
Me “zgjidhje politike” të konfliktit, unë nënkuptoj vendin që duhej të kishte drejtësia në menaxhimin e marrëdhënieve të pushtetit.
Përvoja ime vetjake nga konfliktit arabo-izraelit, që po na çmend prej 75 vjetësh, më tregoi, pavarësisht pyetjes rreptësisht politike, thelbin psikotik të kësaj marrëdhënieje të përgjakshme. Në historinë e popujve, si në atë të individëve, vjen një kohë kur përkeqësimi i një simptome, kërkon një analizë, e cila përtej fakteve, kthehet tek origjina e traumës.
Ka një ndryshim shumë të madh midis një tipi të mbyllur paranojak që ndihet i kërcënuar, dhe një paranojaku që vret. Ky dallim u tejkalua më 7 tetor 2023. Që nga ai moment, çdo ditë ishte një karikaturë e asaj të mëparshme: një dëlir, ndaj të cilit mendja mësohet si nën ndikimin e një droge, sikur të mos kishte asgjë për të thënë, ose asgjë më të mirë.
Ne u futëm në një situatë neurotike, ndërsa tani e gjejmë veten në pragun e një marramendje të përgjithshme, psikotike. Në një neurozë, realiteti teston ose e paralizon individin. Ndërsa në psikozë, subjekti e humbet ndjenjën e realitetit. Vendi që ne e quajmë Toka e Shenjtë, është shndërruar në transmetuesin e një frike gllabëruese, ontologjike: frika e zhdukjes.
Palestina e lashtë, Izraeli i sotëm, Gaza, Bregu Perëndimor dhe mbi të gjitha Jerusalemi, nuk janë më hapësira që maten në kilometra katrorë. Ato nuk janë më territore fizike, por vende të një territori të paformë, ku vetëmbrojtja përmes shpërfilljes së ekzistencës së tjetrit, ndodh me një mizori të papërshkrueshme.
Me çmimin e pashmangshëm të së vërtetës dhe në ‘dobinë’ e pashmangshme të vdekjes. Libani është gati të gllabërohet nga lufta. Gjithçka ndodh në anën e fuqisë ushtarake izraelite, sikur shkatërrimi të kishte fuqia për të ndërtuar, apo asgjësimi fizik të ishte një burim për të ardhmen.
A thua se për të luftuar kundër pjesës së padurueshme të kujtesës, duhej të riprodhohet në vend të riparohet ajo. Me luftën që po vazhdon, vdekja i mposht të gjithë ata që e nxisin atë. Nga këndvështrimi i tyre, territori duhet të spastrohet. Në fakt bëjnë të kundërtën: mbi tokën e jetëve dhe ndërtesave të djegura, lindin demonët e pangopur për urrejtje.
Inteligjenca njerëzore nuk është më e aftë që të përgjigjet, të ruajë reflekset e saj. Ajo i dorëzohet ligjit provizor të më të fortit. Nga këtu buron edhe heshtja e pakonceptueshme planetare përballë çmendurisë së vazhdueshme. I vetmi përjashtim qetësues është lëshimi i fletërrestit nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ish-Ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant, dhe liderin e Hamasit, Mohammed Deif, që supozohet të ketë vdekur.
Qoftë Islami politik apo Judaizmi politik, dëshirojnë që njohja e vetvetes të kalojë përmes mohimit të tjetrit. Në rastin e parë, merren peng gratë dhe sakrifikohet liria. Në të dytin, hipotekohet fati i rajonit dhe i hebrenjve në mbarë botën. Në të dyja rastet, mungesa katastrofike e zgjidhjeve politike i ka thyer argjinaturat e krijuara nga arsyeja.
Me “zgjidhje politike” të konfliktit, unë nënkuptoj vendin që duhej të kishte drejtësia në menaxhimin e marrëdhënieve të pushtetit. Ky vend është e braktisur gjithnjë e më shumë nga fuqitë e mëdha, përgjegjësia e të cilave është e pamatë. Në këmbim, ne jemi dëshmitarë të normalizimit të mospërputhjeve. Të shpërbërjes së ekzistencës në kazanin e identiteteve. Realiteti tërhiqet mënjanë si një qenie të frikësuar. Pastaj formohen blloqet. Në ata që rezistojnë, pra në njerëzit që me qetësi shkojnë në punë, lokale apo shtëpi. Dhe në atë që pyesin veten nëse do të shembet muri i shtëpisë, apo nëse djali i tyre është ende gjallë.
Sa për faktet, historianët, duke nisur nga ata izraelitë, e kanë vërtetuar se krijimi i shtetit të Izraelit pas Luftës së Dytë Botërore ndodhi në kurriz të një populli: atij palestinez. Tmerri i Holokaustit, nënkuptohet qartazi si e drejta e popullit hebre për siguri. Por si? Në çfarë forme?
Në çfarë kushtesh?
Këto pyetje, që kanë të bëjnë me të ardhmen e Izraelit dhe rajonit, janë shpërfillur nga evropianët. Izraeli u krijua nga një domosdoshmëri e pamohueshme, por në një vend dhe mbi baza shumë të diskutueshme. 1948, certifikata e lindjes së Izraeli, një ditë pasi arabët hodhën poshtë planin për ndarjen territoriale që rezervonte për shtetin hebre 56 për qind të territorit të Palestinës.
Ishte data vendimtare e një transplanti në një trup të dobësuar nga ndarja e tij arbitrare gjatë viteve 1920. Pasoi një luftë, të cilën arabët e humbën. Ishte fillimi i një cikli disfatash, që u fshehën për shkak të arrogancës. Që atëherë, ata kanë preferuan të prisnin që historia të korrigjonte humbjen e tyre, në vend se të ndryshonin vetë kursin.
Për palestinezët katastrofa quhet Nakba. Kështu Izraeli u vendos në 78 për qind të territorit të tyre. Humbja e dytë arabe gjatë të ashtuquajturës Lufta e Gjashtë Ditëve në vitin 1967, përfundoi me pushtimin e Sinait, Lartësive Golan, Bregut Perëndimor, Gazës dhe Jeruzalemit Lindor nga Izraeli.
Dekadat në vijim, i futën regjimet arabe në një garë të ethshme për para, pa pasur parasysh etikën dhe mendimin kritik. Ato vite e dënuan Izraelin të mbyllej në vetvete dhe të riprodhonte ciklin vicioz të pushtimit, plaçkitjes dhe mohimit, me luftën si opsionin e vetëm për sigurinë.
Duke refuzuar të pranojë pjesën e tij në krim, Izraeli rrezikon që kjo t’i kthehet kundër. Ashtu siç nuk ka një psikoanalizë efektive që nuk funksionon edhe në anën e saj negative, nuk ka përparim historik që nuk merr parasysh arsyen e kundërt. Disidentë izraelitë dhe shumë intelektualë hebrenj e dinë këtë, dhe e thonë më qartë se kushdo tjetër./Përshtati "Pamfleti", nga "Internazionale".
Lini një Përgjigje