
Nga muzika dhe Hollivudi, tek institucionet Konfuci dhe propagandat digjitale – fuqia e butë ka dështuar të mbulojë brutalitetin e pushtetit. Në fund, joshja ishte vetëm një tjetër mënyrë për të sunduar...
Epoka kur Amerika joshte botën me Hollywood-in, Coca-Cola-n dhe premtimin për demokraci ka marrë fund. Fuqia e butë, e idealizuar si art i dominimit pa dhunë, ka rezultuar veçse një mjet i maskuar hegjemonie. Sot, në një botë ku Kina përpiqet ta kopjojë dhe SHBA-ja e ka braktisur, ai iluzion është shembur. Dhe mbeturinat e tij po i mbulon pluhuri i tankeve, dronëve dhe sanksioneve.
Ka pasur një kohë kur SHBA mendonte se do të sundonte botën jo përmes frikës, por përmes joshjes. Ishte epoka e fuqisë së butë – një vizion i artikuluar për herë të parë nga politologu Joseph Nye, i cili ndërroi jetë pak ditë më parë. Në atë botë post-bipolare, muzika, filmat, universitetet, vlerat demokratike dhe mënyra amerikane e jetesës shiteshin si mallra universale, të destinuara për të pushtuar jo territore, por ndërgjegje.
Por fuqia e butë, siç e tregon historia e vet, ishte gjithmonë një instrument pushteti i ndërtuar për të maskuar imponimin në formë konsensuale. Prapa ngjyrave të CNN-it dhe simbolikës së USAID-it, fshihej një strategji e qartë për dominim: kontrollim tregjesh, ndikim politik, dhe standardizim kulturor që barazohej me superioritetin perëndimor. Fuqia e butë u shfaq si një mënyrë më e rafinuar për të bërë të njëjtën gjë që dikur bëhej me grushte shteti dhe ndërhyrje ushtarake.
Kjo fasadë u rrëzua me ardhjen e Donald Trumpit. Ai çmontoi aparatin ideologjik të dekadave, duke e zëvendësuar diplomacinë kulturore me diplomaci kërcënimi. Jo më ndërkombëtarizëm, por izolacionizëm. Jo më aleanca, por pazare. Jo më pushtim zemrash, por sanksione dhe ndëshkime. Doktrina Trump e riktheu politikën e jashtme të SHBA-së në origjinën e saj të vjetër: ligji i më të fortit.
Por ndryshe nga Amerika që e braktisi fuqinë e butë, Kina u përpoq ta përvetësonte. Me një rrjet Institutesh Konfuci, me promovim të “qytetërimit socialist” dhe investime në narrativën kulturore, Partia Komuniste Kineze po përpiqet të ndërtojë një version të vetin të këtij instrumenti hegjemonik.
Por kontradikta është e dukshme: si mund të jetë tërheqës një sistem që kontrollon informacionin, shtyp protestat, mban të mbyllura lagjet, fshin kulturat dhe mbikëqyr masat me inteligjencë artificiale?
Si në rastin amerikan, edhe në rastin kinez, fuqia e butë është një fasadë, jo një alternativë. Ajo nuk e zëvendëson pushtetin e fortë, vetëm e mbulon për aq sa lejohet. Sapo interesi strategjik i një fuqie rrezikohet, maska bie, dhe dalin në pah mjetet e zakonshme: diplomacia e armëve, politika e shantazhit, frika.
Kjo është arsyeja pse në Gaza, në Ukrainë, në Detin e Kinës së Jugut, nuk funksionon më as retorika e paqes, as logjika e bashkëpunimit. Ligji ndërkombëtar, i cili teorikisht do të ishte garancia ndaj abuzimit me forcën, i nënshtrohet plotësisht sovraniteteve dhe konjukturës politike të superfuqive. Retorika e “modernitetit universal” ka rezultuar veçse një formë tjetër – më elegante – e imperializmit kulturor.
Sot, shumë popuj – sidomos në Jugun Global – janë të lodhur nga versionet perëndimore apo lindore të këtij dominimi me ngjyra joshëse. Për ta, fuqia e butë nuk ka pasur kurrë ëmbëlsinë që u premtua. Ajo ka mbajtur gjithmonë shijen e nënshtrimit ekonomik, ndërhyrjes politike dhe mohimit të rrugëve alternative.
Maska më në fund ka rënë. Dhe mbetet ajo që ka qenë gjithmonë: pushteti. E fortë apo e butë, e rafinuar apo brutale, forma ndryshon – qëllimi jo. Dhe në këtë epokë të re gjeopolitike, sfida më e madhe nuk është më të zbukurosh pushtetin, por të krijosh një rend që e legjitimon atë përmes drejtësisë dhe pluralizmit real. Sepse nuk është joshja ajo që garanton paqen. Është drejtësia që e bën joshjen të mundur./Përgatiti: Pamfleti
Burimi: “Inside Over”
Lini një Përgjigje