
22 persona kanë mbetur të plagosur nga tërmeti me magnitudë 6.1 ballë të shkallës Rihter që goditi Turqinë. Epiqendra e tërmetit ishte në qytetin Sindirgi në provincën Balikesir, në Turqinë perëndimore.
Tërmeti me magnitudë 6.1 ballë ndodhi në orën 22:48 ndërsa sipas agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave, AFAD, nuk u raportuan viktima të menjëhershme, megjithëse u shënuan disa lëkundje pasuese, disa prej të cilave u ndjenë deri në Stamboll.
Të paktën tre ndërtesa të pabanuara dhe një dyqan dykatësh u shembën në Sindirgi, tha Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya. Strukturat ishin dëmtuar tashmë nga një tërmet i mëparshëm. 22 persona u plagosën, ndërsa fatmirësisht nuk ka të vdekur.

“Deri më tani, nuk kemi identifikuar ndonjë humbje jete, por po vazhdojmë vlerësimin tonë", tha administratori i distriktit të Sindirgi-t, Dogukan Koyuncu, për agjencinë shtetërore Anadolu.
Sindirgi u godit në muajin gusht nga një tërmet tjetër me magnitudë 6.1, ku mbeti i vdekur një person dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Rajoni ka pësuar goditje të rregullta që atëherë.

Lini një Përgjigje