
Izraeli po ndërpret furnizimin me energji elektrike, ujë dhe karburant në Gaza me kusht që Hamasi të lirojë pengjet izraelitë që ka mbajtur që nga pushtimi i së shtunës.
Kështu ka deklaruar ministri i Energjisë i qeverisë izraelite dhe ish-ministri i Financave, Israel Katz në një postim në “X”.
“A doni ndihmë humanitare në Gaza? Asnjë çelës elektrik nuk do të hapet, nuk do të hapet asnjë rubinet uji dhe asnjë kamion karburanti nuk do të hyjë derisa të pengjet izraelitë të kthehen në shtëpitë e tyre. Ne do t’i përgjigjemi njerëzimit me njerëzim dhe askush nuk do të na mësojë moralin”, ka shkruar Katz në platformën “X”.
Militantët e Hamasit nisën një sulm masiv ndaj Izraelit mëngjesin e 7 tetorit. Izraeli u kundërpërgjigj me sulme në Gaza. Të paktën 1200 persona në Izrael dhe mbi 1055 në Gaza janë vrarë që kur shpërtheu dhuna. Hamasi, që njihet si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe fuqitë e tjera botërore, udhëheq me Gazën që nga viti 2007.
Izraeli ka urdhëruar rrethimin e plotë të Gazës dhe autoritetet kanë thënë se kjo masë nënkupton ndërprerjen e ujit, ushqimit dhe energjisë për këtë territor. Izraeli dhe Gaza deri më tani kanë zhvilluar katër luftëra, teksa palestinezët vazhdimisht kërkojnë të krijojnë një shtet të tyre me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.
Lini një Përgjigje