoi Presidenti amerikan.

Trump ka deklaruar prej kohësh se synon që t’i japë fund luftës në Ukrainë, por pa dhënë detaje se si mund ta arrijë këtë.

dmitry peskov donald trump

Lini një Përgjigje