TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Tetor 2024, 15:50

Fushatat keq-informuese të Rusisë i po ç’orientojnë qytetarët e BE

Shkruar nga Renato Caputo

 Fushatat keq-informuese të Rusisë i po ç’orientojnë

Moska ka nevojë vetëm një shkak për të nxitur pakënaqësitë brenda BE-së

Ndërsa vazhdon lufta e Rusisë kundër Ukrainës, në të gjithë Evropën po zbulohen gjithnjë e më shumë prova të fushatave keq-informuese të orkestruara nga Kremlini. Në shtator, një konsorcium i mediave evropiane, zbuloi të dhënat e operacioneve të Agjencisë së Dizajnit Social, një kompani me qendër në Moskë që dyshohet se e udhëheq propagandën ruse. Federata ruse zhvillon fushata keq-informuese me mjete të ndryshme, kryesisht në mediat sociale përmes memeve, llogarive false dhe përmbajtjeve të falsifikuara. Rusia mbetet kërcënimi më i rëndësishëm në lidhje me përhapjen e informatave anti-BE, kryesisht përmes manipulimit të informacionit.

Për shkak se Rusia e percepton Bashkimin Evropian si politikisht dhe shoqërisht të përçarë, ekonomikisht në stanjacion, dhe si një entitet ushtarak të dobët, Moska do të vazhdojë dhe madje do ta forcojë fushatën e saj të keq-informimit kundër BE-së edhe për të ardhmen e parashikueshme.

Ndërsa vazhdon lufta në Ukrainë, evropianët po shfaqin lodhje nga konflikti i zgjatur, ndaj janë më të ndjeshëm ndaj informatave të rreme vijnë nga Rusia. Të qenit objektiv i një fushate ruse keq-informuese, nuk është asgjë e re për Bashkimin Evropian.

Që nga viti 2015, zyrtarët e BE-së dhe ekspertët e kësaj fushe, kanë zbuluar më shumë se 17.000 raste të propagandës kundër BE-së të krijuara nga Rusia. Prej tyre, rreth 1.500 kanë ndodhur vetëm në gjysmën e parë të këtij viti. Sipas zyrtarëve të BE-së, fushata aktuale e keq-informimit ka si bazë 3 ide kryesore.

Së pari përhapjen e përmbajtjes anti-ukrainase; së dyti çështjet dhe narrativa anti-BE; dhe së treti glorifikimin e Rusisë, duke iu referuar veçanërisht diplomacisë së saj, udhëheqjes politiko-ushtarake dhe “arritjeve ekonomike të mahnitshme”.

Në vitin 2014 , keq-informimi kundër BE-së u zgjerua ndjeshëm pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia dhe përhapjes së dhunës në rajonin e Ukrainës Lindore, Donbass. Në atë kohë, Rusia nisi të shfrytëzonte në mënyrë aktive tema të tilla si migrimi, ndryshimet klimatike dhe shpopullimi dhe varfërimi në rritje në Bashkimin Evropian.

Për më tepër, lufta informative e Rusisë, u përpoq t’i portretizonte shtetet baltike si trashëgimtaret politikë në Evropë të Gjermanisë naziste. Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Çëshjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, tha se deri në vitin 2021, keqinformimi nga ana e Rusisë - kryesisht ai në lidhje me pandeminë Covid -19 – kishte arritur në nivele “industriale”, duke përfshirë gjithnjë e më shumë “aktorë” në përhapjen e tij.

Pas fillimit të agresionit rus në shkallë të gjerë kundër Ukrainës në vitin 2022, përdorimi i informatave të rreme kundër Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të caktuara, është rritur në mënyrë dramatike. Mekanika e përgjithshme e strategjisë së kësaj fushate nuk ka ndryshuar.

Mediat ruse, gjejnë një fakt që është i vërtetë dhe duke e nxjerrë nga konteksti ose shpërndarë në një kontekst tjetër, e shtrembërojnë qëllimisht kuptimin e tij. Më shpesh, ato e ambalazhojnë me një mori gënjeshtrash. Dhe për fat të keq, ky lloj “informacioni” po përdoret gjithnjë e më shumë nga politikanët evropianë pro-rusë.

Pas shkurtit të vitit 2022, Ukraina nisi të zinte një vend qendror në narrativat e fushatave keq-informuese të Rusisë. Ato synojnë jo vetëm të nxisin ndjenjën anti-ukrainase brenda Bashkimit Evropian, por edhe ta portretizojnë si të dobët udhëheqjen e BE-së.

Narrativa ruse e paraqet luftën në Ukrainë si një konflikt të nisur nga interesat dhe paragjykimet perëndimore. Ajo pretendon se evropianët janë lodhur nga refugjatët e shumtë ukrainas që po mbajnë në vendet e tyre, dhe po planifikojnë t’i kthejnë sërish në Ukrainë.

Ajo e ripërkufizon mbështetjen e Bashkimit Evropian për Ukrainën, si një rrjedhojë të urrejtjes së tij ndaj Rusisë, dhe të vazhdimit të pikëpamjeve pro neo-naziste. Për më tepër, retorika e gënjeshtërt e Moskës, pretendon se Shtetet e Bashkuara, e mbështesin Ukrainën vetëm nga dëshira për të kontrolluar burimet natyrore të vendit.

Rusia pretendon gjithashtu se lufta e saj kundër Ukrainës është e natyrës mbrojtëse, teksa i ashtuquajturi “Operacioni Special Ushtarak”, u ndërmor vetëm sepse Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO po planifikonin ta sulmonin Rusinë nga territori ukrainas.

Përveç Ukrainës, në shënjestër të fushatave keq-informuese të Rusisë vazhdon të jetë edhe Gjermania. Një investigim nga “Der Spiegel”, zbuloi se një grup në rrjetin social X i përbërë nga gati 50.000 adresa false, ka gjeneruar më shumë se 1 milionë postime, që synonin të godisnin mbështetjen e gjermanëve për Ukrainën, dhe me objektiv diskreditimin e qeverise gjermane dhe shtrembërimin e qëllimeve të saj të vërteta.

Fushata e keq-informimit, shkaktoi pakënaqësi publike për ndihmën ndaj Ukrainës, duke argumentuar se ajo po nxit shpenzime të tepërta dhe të kota nga qeveria gjermane, pikërisht në kohën e vështirësive të mëdha ekonomike. Mesazhi më i zakonshëm i përhapur nga propaganda ruse, është ideja se qeveria gjermane po i dëmton qytetarët e saj duke sakrifikuar mirëqenien e tyre për të mbështetur Ukrainën.

Një tipar tjetër i propagandës ruse pas vitit 2022, mund të përmblidhet më së miri në frazën: “Mbrojtja më e mirë, është një sulm i mirë!”. Në vend se të përpiqet të kundërshtojë akuzat e Bashkimit Evropian për keq-informim, Rusia e akuzon Brukselin se ka nisur fushatat e veta keq-informuese kundër Rusisë.

Ndërkaq, ekspertët rusë përpiqen të bëjnë paralele midis përgatitjes së Bashkimit Evropian për një luftë informative ndaj Rusisë, me përgatitjen e “Adolf Hitlerit për sulmin e tij ndaj Bashkimit Sovjetik”.

Po ashtu, ekspertët rusë argumentojnë se Bashkimi Evropian “ka evoluar duke u shndërruar në Rajhun e Katërt”, qëllimi kryesor i të cilit është të përpiqet të gjejë një justifikim ideologjik për një agresion të mëtejshëm kundër Rusisë, duke sugjeruar se Ukraina është bërë një terren ku BE-ja po teston forcat ruse para një luftë të ardhshme.

Pavarësisht se sa herë ristrukturohet fushata ruse e keq-informimit, farat e dyshimit që ajo ka mbjellë tek zyrtarët e BE-së dhe ideja se tek e fundit “të gjithë gënjejnë”, do të jetë tepër e vështirë për t’u luftuar. Një frenim efektiv i informatave të rreme, do të kërkojë veprime të ndryshme.

Së pari, siç sugjeroi kohët e fundit Polonia, do të ishte e përshtatshme të krijohet një aleancë transatlantike për t’iu kundërvënë keq-informimin rus. Së dyti, Bashkimi Evropian duhet të adresojë problemet brenda shoqërisë evropiane duke hartuar dhe miratuar politika efektive. Në të kundërt, Moska ka nevojë vetëm një shkak për të nxitur pakënaqësitë brenda BE-së.

Së treti dhe e fundit, Bashkimi Evropian duhet t’i japë Ukrainës ndihmën që i nevojitet për ta fituar luftën. Përndryshe nëse lufta do të zgjasë më tej, evropianët do të jenë më të ndjeshëm ndaj informacioneve të rreme që fabrikohen nga Rusia./Përshtati Pamfleti nga “Opinione.it”

 Shënim: Renato Caputo, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare dhe i Rregulloreve mbi Sigurinë.

 

moska rusia fushata keq informuese qytetarët e be

Lini një Përgjigje