
Viktimat, turistë dhe pushues të moshuar. Humbën jetën pas sulmeve kardiake të papritura në det dhe në breg. Temperaturat pritet të arrijnë mbi 45°C...
Një valë ekstreme të nxehti ka shkaktuar pesë viktima brenda 24 orëve në plazhet e Puglias, në Italinë e Jugut, gjatë dy ditëve të para të javës që pritet të jetë ndër më të nxehtat e vitit. Temperaturat në zonë kanë filluar të kapërcejnë 40 gradë Celsius, ndërsa mjekët paralajmërojnë për rrezik serioz për të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore.
Të martën, dy turistë humbën jetën si pasojë e komplikacioneve shëndetësore të papritura gjatë pushimeve.
Rreth mesditës, një burrë rreth të 60-ave pësoi një arrest kardiak teksa notonte në ujërat e Torre dell’Orso, një destinacion popullor në zonën e Melendugnos. Pushuesit që ndodheshin aty panë trupin e tij të pajetë në ujë dhe lajmëruan menjëherë rojet bregdetare, të cilët e nxorën në breg dhe nisën procedurat e reanimimit. Por përpjekjet e personelit mjekësor të emergjencës rezultuan të kota.
Pak më herët, në Torre Inserraglio, një zonë detare e Nardòs, një 82-vjeçar nga Ruvo di Puglia, i cili po qëndronte në një rezidencë turistike, pësoi arrest kardiak teksa ndodhej në një plazh privat. As ndihma e menjëhershme nga pushuesit dhe personeli mjekësor nuk mundi ta shpëtonte. Në vendngjarje ndërhynë karabinierët dhe roja bregdetare për hetimet e rastit. Trupi iu dorëzua bashkëshortes së viktimës.
Tragjedia kishte nisur që të hënën. Në Torre Lapillo, në zonën e Porto Cesareos, ndërroi jetë një 79-vjeçar nga Carmiano, Alfredo Conte, teksa pushonte në plazhin publik. Po atë ditë, në zonën turistike të Savelletrit, 66-vjeçari Pino Barletta, sipërmarrës nga Ostuni, pësoi infarkt në bordin e varkës së tij.
Në mbrëmjen e së hënës, humbi jetën edhe Evelina Luta, një vajzë 19-vjeçare me origjinë moldave, por e rritur në Modena, që ndodhej me pushime në Ugento së bashku me prindërit.
Sipas meteorologëve, një anticiklon afrikan ekstrem ka përfshirë të gjithë rajonin jugor të Italisë. Sicilia pritet të arrijë temperatura deri në 45°C deri të shtunën, ndërsa Puglia, Basilicata dhe Calabria janë në alarm për shkak të temperaturave mbi 40°C që do të vazhdojnë për të paktën pesë ditë të tjera.
Autoritetet italiane i kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut, të pinë shumë lëngje dhe të ndihmojnë personat e moshuar apo ata me probleme shëndetësore.
Lini një Përgjigje