TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Prill 2025, 13:30

Kina do të sulmojë Tajvanin brenda disa muajsh, 3 skenarët e mundshëm

Shkruar nga Ruben Johnson

Kina do të sulmojë Tajvanin brenda disa muajsh, 3 skenarët e

“Avantazhi e Amerikës qëndron te vigjilenca, aleatët dhe vullneti për të luftuar ndaj Kinës nëse do të jetë e nevojshme. Basti i Kinës? Zgjedhja e lojës së duhur dhe shpresa se fërkimet me SHBA-në të mos e çojnë drejt shkatërrimit”.

Pushtimi nga Kina i ishullit të Tajvanit, po konsiderohet gjithnjë e më shumë jo si një hipotezë e mundshme por vetëm një çështje kohe. Programi i aktiviteteve ngacmuese të Pekinit ndaj Tajvanit është cilësuar nga ish-shefi i shërbimit sekret bitanik, Alex Younger si “një manual mbi subversionin, ngacmimin kibernetik dhe politik”, apo si një rast studimor për të kuptuar aspektet e luftës në “zonat gri”.

Ndërsa situata e Tajvanit, ka edhe aspekte unike që lidhen me tensionet e saj të gjata me Kinën kontinental, ngacmimi në kuadër të “zonës gri”, me të cilën përballet ishulli, është pothuajse identik me veprimet e ndërmarra nga Kina dhe Rusia kundër vendeve të tjera në Evropë dhe Azi.

Këto përfshijnë sabotimin e infrastrukturës nënujore si interneti dhe kabllot e tjera të komunikimit, ndërhyrjet në zgjedhje dhe keqinformimin duke shfrytëzuar teknologjinë dixhitale. Më 4 mars, administrata e presidentit amerikan Donald Trump, vendosi një sërë tarifash mbi Kinën, të cilat Uashingtoni i konsideroi si stimuj që Pekini të rikthehej në atë që Uashingtoni e përcakton si tregti të barabartë dhe të ndershme.

Ajo masë e nxiti ambasadorin e Kinës në SHBA, të bënte kërcënimin gjysmë të paqartë se vendi i tij ishte i përgatitur për çdo “lloj lufte” me SHBA-në. Deklarata e ambasadorit kinez, është interpretuar nga shumë analistë, se mund të ketë ardhur koha që Pekini të nisë pushtimin ushtarak të Tajvanit, si raundi i parë i një konflikti të drejtpërdrejtë me SHBA-në.

Burimet e shërbimeve sekrete që kanë folur për 19FortyFive mbi këtë çështje, besojnë se një përpjekje e Kinës për ta bërë këtë, është jo më pak se 6 muaj larg. Të njëjtat burime të inteligjencës, nënvizojnë se afati kohor “maksimumi 6 muaj nga tani”, po nxitet nga besimi midis udhëheqjes së lartë të Partisë Komuniste Kineze, se administrata amerikane në Uashington ose nuk do të jetë e gatshme ose e paaftë të parandalojë një pushtim të Tajvanit nga ushtria kineze.

Një vlerësim i fundit i opsioneve të Pekinit nga Chuck DeVore, nënkolonel në pension i ushtrisë amerikane dhe ish ligjvënës në Kaliforni, parashikon 3 skenarë të mundshëm: “bllokadë asfiksuese, sulm i rrufeshëm ose një kaos i plotë”.

Në skenarin e parë marina e Kinës do ta zinte ishullin “në një lak të çeliktë, duke e kthyer Ngushticën e Tajvanit në një zonë të vdekur”. Sigurisht, 90 për qind e ushqimit të Tajvanit dhe i gjithë gazit të tij natyror vijnë përmes anijeve. Dhe nëse ndërpritet qarkullimi i tyre, ishulli do të vuajë nga uria për muaj të tërë. Pra nuk do kishte pushtim, as plazhe të përgjakura, por vetëm një mbytje e ngadaltë.

Skenari i dytë, do të përfshinte sulme masive me raketa që do të shkatërronin mbrojtjen e Tajvanit dhe mbingarkonin sistemet e tij të mbrojtjes raketore “Patriot etj. Ushtria e “hakerëve patriotë” të Pekinit, do të fuste në kolaps rrjetet e energjisë në Tajvan, do të mbyllte internetin dhe rrjetet telefonike.

Njëkohësisht, të paktën 100.000 trupa kineze do të zbarkonin në plazhet e ishullit. Duke pasur parasysh diferencën kohore prej 12 orësh me Uashingtonin, siç shkruan DeVore, e gjitha kjo do të ndodhte “para se amerikanët të zgjoheshin nga gjumi”. Prandaj, objektivi i Pekinit do të ishte “të pushtonte kryeqytetin Taipei brenda disa ditësh, dhe ta vendoste botën para faktit të kryer”. Skenari i tretë është më i frikshmi. Në këtë variant, Kina do të përpiqet të aneksojë Tajvanin dhe të shkatërrojë potencialin mbrojtës të SHBA-së dhe të gjithë aleatëve rajonalë të Amerikës.  Breshëritë e raketave do të shkatërronin jo vetëm objektet ushtarake në Tajvan, por edhe çdo bazë amerikane në Japoni, Guam dhe Filipine. Ndërsa kaosi do të shpërthente në Azi, 20.000 kinezë në moshë ushtarake të futur fshehurazi në SHBA, do të nisnin sulmet në bashkëpunim me kartelet meksikane të drogës.

SHBA-ja do ta humbte kontrollin e plotë të kufirit jugor, me përleshje të ashpra në të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe sulme sabotuese brenda kufirit në anën e Teksasit. Infrastruktura do të shkatërrohej nga sulmet në rrjetet e energjisë. Siç e thekson DeVore, ky do të ishte një version modern i asaj që u pa pas telegramit famëkeq Zimmermann në vitit 1917.

Në atë kohë, Gjermania Perandorake u përpoq të fuste në luftë Meksikën me SHBA-në për ta larguar këtë të fundit nga Lufta e Parë Botërore, duke dërguar madje këshilltarë ushtarakë në Meksikë. Britania arriti të thyejë kodin sekret të komunikimeve, dhe Amerika i shpalli luftë Gjermanisë.

Për Kinën kjo “luftë e pakufizuar do të shpërndante vëmendjen e SHBA-së, do të blinte kohë për pushtimin e Tajvanit, dhe do të testonte vendosmërinë e aleancës. Por është një lojë me shumë rreziqe, sidomos nëse kapet përpara nisjes. Më vonë, SHBA-ja mund të fitojë duke e përforcuar udhëheqjen globale dhe e ndëshkuar Kinën me sanksione ekonomike”.

Çfarë do të bëjë Kina? Kina nuk është e papërgatitur për të ndjekur një nga skenarët e mësipërm. Në shkurt, admirali Samuel Paparo, Komandanti i Komandës Indo-Paqësorit të ushtrisë së SHBA-së, deklaroi se lëvizjet e rregullta të anijeve ushtarake kineze rreth Tajvanit dhe fluturimet ngacmuese të avionëve të saj” nuk janë ushtrime; por prova për ribashkimin e detyruar të ishullit me Kinën komuniste”.

Brenda 6 muajve, mund ta dimë nëse një nga këto tre opsione ka sukses apo do të dështojë. Përfundimi i DeVore: “Avantazhi e Amerikës qëndron te vigjilenca, aleatët dhe vullneti për të luftuar ndaj Kinës nëse do të jetë e nevojshme. Basti i Kinës? Zgjedhja e lojës së duhur dhe shpresa se fërkimet me SHBA-në të mos e çojnë drejt shkatërrimit”.

Shënim: Reuben F.Johnson, ekspert për çështjet e jashtme ushtarake. Ka qenë konsulent i Pentagonit, disa qeverive të NATO-s dhe i qeverisë australiane në fushën e teknologjisë së mbrojtjes./ Përshtati "Pamfleti" Nga “19 FortyFive”

Lini një Përgjigje