Nëse lufta në Ukrainë, përfundon keq për Putinin Pekini do ta rimerrte me kënaqësi të gjithë Mançurinë...
Kina mbetet në periferi të luftës së Rusisë, megjithatë është përfituesja më e madh prej saj. Ajo nuk shet armë, por importon energji të lirë nga Rusia dhe në këmbim eksporton frigoriferë dhe produkte të konsumit të gjerë. Kina flet formalisht për paqen, por në fakt dëshiron më shumë luftë, ka deklaruar presidenti i Republikës Çeke, Petr Pavel.
“Kina është shumë e interesuar të zgjasë status quo-në aktuale, pasi kështu mund ta shtyjë Rusinë drejt një sërë lëshimesh. Po ashtu, është shumë në favor të Kinës që Perëndimi po e dobëson disi mbështetjen ndaj Ukrainës”- theksoi ai.
Kësisoj Pekini po pret kohën e tij, ndërsa Rusia po ecën drejt të njëjtit fat si Bashkimi Sovjetik, që u shpërbë në vitin 1991 pas një lufte shumë të kushtueshme në Afganistan. Në cepin jugperëndimor të Rusisë ka që tani disa “republika” të shqetësuara, të përbëra nga shumica turke, me burime dhe me lëvizje gjithnjë e në rritje për pavarësi.
Por pikëpyetja më e madhe qëndron në anën tjetër të maleve Ural: në Siberi (në turqisht “Toka e fjetur”), e cila është po aq e madhe dhe e pasur me burime sa Kanadaja. Ajo kufizohet me Azinë Qendrore, Mongolinë dhe Kinën, dhe nëse, apo kur, Putin të nisë të lëkundet, Kina do të sulmojë.
Objektivi i parë do të jetë Mançuria e Sipërme, të cilën Rusia ia mori Kinës në mesin e shekullit XIX-të. Është një zonë sa Nigeria dhe që përfshin Vladivostokun, zonën bregdetare përgjatë Detit të Japonisë, ishullin Sakhalin dhe Ishujt Kuril.
Këto territore kanë një popullsi prej 4.5 milionë banorësh, gaz natyror dhe mineral hekuri të pashfrytëzuar përgjatë vijave të tyre bregdetare si dhe një sasi të konsiderueshme nafte dhe gazi në Sakhalin. Ato janë gati të boshatisura dhe të pazhvilluara.
Ndërkohë Mançuria e Poshtme (ende pjesë e Kinës) është një provincë dinamike me një popullsi prej 107 milionë banorësh, që është industrializuar dhe është shndërruar në një qendër të tregtisë. Nëse lufta në Ukrainë, përfundon keq për Putinin Pekini do ta rimerrte me kënaqësi të gjithë Mançurinë.
Dhe ka pak dyshim nëse një Rusi e dobët dhe në rrënim e sipër, mund të jetë e gatshme ose e detyruar që t’i lëshojë këto territore për një çmim të caktuar, opo nëse zona thjesht mund të gllabërohet me forcë. Kina ka krijuar rajone të tjera të “hegjemonisë ekonomike” përgjatë kufirit të saj me Rusinë.
Aktualisht brenda Federatës Ruse jetojnë vetëm 500.000 kinezë etnikë. Por disa qytete kineze me miliona banorë kanë ‘mbirë’ përgjatë kufirit midis 2 vendeve. Ata kanë ndërtuar fabrika, ferma dhe biznese dhe ofrojnë mallra dhe shërbime që rusët nuk janë të interesuar apo të paaftë për t’i prodhuar.
Mançuria është shembulli më i suksesshëm. Ajo ilustron dallimin e madh midis dy vendeve. Blagoveshchensk është një qytet rus kufitar i përgjumur me një popullsi prej 211.000 banorësh. Përtej lumit Amur është qyteti Heihe i Kinës shumë i industrializuar dhe i banuar nga 1 milionë e 673 mijë njerëz.
Moska dhe Pekini kanë zhvilluar luftëra ndërkufitare për shekuj me radhë. Por në vitet 1980 u zhvillua një koalicion Kinë-Rusi, një aleancë komoditetit që u krijua për për të kundërshtuar ndikimin amerikan dhe për të lehtësuar tregtinë. Pastaj marrëdhënia midis 2 vendeve ndryshoi thellësisht pas pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt 2022.
Agresioni i paprovokuar përmbysi jo vetëm normat ndërkombëtare, por presidenti Xi Jinping nuk e kishte idenë se kjo gjë do të ndodhte kur nënshkroi një “partneritet të pakufishëm” me Putinin vetëm disa ditë përpara fillimit të operacioneve. Që nga ajo kohë, Xi është distancuar nga Putin.
Kina nuk e ka dënuar zyrtarisht pushtimin dhe as nuk ka furnizuar me armë Rusinë. Por ajo ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Moskës dhe blerjet e saj të energjisë ruse, së bashku me ato të Indisë, po e financojnë aktualisht luftën e Putinit dhe nga kjo qasje po përfitojnë të dyja ekonomitë.
Por në të njëjtën kohë, Pekini ka lëvizur me kujdes drejt zbutjes së raporteve me Perëndimin pas imponimit të Aktit proteksionist të Çipave, që e kufizon qasjen e tij në teknologjinë jetike të gjysmëpërçuesve. Po ashtu Kina po përballet me fqinjë armiqësorë, një rritje ekonomike më të ulët dhe me problemet e borxhit publik për shkak të keq-menaxhimit të tij. Rezultati është se dy superfuqitë po takohen rregullisht për të provuar dhe zgjidhur dallimet në lidhje me tregtinë, teknologjinë dhe Tajvanin. Por në momentin që Rusia do të nisë të lëkundet, Kina do të ketë mundësinë për të pushtuar Mançurinë si dhe kontrollin mbi Distriktin Federal rus të Lindjes së Largët me një popullsi të rrallë, që përfshin një rajon të gjerë Arktik dhe të gjithë vijën bregdetare të Oqeanit Paqësor.
Bashkimi i Mançurisë me atë pjesë të shkëputur dikur, do ta kthente Kinën në një fuqi të madhe. Megjithatë mbetemi në fushën e hipotezave, sepse lufta e Rusisë në Ukrainë është larg fundit të saj. Ndërsa rezultati është i pasigurt, nuk ka dyshim se bota dalë-ngadalë po dëshmon fundin e perandorisë së fundit koloniale evropiane.
Aktualisht, elitat ruse në Moskë dhe Shën Petersburg jetojnë si mbretër dhe po i terrorizojnë qytetarët dhe vendet fqinje. Por kjo nuk mund të vazhdojë për shumë kohë. Ushtria ruse nuk po mundet të mposhtë një armik më të vogël dhe PBB-ja e saj është më e vogël se provinca e industrializuar Guangdong e Kinës, shumë pranë Hong Kongut. Përpjekja e Putinit në vitin 2022 për të ripushtuar “koloninë” e Ukrainës do të rezultojë një akt kamikaz. Ai po e shkatërron ekonominë dhe të ardhmen e kombit të tij. Ndaj një ditë do të shpërbehet perandoria e fundit e Evropës. Prandaj Kina vazhdon të vëzhgojë me vëmendje zhvillimet dhe pret rastin./Përshtati Pamfleti nga “Kyiv Post”
Lini një Përgjigje