TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Maj 2026, 08:54

Kostoja e luftës me Iranin 29 miliardë $, ekspertët rrëzojnë Pentagonin: Fatura reale 1 trilion dollarë

Shkruar nga Pamfleti

Përveç kostove direkte ushtarake, ekspertët paralajmërojnë edhe ndikim të gjerë ekonomik për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë si pasojë e konfliktit të vazhdueshëm.

Kostoja e luftës me Iranin 29 miliardë $, ekspertët
Shefi i Pentagonit, Pete Hegseth

Pentagoni ka deklaraur se kostoja e luftës me Iranin ka arritur në 29 miliardë dollarë, një shifër më e lartë se vlerësimi prej 25 miliardë dollarësh që i ishte paraqitur Kongresit amerikan vetëm dy javë më parë.

Një zyrtar i lartë i Pentagonit tha të martën se përllogaritja e re përfshin kostot e përditësuara për riparimin dhe zëvendësimin e pajisjeve ushtarake, si dhe shpenzimet operacionale.

CNN raportoi më herët se vlerësimi fillestar prej 25 miliardë dollarësh ishte më i ulët se kostoja reale, pasi nuk përfshinte dëmet në bazat amerikane në Lindjen e Mesme dhe shpenzimet për riparimin e tyre.

Ndërkohë, Linda Bilmes, eksperte e politikave publike në Harvard Kennedy School, vlerëson se konflikti me Iranin mund t’u kushtojë taksapaguesve amerikanë të paktën 1 trilion dollarë.

Në një analizë të publikuar online në muajin prill, Bilmes i ndau kostot në dy kategori: afatshkurtra dhe afatmesme deri afatgjata.

Sipas saj, kostot afatshkurtra përfshijnë municionet ushtarake, si raketa, bomba dhe sisteme interceptimi, mirëmbajtjen e dy deri në tre grupeve goditëse të aeroplanmbajtëseve, shpenzimet për personelin ushtarak dhe pagesat luftarake, si dhe humbjet apo shkatërrimin e pajisjeve si avionët luftarakë dhe dronët.

Ajo thekson se kostot e zëvendësimit të armatimeve janë shpesh më të larta se vlera e tyre historike në inventar. Për shembull, një raketë Tomahawk mund të figurojë me vlerë 2 milionë dollarë në inventar, por zëvendësimi i saj sot kushton deri në 3.5 milionë dollarë.

Bilmes paralajmëron se kostot afatmesme dhe afatgjata do të përfshijnë riparimin e objekteve ushtarake gjatë katër deri në pesë viteve të ardhshme, rimbushjen e arsenalit me sisteme armësh më të avancuara teknologjikisht dhe kujdesin shëndetësor për rreth 55 mijë trupa amerikane të dislokuara në rajon, të cilat mund të ekspozohen ndaj rreziqeve të ndryshme.

Përveç kostove direkte ushtarake, ekspertët paralajmërojnë edhe ndikim të gjerë ekonomik për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë si pasojë e konfliktit të vazhdueshëm.

Departamenti Amerikan i Energjisë deklaroi se çmimi i naftës pritet të mbetet mbi 100 dollarë për fuçi në javët e ardhshme, ndërsa disa analistë parashikojnë që çmimi mesatar i karburantit në SHBA mund të arrijë në 5 dollarë për gallon./ Pamfleti

 

pete hegseth

Lini një Përgjigje