
Të mërkurën pasdite, burgu Marassi në Genoa të Italisë u përfshi nga një revoltë e madhe ku rreth 200 të burgosur dolën nga kontrolli dhe krijuan tension të fortë brenda institucionit. Mediat italiane raportojnë se gjithçka nisi kur disa të burgosur protestuan duke u drejtuar drejt zonës së sigurisë pranë mureve rrethuese. Situata u përshkallëzua me shpejtësi kur u hapën edhe qelitë e tjera dhe dhjetëra persona nisën të shkatërrojnë ambientet e brendshme.
Disa të burgosur u ngjitën në çatitë e godinave dhe u përhapën në pjesë të ndryshme të burgut, por nuk arritën të dalin jashtë perimetrit të sigurisë. Policia dhe karabinierët ishin në gatishmëri të plotë jashtë objektit, ndërsa rreth 100 efektivë ndërhynë për të vënë situatën nën kontroll. Ndërkohë, stafi mjekësor i burgut u evakuua për t’u mbrojtur nga kontakti i mundshëm me të burgosurit.
Shkaku i revoltës mendohet të jetë një ngjarje e rëndë që ndodhi ditët e fundit në burg; gjashtë të burgosur dyshohet se kanë përdhunuar një tjetër. Viktima është dërguar në spital për ndihmë mjekësore dhe ky incident mund të ketë qenë arsyeja kryesore që ndezi revoltën.
Hetimet janë në vijim për të zbardhur detajet dhe për të kuptuar nëse ka pasur përpjekje reale për arratisje. Autoritetet po analizojnë pamjet dhe dëshmitë për të identifikuar organizatorët e trazirës.
Lini një Përgjigje