Vetëm me ndihmën e Rusisë, presidenti sirian ishte në gjendje të nënshtronte popullin e tij për vite me radhë.
Vladimir Putin i ka kthyer shpinën diktatorit sirian Bashar al- Assadit pas rënies nga pushteti.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Tass, ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, shpjegoi se ndryshimi i shpejtë i pushtetit në Siri rreth tre javë më parë erdhi për shkak të paaftësisë së Bashar al-Assad.
Ai nuk arriti dot të shërojë sëmundjet sociale në vend.
“Një nga arsyet e krizës ishte paaftësia e qeverisë së atëhershme për të përmbushur nevojat themelore të popullsisë gjatë luftës së gjatë civile”, shpjegoi Lavrov.
Rusia, krahas Iranit, kishte vepruar si një fuqi mbrojtëse për regjimin sirian deri në rënien e Assad më 8 dhjetor.
Lavrov tha se pavarësisht sukseseve të arritura (edhe falë Forcave Ajrore Ruse), sirianët nuk kishin përjetuar ndonjë përmirësim në kushtet e tyre të jetesës. Shtetet e Bashkuara mbajnë përgjegjësi të konsiderueshme për këtë: kanë pushtuar një rajon të pasur me lëndë të para në veri-lindje të vendit dhe kanë ushtruar presion shtesë mbi qeverinë siriane përmes sanksioneve.
Përparimi çuditërisht i shpejtë i rebelëve islamikë befasoi si Assad-in, ashtu edhe Kremlinin. Kur rebelët morën Damaskun, Assad u evakuua në Moskë në ekzil.
Megjithatë, sundimtari i Kremlinit, Vladimir Putin deklaroi se largimi i Assad-it nga pushteti nuk duhet të shihet si një goditje ndaj përfshirjes ushtarake të Rusisë në Siri që nga viti 2015.
Ndërkohë, sipas aktivistëve, pushtetarët e rinj në Siri kanë arrestuar pothuajse 300 mbështetës të Assad-it në një operacion. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut raportoi se arrestimet u bënë gjatë një operacioni që ka vazhduar që nga e enjtja në kryeqytetin Damask dhe pjesë të tjera të vendit.
Agjencia shtetërore siriane e lajmeve Sana raportoi gjithashtu për arrestime të "milicëve të Assad-it" në disa provinca. U sekuestruan armë dhe municione.
Si u arratis Assad nga Siria?
“Reuters” ka zbardhur detaje mbi mënyrën se si presidenti sirian Bashar al-Assad arriti të largohej nga Damasku për në Rusi, duke siguruar azil politik për veten dhe familjen e tij.
Sipas raportimit, pak orë para largimit, Assad zhvilloi një takim urgjent me rreth 30 zyrtarë të lartë ushtarakë dhe të sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes. Ai i siguroi ata se mbështetja ushtarake ruse ishte duke ardhur dhe u bëri thirrje forcave tokësore të qëndronin të forta. Më pas, ai njoftoi stafin e tij se po kthehej në rezidencë, por në vend të kësaj u nis drejt aeroportit.
Raportohet se as vëllai i tij, Maher al-Assad, komandant i Divizionit të 4-të të ushtrisë siriane, nuk ishte në dijeni të këtij plani. Pas largimit të Basharit, Maher u detyrua të fluturonte në Irak me helikopter përpara se të arrinte edhe ai në Rusi.
Familja e ngushtë e Assadit, bashkëshortja Asma dhe tre fëmijët, e priste tashmë në Moskë. Ndërkohë, disa nga të afërmit e tij qëndruan në Damask dhe u përpoqën të arratiseshin drejt Libanit, por ranë në pritën e rebelëve.
Vetë Bashar al-Assad u largua nga Damasku më 8 dhjetor, duke fluturuar nën radar me një avion që kishte fikur transponderin. Largimi i tij dramatik shënoi fundin e një regjimi 24-vjeçar dhe përmbysjen e pushtetit gjysmë shekullor të familjes së tij.
Skenat e transmetuara nga shtëpia e braktisur e Assadit tregojnë një largim të nxituar, ku janë lënë pas ushqime të gatuara, sende personale dhe albume familjare. Rebelët dhe civilët që pushtuan rezidencën dokumentuan gjithçka, duke shënuar një epilog të papritur për një nga sunduesit më të gjatë të Lindjes së Mesme.
Lini një Përgjigje