
Irani njoftoi se ka nisur një valë të re sulmesh ndaj objekteve amerikane në Gjirin Persik, pas natës së gjashtë radhazi të operacioneve ushtarake të Shteteve të Bashkuara kundër objektivave iraniane. Përshkallëzimi i fundit vjen pasi armëpushimi i muajit të kaluar është zëvendësuar nga sulme dhe kundërsulme të përditshme.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) bëri të ditur se forcat amerikane zhvilluan një seri të re sulmesh për të, sipas saj, "degraduar më tej aftësitë ushtarake iraniane". Objektivat e goditura ndodheshin në ishullin Qeshm dhe pranë Bandar Abbas, ku ndodhen porti më i madh i Iranit, si edhe baza të rëndësishme të marinës dhe Gardës Revolucionare.
Sipas deklaratës së CENTCOM-it, avionë luftarakë, dronë dhe anije luftarake përdorën municione precize për të goditur dhjetëra objektiva ushtarake, përfshirë sisteme të mbikëqyrjes bregdetare, mbrojtjes ajrore, infrastrukturë logjistike dhe kapacitete detare.
Nga ana tjetër, autoritetet iraniane deklaruan se kanë vijuar sulmet me raketa dhe dronë ndaj bazave ushtarake amerikane në vendet fqinje. Ushtria iraniane njoftoi se në orët e para të së premtes goditi objekte amerikane në Bahrein dhe Kuvajt, ndërsa më herët kishte shënjestruar edhe një bazë ajrore amerikane në Jordani.
Në Doha të Katarit u raportuan shpërthime, ndërsa Ministria e Brendshme e Katarit bëri të ditur se një fëmijë mbeti i plagosur nga copëzat e predhave.
Ndërkohë, mediat shtetërore iraniane raportuan se sulmet amerikane goditën pesë ura, stacionin hekurudhor në Bandar Khamir dhe aeroportin Iranshahr, në juglindje të Iranit.
Sipas agjencisë shtetërore iraniane IRNA, shtatë persona humbën jetën si pasojë e sulmeve amerikane ndaj urave në Bandar Khamir, një qytet portual në jug të vendit. Këto raportime nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Lini një Përgjigje