
Rumania dhe Bullgaria prej 1 janarit 2025 janë pjesë e zonës Schengen, e cila është plotësuar me dy anëtarët e rinj. Për t’iu uruar mirëseardhje, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen publikoi një video në rrjetin social X (ish-Twitter) ku tregonte me ngjyrë të kaltër vendet anëtare të zonës Schengen.
Në hartë shiheshin edhe vendet jo-anëtare të Schengenit, që janë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Këto shtete ishin lënë me ngjyrë të bardhë, për të bërë dallimin.
Por, ajo që ra në sy ishte mungesa e vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Më konkretisht, Kosova përfshihej si pjesë e Serbisë.
Kjo u evidentua nga përdoruesit e rrjetit, mes të cilëve edhe Doris Pack, politikania veterane gjermane, e cila e pyeti bashkëkombësen e saj: “Ku është shteti i Kosovës?”.
Ndaj videos kanë reaguar edhe shumë politikanë, çka duket se ka detyruar mirëmbajtësit e adresës së Komisionit Europian në ‘X’ që të fshijnë videon e publikuar.
Jozyrtarisht, një zëdhënës i BE-së tha se videoja është hequr nga momenti që “çështja u soll në vëmendjen tonë”.
“Pamjet vizuale në llogaritë e mediave sociale të Komisionit Evropian, të cilat u publikuan për të mirëpritur Rumaninë dhe Bullgarinë si anëtarë të plotë të zonës Schengen, u hoqën nga të gjitha platformat sapo çështja u soll në vëmendjen tonë”, tha një prej zëdhënësve të BE-së për Klanin.
Të pyetur nëse qëndrimi i KE-së është se Kosova nuk është shtet i pavarur, në sqarim thuhet se “fakti që pamjet u hoqën është mjaft vetë-shpjeguese”.
Ursula von der Leyen qëndroi në Kosovë në tetor të vitit të kaluar. Ajo pati takime me krerët e shtetit.
Lini një Përgjigje