TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota15 Janar 2026, 08:10

Historia dikton dështimin e “sferave të ndikimit”

Shkruar nga Alexander Motyl
Historia dikton dështimin e “sferave të ndikimit”
Fjalimi i Vladimir Putinit drejtuar kombit për Vitin e Ri 2017.

Në shekullin XXI, shtetet moderne dhe nacionalizmi i rrënjosur e bëjnë pushtimin e territoreve të huaja një projekt të dështuar dhe ekonomikisht të papërballueshëm. Ndryshe nga shekujt e kaluar, fuqitë e mëdha përballen sot me popullata të organizuara që janë të gatshme të luftojnë deri në fund për pavarësinë e tyre.

Donald Trump mund të dëshirojë të krijojë një sferë ndikimi amerikane, dhe Kina e Rusia mund të jenë të lumtura të ndjekin hapat e tij. Por sado që të përpiqen, do të dështojnë. Dhe kjo për një arsye të thjeshtë: shekulli XXI nuk është shekulli XIX.

Ajo që ishte e mundur dhe relativisht e lehtë 200 vjet më parë zgjerimi perandorak, pushtimi dhe shfrytëzimi i burimeve koloniale - është bërë sot dukshëm më e vështirë. Tani, ndryshe nga atëherë, bota është e ndarë, në pjesën më të madhe, në shtete funksionale me ushtri dhe forca policore.

Pjesa më e madhe e zgjerimit evropian gjatë shekujve XVIII-XIX përfshinte përballjen me shoqëritë tradicionale që nuk kishin ushtri formale dhe pajisje moderne. Rusia e pushtoi Siberinë në 100 vjet. Shtetet e Bashkuara patën nevojë edhe për më shumë kohë për të pushtuar territoret në Perëndim, përtej Apalasheve.

Evropianët e ndanë Afrikën, Lindjen e Mesme dhe pjesën më të madhe të Azisë në më pak se një shekull. Në të gjitha këto raste, shtetet dhe ushtritë moderne i mposhtën lehtësisht ato jo-moderne. Ndërkohë, sot situata është dukshëm e ndryshme.

Vendet në periferitë e Amerikës, Kinës dhe Rusisë nuk janë të lehta për t’u nënshtruar. Shtetet e Bashkuara morën hakmarrjen e tyre në Irak, por nënshtrimi i Kolumbisë, Venezuelës, Kubës, Meksikës dhe Grenlandës nuk do të jetë i lehtë.

Rusia po e mëson këtë leksion të hidhur në Ukrainë, dhe duke pësuar humbje marramendëse në personel dhe pajisje, mund të jetë fizikisht e paaftë të zgjerohet në vende më të mëdha se Estonia dhe Letonia. Ndërkohë, Kina mund ta mësojë të njëjtin leksion në Tajvan.

Popullatat bashkëkohore, jo më pak të rëndësishme, besojnë se janë kombe me të drejta për vetëvendosje dhe janë të gatshme të vdesin në mbrojtje të kombeve të tyre unike dhe shteteve të pavarura.

Epoka e nacionalizmit ka përcaktuar identitetet globale të paktën që nga Revolucioni Francez. Prandaj, zgjerimi perandorak do të hasë menjëherë gatishmërinë e njerëzve kudo për të luftuar për të drejtën e tyre për të ekzistuar si entitete politike të pavarura me identitete të pavarura.

Një shembull konkret janë ukrainasit. Teksa pritej gjerësisht që të shpërbëheshin në fillim të vitit 2022 pas pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë, ukrainasit u treguan të gatshëm të bënin sakrifica të mëdha për të ruajtur identitetin dhe pavarësinë e tyre.

Aq sa aktualisht janë në prag të mposhtjes së një vendi shumë më të madh, Rusisë. A dyshon ndokush se estonezët, letonezët, lituanezët, finlandezët, polakët dhe shumë të tjerë do t’u rezistojnë me mish e me shpirt pushtimeve ruse?

Apo se tajvanezët, japonezët dhe koreano-jugorët do t'i rezistojnë Kinës, ashtu si latino-amerikanët dhe amerikanët qendrorë do t’i rezistojnë hegjemonisë amerikane? Ndërkohë, fuqive të mëdha u mungon kapaciteti shtrëngues dhe mjetet ekonomike për të imponuar vullnetin e tyre kudo që dëshirojnë: nuk mund të ndërtohet një perandori duke hasur vështirësi në operacionet pushtuese apo duke përdorur armë bërthamore.

Më e rëndësishmja: shumë pak shtete moderne do të ishin të gatshme të ndiqnin gjurmët e perandorive historike. Romakët i mundën rivalët e tyre gjatë ndërtimit të perandorisë së tyre. Por për ta arritur këtë, atyre iu deshën shekuj luftërash të pandërprera dhe një shfrytëzim i plotë i një ekonomie skllavopronare.

Më e përshtatshme është përpjekja e Gjermanisë së Vilhelmit për t’u afruar me imperialistët e tjerë evropianë. Gjermanët krijuan disa koloni, por e bënë këtë duke nxitur britanikët dhe rusët që të ktheheshin kundër tyre, me rezultate katastrofike në Luftën e Parë Botërore.

Pastaj është kostoja ekonomike e imperializmit. Romakët e paguan me dëshirë çmimin e zgjerimit të perandorisë sepse kultura e tyre i lavdëronte luftën dhe heroizmin, ndërsa ekonomia e tyre e mbijetesës mund të prodhonte një tepricë vetëm përmes pushtimit.

Në të kundërt, zgjerimi perandorak nuk ka gjasa të përballohet me kënaqësi nga popullatat moderne të shqetësuara për rehatinë e konsumatorit. A do t’i mbështesin amerikanët “luftërat e përjetshme” vetëm sepse ndodhen në oborrin e tyre?

Edhe rusët, të cilët e kanë miratuar në heshtje luftën e tyre kundër Ukrainës, duket se janë lodhur dhe duan tani një formë paqeje. Kinezët mund të jenë të lumtur të derdhin gjakun e tyre për hir të pushtimit të Tajvanit, por a do të mbetej entuziazmi i tyre po aq i madh nëse Pekini do të vendoste të “drejtonte” Filipinet ose Indonezinë?

Së fundmi, është edhe çështja e “oborreve të shtëpisë”. Ku fillon njëri dhe mbaron tjetri? Britanikët dhe francezët u përballën me këtë problem në Afrikë. Në oborrin e kujt bën pjesë Grenlanda: të Amerikës, Rusisë apo Kinës?

Ose oborri i kujt llogaritet si oborr shtëpie dhe i kujt jo? Në kuptimin e ngushtë të fjalës, pothuajse çdo vend ka një oborr shtëpie të banuar nga fqinjët e tij paqësorë ose armiqësorë. Me kaq shumë oborre të mëdha dhe të vogla në lojë, rezultati ka të ngjarë të jetë kaos dhe jo rend.

Duke e shtyrë rendin ndërkombëtar aktual në prag të kolapsit, Trump i ka ftuar fuqitë e mëdha reale dhe të supozuara që të konfirmohen në sferat e tyre të ndikimit. Por rezultati nuk ka gjasa të jetë një kufi i përcaktuar qartë.

Në vend të kësaj, fuqitë e mëdha do të provokojnë rezistencë midis popujve të atij kufiri. Projekti i kufirit do të dështojë, ndërsa paqëndrueshmëria dhe lufta do të përhapen dhe përfundimisht do të kthehen edhe kundër nxitësve të saj me mendësi perandorake./Përshtati "Pamfleti", nga “19FortyFive”

Shënim: Alexander Motyl, është profesor i shkencave politike në Rutgers-Newark, ekspert për Ukrainën, Rusinë dhe BRSS-në, si dhe për nacionalizmin, revolucionet dhe perandoritë.

sfera e ndikimit deshtim

Lini një Përgjigje