
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski është shprehur se heqja e mbishkrimeve në shqip nga tabela në pikën kufitare Bllacë, s’është gjë tjetër veçse pjesë e një plani për destabilizuar vendin.
Sipas Mickoskit këto veprime janë rezultat i panikut nga disa grupe që janë të shqetësuar për afrimin e hetimeve ndaj tyre.
“Nuk mund të identifikoj një institucion të veçantë përgjegjës për këtë, sepse nuk besoj se është një institucion i caktuar, por është pjesë e një plani për destabilizim nga struktura kriminale që kanë përfituar përmes aktiviteteve të paligjshme në kurriz të qytetarëve. Kriminelët politikë që kanë manipuluar me institucionet, kanë ndarë licenca për video-lotari të paligjshme dhe lotari online, tani janë të frikësuar pasi hetimet po i afrohen. Këta individë, të cilët ndihen të kërcënuar, përpiqen të destabilizojnë shtetin, por nuk do të kenë sukses,” u shpreh Mickoski.
Ndërkohë që në anën tjetër, Arben Taravari nga partia VLEN ka kritikuar dramatizimin e rastit, duke theksuar se heqja e mbishkrimeve në shqip ishte një manovër për të shpërqendruar opinionin nga vendimi i Gjykatës së Apelit që kishte rikthyer vulat e partisë së Taravarit.
“Rasti është dramatizuar pa arsye. Heqja e tabelave ishte një përpjekje për të shpërqendruar vëmendjen nga vendimi i Gjykatës së Apelit dhe nga parregullsitë që u zbuluan në konferencën për shtyp. Tabela ishte ndryshuar me urdhër të ish-drejtorit të ndërmarrjes për rrugë publike dhe tani është rikthyer në përputhje me standardet. Përsëri, tabela e re do të jetë në tri gjuhë”, tha Taravari.
Ven të theksohet se pas shqetësimeve të ngritura nga opozita shqiptare, të shtunën u bë e qartë se tabelat e reja që kishin hequr mbishkrimet në shqip janë zëvendësuar sërish me ato që përfshijnë edhe gjuhën shqipe.
Lini një Përgjigje