TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota15 Qershor 2025, 19:15

Sulmi ndaj Iranit, Netanyahu: Vepruam për të parandaluar holokaustin bërthamor

Shkruar nga Pamfleti

Sulmi ndaj Iranit, Netanyahu: Vepruam për të parandaluar holokaustin

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se sulmet ajrore kundër Iranit ishin një veprim i domosdoshëm për të ndaluar atë që ai e quajti “një holokaust bërthamor”.

Në një intervistë për Fox News, Netanyahu tha se shërbimet izraelite të inteligjencës kishin siguruar të dhëna të qarta që tregonin se Irani ishte vetëm pak muaj larg zhvillimit të një arme bërthamore.

“Duhej të vepronim. Ishte momenti i fundit, dhe ne vepruam. Për të shpëtuar veten, por edhe për të mbrojtur botën nga ky regjim zjarrvënës”, deklaroi ai.

Netanyahu theksoi se Izraeli kishte ndarë informacionin me Shtetet e Bashkuara dhe sipas të dhënave të tyre, Teherani po përparonte me shpejtësi në një plan sekret për të ta kthyer uraniumin në armë.

“Informacioni që morëm dhe që i ndamë Shteteve të Bashkuara ishte absolutisht i qartë: Se ata po punonin sipas një plani sekret për ta kthyer uraniumin në armë, se po ecnin shumë shpejt, se do të arrinin një pajisje testimi dhe ndoshta një pajisje fillestare brenda disa muajsh, dhe sigurisht më pak se një viti”, tha ai.

“Nuk mund ta pranonim kurrë këtë. Nuk do të kemi një holokaust të dytë, një holokaust bërthamor. Ne e kemi kaluar një të tillë në shekullin e kaluar, shteti hebre nuk do ta lejojë një tjetër masakër ndaj popullit të tij”, u shpreh Netanyahu.

Ai shtoi se Irani kishte mjaftueshëm uranium të pasuruar për nëntë bomba bërthamore dhe sipas tij, “gjithçka që u mungonte ishte armatosja e tyre. Ne e ndaluam këtë”.

I pyetur nëse ndryshimi i regjimit në Iran ishte pjesë e objektivave të tij, Netanyahu tha se: “Mund të jetë rezultat, sepse regjimi iranian është shumë i dobët”.

Ai sulmoi ashpër qeverinë në Teheran, ndërsa u shpreh se “80% e popullsisë do ta përzinte këtë klikë teokratike”.

“Ata qëllojnë gratë sepse nuk mbulojnë flokët. Qëllojnë studentët. U marrin frymën këtyre njerëzve të guximshëm dhe të talentuar, popullit iranian”, shtoi Netanyahu.

Ai theksoi se vendimi për ndryshim nuk vjen nga jashtë: “Vendimi për t’u ngritur këtë herë është i vetë popullit iranian”.

Lini një Përgjigje