TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota26 Dhjetor 2024, 21:00

Hakmarrje ndaj Turqisë për rrëzimin e Assadit, Rusia dhe Irani po komplotojnë përmbysjen e autokratit Alijev në Azerbajxhan

Shkruar nga Saahil Menon

Hakmarrje ndaj Turqisë për rrëzimin e Assadit, Rusia dhe Irani po

Turqia është njëra prej qendrave më të rëndësishme të anashkalimit të sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë.

Në fund të muajit nëntor, organizata Hayat Tahrir Al-Sham (HTS) - një fraksion i Frontit Al-Nusra tashmë të zhdukur dhe i lëvizjes kryesore opozitare në Siri - nisi një ofensivë të shpejtë nga Aleppo në Damask, e cila kulmoi 2 javë më vonë me rrëzimin e regjimit dhe arratisjen e udhëheqësit jo popullor Bashar Al-Assad.

Mbetet ende e paqartë arsyeja se përse aleatët e tij, Rusia dhe Irani, vendosën që këtë herë të mos e ndihmonin, duke braktisur një projekt që vlerësohet se i ka kushtuar secilit nga 30-50 miliardë dollarë. Sidoqoftë, rrëzimi i shpejtë i dinastisë Assad pas 53 vjetësh sundimi vrastar dhe me grusht të hekurt, ngre pyetjen se çfarë e pret klanit Alijev që sundon Azerbajxhanin, një regjim tjetër dinastik, mbi të cilin ndikimi ruso-iranian duket të jetë i madh.

Si Moska ashtu edhe Teherani, kanë lënë të nënkuptohet përfshirjen Perëndimit në rrëzimin e Assadit. Thënë këtë, nuk mund të lihet pas dore as roli i jashtëzakonshëm i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në orkestrimin e grushtit të shtetit.

Por në dallim nga viti 2015, kur Putin reagoi fort pas rrëzimit të avionit luftarak rus Sukhoi Su-24 nga Turqia, si për shembull ndaloi turistët rusë të shkonin në Turqi, por edhe disa importe nga ky vend, ai nuk ka më mundësi të ketë një qasje të ngjashme.

Kjo sepse sot Turqia është njëra prej qendrave më të rëndësishme të anashkalimit të sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë. Përveçse ka lejuar transaksionet financiare të paligjshme dhe të përfshira në listën gri të FATF deri në mesin e këtij viti, Turqia ka një diasporë të madhe ruse, ndërsa kompania e saj kryesore ajrore Turkish Airlines, kryen fluturime të rregullta drejt qyteteve kryesore të Rusisë.

I njëjti arsyetim mund të vlejë edhe për Iranin, shtetasit e të cilit po e përdorin Turqinë si një trampolinë për të shmangur fushatën e presionit maksimal të udhëhequr nga SHBA-ja. Teksa zhvillimet e fundit janë kundër tyre, dhe në kushtet kur anëtarët e BRICS do të përballen me masa ndëshkuese për anashkalimin e dollarit sapo Donald Trump të marrë detyrën, Putini dhe mullahët në Teheran, ka të ngjarë të hakmerren, por në një mënyrë më të matur, duke e vendosur Erdoganin në vendin që i takon, por pa i dhënë domosdoshmërisht një goditje fatale apo përmbysur statuskuonë.

Një opsion i tillë, është aleanca për të rrëzuar udhëheqësin azer Ilham Alijev. Nuk është ndonjë sekret që vitet e fundit, Azerbajxhani është bërë një shtojcë e Turqisë nën kornizën “një komb, dy shtete”. Përveç mbështetjes ushtarake turke dhe në veçanti me dronët Bayraktar TB2 që ishin vendimtarë në fitoren e Azerbajxhanit mbi Armeninë gjatë Luftës së Dytë 44-ditore të Nagorno-Karabakut, kombi kaspian i është bashkuar blloqeve ku bën pjesë edhe Turqia, si Organizata e Shteteve Turke dhe D-8.

Megjithatë Bakuja nuk tregoi interes për t’u anëtarësuar në aleancat e udhëhequra nga Rusia si Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) dhe Unioni Ekonomik Euroaziatik (EAEU), fakt të cilin Moska do ta përdorë me siguri kundër Bakusë në kohën e duhur.

Deri më sot, CSTO ka shërbyer për të shtypur kryengritjet popullore në të gjithë hapësirën post-sovjetike, dhe konkretisht në Bjellorusi në vitin 2020 dhe Kazakistan në 2022-shin. Alijev ka zgjedhur të ndjekë rrugën e liderit autokrat bjellorus Alexander Lukashenko në shtypjen e shoqërisë civile dhe lirinë e medias.

Rasti i fundit është arrestimi i 5 gazetarëve nga Meydan TV, akt që u dënua edhe nga Sekretari i Shtetit i SHBA-së Antony Blinken. Alijev ka qëndruar indiferent ndaj erërave demokratike që po fryjnë në Eurazi, duke mos bërë asnjë lëshim. Por kjo kokëfortësi mund t’i kthehet shpejt në një bumerang, kjo edhe për shkak të prishjes së disa aleancave vitet e fundit.

Mosmarrëveshja më e dukshme e Azerbajxhanit ka qenë me Francën, për shkak se kjo e fundit e mbështeti Armenisë gjatë konfliktit të armatosur në Karabakh, dhe e akuzon Bakunë për spastrimin etnik të rreth 120.000 armenëve pasi pushtimit të enklavës së diskutueshme.

Ndërkohë Azerbajxhani dyshohet se ka ndërhyrë në punët e brendshme të protektorateve të largëta franceze të Kaledonisë së Re dhe Majote, duke nxitur trazira pro-separatiste. Teksa është në prag të nënshkrimit të një “traktati gjithëpërfshirës” me Iranin, që përfshin garanci të ndërsjella sigurie, si dhe sigurimin e vazhdueshëm të dronëve, municioneve dhe pjesëve rezervë për “operacionin special ushtarak” në Ukrainë, Kremlini do të bëjë një sy qorr nëse në Azerbajxhan shpërthen një revolucion i sponsorizuar nga Irani.

Për sa i përket Kinës, një aktore shumë vigjilente që shfaqet kudo ku ka hapësira boshe, ky skenar nuk do të ishte aspak një zhvillim i padëshiruar. Lidhjet gjithnjë e më afërta midis Alijev dhe Izraelit, janë një arsye tjetër e armiqësisë së Iranit.

Azerbajxhanin e furnizon Izraelin me 40 për qind të importeve totale të naftës bruto nëpërmjet linjës Baku-Tbilisi-Cejhan (BTC), duke mbështetur kështu veprimtarinë e Forcave të Mbrojtjes Izraelite (IDF) në të gjithë Levantin.

Rrëzimi i helikopterit të ish-presidentit iranian Ebrahim Raisi, pas një takimi me homologun e tij azerbajxhanas në maj të këtij viti në një rajon kufitar malor, i përforcoi shqetësimet e zyrtarëve të lartë iranianë se Alijev ishte njeriu kryesor i Izraelit në Kaukazin e Jugut, pavarësisht nga kushtet e vështira të motit, me të cilat u shpjegua zyrtarisht vdekja e papritur e “kasapit të Teheranit”.

Klerikët iranianë e konsiderojnë veten si “shahistë”, dhe bien dakord me shprehjen se “hakmarrja është një pjatë, e cila shërbehet më së miri e ftohtë”. Gjithsesi, është vetëm çështje kohe që të shuhet “durimi strategjik” i tyre, duke pasur parasysh vitin katastrofik që kaluan.

Milicitë pro tyre në rajon janë dërmuar. Edhe Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) ka pësuar dëme të mëdha. Një operacion i suksesshëm i ndryshimit të regjimit në Azerbajxhan, do të ishte kundërpërgjigja më e mirë e Iranit ndaj Turqisë.

Shkalla e madhe e korrupsionit nën sundimin e Alijev, që i ka dhënë atij mundësi të grumbullojë një “perandori të madhe pasurish të fshehura”, përfshirë pronat luksoze në parajsat fiskale në destinacione të lakmuara si Londra dhe Dubai, mund ta detyrojë familjen e parë të Azerbajxhanit të ketë të njëjtin fat tragjik si ajo e Assadit./ Përshtati "Pamfleti" nga “Emerging Europe”

Lini një Përgjigje