
Evropianët mund të nisin me masat e tyre hakmarrëse. Por nëse do ta bëjnë këtë, Trump do të vendosë tarifa edhe më të larta ndaj tyre.
“Kjo luftë tregtare gjithëpërfshirëse, mund ta çojë drejt një recesioni ekonomik, si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në mbarë botën. Dhe është më se e qartë që tregjet janë të shqetësuara”- thotë ekonomisti i njohur Nouriel Roubini, që dalloi ndër të parët afrimin e krizës së madhe të vitit 2008. Profesori i Universitetit të Nju Jorkut, thotë se mund të dalim nga ky kaos, ndoshta me disa lëshime përballë etjes së Donlad Trumpit për hakmarrje.
Ndikimi në tregje i tarifave që vendosi Trump ka qenë shumë i fortë. Ç’duhet të presim tani?
Gjendemi përballë dy skenarëve. Në të parin, tarifat mbeten në niveli aktual. Në ato kushte, vlera e aksioneve do të bjerë akoma edhe më shumë, dhe bursat mund të humbin mbi 20 për qind. Por nëse Shtetet e Bashkuara do të nisë të negociojë shpejt me Evropën dhe vendet e tjera, rreziku mund të zbutet. Le të marrim për shembull BE-në. Ndaj saj u shpall një tarifë prej 20 për qind. Përmes negociatave, kjo normë mund të ulet në 10 për qind.
Dhe do të ishte një rezultat i mirë?
Sigurisht, sepse do të krijonte më pak probleme. Ndërkohë, Evropa duhet t’i çojë deri në fund reformat e saj, të vërë në zbatim një stimul të vërtetë fiskal dhe të integrohet më shumë brenda vetes. Blloku ka probleme strukturore, dhe ndoshta i duhet një tronditje si ajo e nxitur nga Trump që të bëjë atë që i duhet. Tarifat në nivelin 10 për qind do të ishin të durueshme, euro mund të dobësohet ose të forcohet me të njëjtën përqindje në harkun kohor të disa muajve.
Cili nga dy skenarët është më i mundshëm?
Mendoj se nëse SHBA-ja do të nisë së shpejti negociatat me Kinën, BE-në dhe të tjerët partnerët e mëdhenj tregtarë, tarifat do të jenë gjysma e atyre të shpallura në fillim. Sigurisht, do të kemi një ngadalësim të rritjes ekonomike globale, por jo recesion. Tregjet vlerësojnë se ka një probabilitet 50 për qind për fillimin e një recesioni ekonomik global dhe amerikan. Unë them se ka një shans prej 60 për qind për uljen e tensioneve dhe 40 për qind për një recesion.
Si duhet të reagojë Bashkimi Evropian në këtë moment, nga pikëpamja politike?
Evropianët mund të nisin me masat e tyre hakmarrëse. Por nëse do ta bëjnë këtë, Trump do të vendosë tarifa edhe më të larta ndaj tyre.
Atëherë cilat është rruga më e mirë që duhet ndjekur?
Në një skemë goditje-kundërgoditje Evropa humbet, sepse ka një suficit tregtar me SHBA-në. Prandaj në rastin e një përshkallëzimi të luftës tregtare, rritja ekonomike evropiane do të dëmtohet më shumë se ajo amerikane. Së dyti, mendoj se të paktën për momentin, Brukseli nuk duhet të kundërpërgjigjet, por duhet të përpiqet të arrijë një marrëveshje në 3 apo 6 muajt e ardhshëm.
Po çfarë lloj kompromisi mund të gjendet mes palëve?
Marrëveshja përfundimtare mund të jetë kjo: Evropa të shpenzojë më shumë për mbrojtjen, jo 2 por 3 për qind të PBB-së. Duke e bërë këtë, do të blejë më shumë teknologji dhe armë nga SHBA. Mund të mos iu pëlqejë, por ju evropianët nuk keni sisteme armësh të avancuara.
Ndaj s’keni luksin të zgjidhni. Madje nuk zotëroni as teknologjinë e mbrojtjes autonome, kështu që duhet të mbështeteni tek Amerika. Pastaj, duhet të ndaloni së bleri naftën ruse. Shtetet e Bashkuara kanë tonelata gaz natyror të lëngshëm për ta eksportuar Evropë. Për më tepër, SHBA-ja dhe BE-ja janë të shqetësuara për sjelljen e Kinës.
Ne duhet të reduktojmë rreziqet në marrëdhëniet me Kinën, sidomos mbi teknologjinë dhe sektorët jetike, duke përfshirë prodhimin e makinave. Kinezët janë duke e përmbytur Kontinentin e Vjetër me makinat e tyre elektrike, dhe kjo nuk është e pranueshme.
A do të mjaftonin këto lëvizje për të zbutur Trumpin?
Mund të shkoni edhe më tej. Të bëni pak më tepër investime direkte në SHBA, dhe të lejoni që euro - sot shumë e dobët - të rivlerësohet pak më shumë. Supozoni sikur t’i hidhni këto 5 apo 6 hapa, dhe që tarifat të mbeten në nivelin 8-10 për qind. Do ishte një marrëveshje e mirë për Evropën.
A ka mundësi Evropa të rishpikë veten dhe nëse po, si mund të bëjë atë?
Ajo duhet të vazhdojë stimujt fiskalë, siç e ka paralajmëruar tashmë, për mbrojtjen dhe infrastrukturën. Vende si Gjermania mund të bëjnë pa problem. Meqë tarifat do të çojnë në një rritje ekonomike më të ulët dhe inflacion të lartë, BQE duhet të lehtësojë politikën monetare, duke synuar një normë prej 1.5 për qind deri në verë.
E përsëris: stimuj fiskalë dhe monetarë, një mbiçmim i lehtë euros për të mos i zemëruar amerikanët, dhe negociata në vend të kundërpërgjigjes me të njëjtën mënyrë. Kështu do të shmangej recesioni. Është një marrëveshje e mirë, e cila mund të arrihet. Unë i njoh ata, e di se çfarë mendojnë në Uashington. Trump do të thotë se është “marrëveshja më e mirë në historinë e njerëzimit”, se ai fitoi, se e do Evropën, dhe se kjo e fundit bëri atë që donte.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, ka thënë se tarifat nuk janë një katastrofë. Ka të drejtë apo gabim?
Nëse tarifat e SHBA-së mbeten në nivelin 20 për qind për Evropën, 34 për qind për Kinën dhe për të gjitha vendet në atë listë të gjatë, atëherë po, do jetë për të gjithë një katastrofë. Por nëse tarifat përfundimtare do të jenë gjysma e atyre që janë shpallur, për botën do të jetë një marrëveshje e pranueshme./ Përshtati "Pamfleti" Nga “La Stampa”
Lini një Përgjigje