Kina paralajmëroi të hënën Shtetet e Bashkuara që të mos përdorin vendet e tjera si "pretekst" për ambiciet e tyre në Groenlandë. Sipas Pekinit, aktivitetet e Kinës në Arktik janë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe synojnë të promovojnë paqen dhe stabilitetin.
Deklarata e zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme, Mao Ning, erdhi pasi Presidenti Donald Trump ripërsëriti presionin ndaj SHBA-së për të blerë Groenlandën, një territor gjysmëautonom që i përket Danimarkës, aleatit të NATO-s.
Trump u tha gazetarëve në bordin e Air Force One të dielën se Uashingtoni duhet të “marrë Groenlandën” për të parandaluar Rusinë ose Kinën të fitojnë kontrollin, duke shtuar se ai do të preferonte “të bëhej një marrëveshje”, por këmbënguli se “në një mënyrë ose në një tjetër, ne do ta kemi Groenlandën”.
Tensionet janë përshkallëzuar këtë muaj midis Uashingtonit, Kopenhagenit dhe Nuukut, ndërsa Shtëpia e Bardhë po shqyrton mundësi të tjera, përfshirë përdorimin e forcës ushtarake.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen ka paralajmëruar se një pushtim nga SHBA-të do të thoshte fundi i NATO-s.
Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen dhe udhëheqësit e 4 partive të tjera lëshuan një deklaratë të përbashkët të premten, duke theksuar se e ardhmja e ishullit "duhet të vendoset nga populli i tij" dhe duke i bërë thirrje SHBA-së të ndalojë "përbuzjen" e saj ndaj rajonit.
Kina, e cila e shpalli veten "shtet pranë Arktikut" në vitin 2018, po kërkon të forcojë ndikimin e saj në rajon përmes Iniciativës së saj "Një Brez, Një Rrugë" dhe planeve për një "Rrugë Polare të Mëndafshit".
I pyetur të hënën në lidhje me pretendimet e SHBA-së se Groenlanda duhet të “pushtohet” për të parandaluar kontrollin kinez ose rus, Mao tha se aktivitetet e Pekinit në Arktik janë “në përputhje me ligjin ndërkombëtar” dhe përqendrohen në “paqe, stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm”, pa dhënë detaje të mëtejshme.
“Të drejtat dhe liritë e të gjitha vendeve për të vepruar në Arktik në përputhje me ligjin duhet të respektohen plotësisht”, tha Mao, pa e përmendur drejtpërdrejt Groenlandën.
Ajo shtoi se “SHBA-të nuk duhet të ndjekin interesat e veta duke përdorur vendet e tjera si pretekst”.
“Arktiku ka të bëjë me interesat e bashkësisë ndërkombëtare në tërësi”, vijoi më tej deklarata.
Përpjekjet diplomatike vazhdojnë, ndërsa të dërguarit danezë dhe të Groenlandës përgatiten për bisedime në Uashington këtë javë. Ndërkohë, senatorët amerikanë po planifikojnë një vizitë në Danimarkë mes fërkimeve në rritje mbi strategjinë e administratës për Arktikun.
Lini një Përgjigje